Video

Prokuroria po heton kontratën e Telekomit me “AdvanTech”

Prokuroria e Shtetit është duke hetuar kontratën me të cilën Telekomi i Kosovës ia jep 60 për qind të të hyrave kompanisë private “AdvanTech” nga Shqipëria për shërbime të internetit dhe IPTV-së.

Hetimet kanë filluar bazuar në kallëzimin penal që ka bërë menaxhmenti i kaluar i Telekomit. Ishin ngritur dyshimet për disa pika të kontratës, të cilat i ka konsideruar si të dëmshme për ndërmarrjen.

Në mesin e tyre është edhe ndarja e fitimit prej 60 për qind për kompaninë private, ndërsa 40 për qind për Telekomin. Në këtë ndërmarrje thonë se kjo kontratë është duke u shqyrtuar edhe brenda kompanisë.
“Asokohe është e qartë se kontrata është vlerësuar e dobishme për Telekomin përderisa është nënshkruar. Ky menaxhment ka interes për t’i përmirësuar vazhdimisht kushtet e këtij partneriteti. Gjithsesi, Prokuroria do ta thotë fjalën e saj, ndërkohë që kompania do të bashkëpunojë gjatë tërë procesit dhe në fund do ta respektojë çfarëdo vendimi të gjykatës”, ka thënë zëdhënësi i Telekomit, Fadil Lepaja për KOHËN.

Kontrata është nënshkruar në fund të vitit 2019 nga ish-kryeshefi i ndërmarrjes, Bedri Istrefi. Ai, përmes telefonit, ka thënë se kontrata është bërë për interes të Telekomit.

Por, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, atë e vlerëson si shumë të dëmshme.

“Për shembull, ajo kompani edhe te klientët aktualë që i kemi do të përfitojë rreth 60 për qind pa investuar asnjë cent dhe lëre më investimi i saj më i madhi, sipas ekspertëve nga Telekomi, njerëzve që janë kundër kësaj kontrate, është që vetëm starti i saj në investim mundet të shkojë afër 7 ose 8 euro, ndërsa përfitimet që në muajin e parë i kanë 10 euro, paramendoni muajt tjerë në vazhdimësi”, thotë Balaj.

KOHA ka më shumë se dhjetë ditë që ka kërkuar një përgjigje nga Prokuroria lidhur me atë se në çfarë faze janë këto hetime, por ajo nuk është përgjigjur.

Në emër të kompanisë “Advan Tech” kontrata është nënshkruar nga drejtori menaxheus, Olti Bushi. Ai, përmes telefonit, ka thënë shkurt se “kontrata parashihte zhvillime dhe investime”.