Video

Rreth 80 teste serologjike do të kryhen brenda ditës në Prizren

Pas Prishtinës, Komuna e Prizrenit është e para që ka filluar realizimin e testeve serologjike për COVID-19.

Sipas autoriteteve lokale, ky testim do të ketë karakter diagnostikues dhe hulumtues.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka pohuar se tani më laboratori në Qendrën e Mjekësisë Familjare nr.1 është kthyer në laborator për testet serologjike për COVID-19, raporton KOHA.

“Është një shërbim për të cilin qytetarët e Prizrenit kanë pasur nevojë. Duke pasur parasysh se në shumë vende të Evropës pandemia po kthehet me valën e dytë, shpresoj që te ne mos të ndodhë kjo, por sidoqoftë ne jemi tash gati dhe do të bëjmë analizat në bazë të udhëzimeve të mjekëve dhe po ashtu për stafin mjekësor të Komunës së Prizrenit, për punëtorët e administratës, për mësimdhënësit”, ka thënë Haskuka.

Drejtoresha e Shëndetësisë, Narqize Arënliu-Hoxhaj, ka pohuar se këto teste do të realizohen në bazë të udhëzimeve të mjekëve të Kujdesit Parësor Shëndetësor.

Sipas saj, për një ditë do të mund të kryhen deri në 80 teste serologjike për COVID-19.

Ndërsa drejtori i QKMF-së në Prizren, Xhevat Elezkurtaj, ka theksuar se ky testim do të ketë dy qëllime.

"Qëllimi diagnostikues i ka disa kritere. Të gjithë pacientët i kemi kategorizuar në bazë të indikacioneve për të kryer këtë testim. Faza e dytë është hulumtuese, e cila për ne ka vlerë edhe si institucion, edhe na shërben për të krijuar gjendjen reale se sa kjo popullatë ka qenë e infektuar”, ka pohuar Elezkurtaj.

Zyrtarët komunalë kanë bërë të ditur se furnizimi me reagensa është bërë për 4 mijë e 800 pacientë, dhe se ky lloj i furnizimit do të vazhdojë me qëllim të ofrimit konstant të këtij shërbimi shëndetësor.