OpEd

Një zviceran në oborrin mbretëror të Shahut të Persisë

Nga Liqeni i Gjenevës në pallatet e mbretit iranian, Mohamed Reza Pahlavit: rruga e pazakontë e zviceranit Ernest Perron, e shoqëruar me intriga dhe me një pëshpëritje për një aferë homoseksuale

1.

Instituti Le Rosey në Rolle pranë Liqenit të Gjenevës është ndër internatet më të njohura të Zvicrës. Aty ndjekin mësimet dhe edukohen fëmijët e më të pasurve të botës. Internati u themelua në vitin 1880. Në këtë internat janë arsimuar mbreti i mëvonshëm belg, Alberti II, Richard Helms, drejtor i CIA-s dhe ambasador i SHBA-së në Teheran, Aleksandër Karagjorgjeviqi II i Jugosllavisë, Rainier III, princ i Monakos, Nicolas Berggruen, investitor gjerman. Për publikun shqiptar interesante mund të jetë kjo informatë: Nicolas Berggruen është i biri i Bettina Moissit, e cila është vajza e Aleksandër Mojsiut, aktorit të famshëm me origjinë shqiptare. Nicolas Berggruen u lind në Paris më 1961, pasuria e tij vlerësohet të jetë rreth 1,5 miliardë dollarë.

2.

Një ditë shtatori të vitit 1931, në Institutin Le Rosey ndihmëskopshtari Ernest Perron po e shtynte me mundim një karrocë dore të ngarkuar me mbeturina organike. Kur nxënësit e institutit nisën ta tallin, Ernest Perronit i doli në ndihmë një djalë 12-vjeçar me emrin Mohamed Reza Pahlavi. I ati i tij, Reza Shah Pahlavi, e kishte dërguar të birin në Zvicrën neutrale për të fituar njohuri të reja dhe për të nxënë kulturën perëndimore. Në Institutin Le Rosey filloi miqësia e gjatë e Ernest Perronit me Mohamed Reza Pahlavin – një miqësi që do ta çonte zviceranin e panjohur në pallatet mbretërore të Teheranit. Në Zvicër Perron ishte shërbëtor besnik i princit iranian, i ndihmonte atij të mësonte frëngjisht dhe i recitonte poezi. Ernest Perron çalonte pak dhe ishte homoseksual. Në Institutin Le Rosey nuk ndaleshin thashethemet mbi lidhjen eventuale të ndihmëskopshtarit Perron me princin nga Orienti.

3.

“Kur më 29 prill 1936 princi Mohamed Reza Pahlavi, i cili tashmë si 17-vjeçar ishte bërë burrë i ri, në stacionin e trenit në Lausanne zuri vend në një kupe të klasës së parë për t’u kthyer në atdhe, në krah të tij ishte Ernest Perroni. Dy miq të pabarabartë udhëtuan përmes Bernës, Vjenës dhe Moskës në Teheran”, shkruan shkrimtari zviceran Alex Capus. Në Teheran Reza Shah Pahlavi nuk ishte fare i entuziazmuar që i biri i tij kishte sjellë nga Evropa një zviceran që çalonte, që ishte homoseksual dhe që recitonte poezi të poetëve francezë. Reza Shah Pahlavi e përzuri Perronin nga pallati, por pas lutjeve të të birit pranoi që ai të punonte në rezidencën perandorake verore në Ramsar në Detin Kaspik. Megjithatë, zvicerani dhe princi iranian vazhduan të takoheshin fshehurazi.

4.

Më 25 gusht 1941 trupat britanike dhe sovjetike pushtuan Iranin, e përzunë nga froni Reza Shah Pahlavin dhe në vend të tij e vendosën të birin e tij Mohamedin. Tani monarku i ri dhe zvicerani sërish u bënë bashkë. Në vitet në vijim Ernest Perroni do të ishte njeriu më i besueshëm i Mohamed Reza Pahlavit. Perron kishte talent për intriga dhe lojëra në parketin diplomatik, andaj shumë ambasadorë perëndimorë e takonin me dëshirë. Ernest Perroni nisi të krahasohej me Rasputinin, predikuesin shtegtar rus, i cili pati ndikim të madh te Car Nikolla II i Rusisë. Soraja, gruaja xheloze e Mohamed Reza Pahlavit, e quajti Ernest Perronin “një zviceran djallëzor”. Në kujtimet e saj Soraja shkruan se zvicerani e vizitonte çdo ditë në mëngjes monarkun në dhomën e fjetjes dhe askush nuk e dinte se çfarë ndodhte aty gjatë një ore sa qëndronte Perroni. Ambasadori britanik në Teheran i shkroi kolegut të tij në Bernë se Ernest Perroni ishte “djalosh i çuditshëm, dekadent”, i cili “bënte komente të befasishme mbi jetën seksuale të njerëzve”. Ambasadori belg thoshte se nuk duhet lejuar djemtë e rinj dhe aq më pak princi i kurorës të bjerë në dorën e zviceranit. Zyrtarisht Ernest Perroni bartte titullin e “sekretarit privat të Shkëlqesisë së tij perandorake, Mbretit të Mbretërve”.

5.

Para se të lidhte kurorë me Sorajan, Mohamed Reza Pahlavi ishte i martuar me Favzia bint Fuadin e Egjiptit. Ajo ishte e bija e Mbretit Fuad I, i cili rridhte nga dinastia me origjinë shqiptare e Muhamed Aliut, sundimtarit të Egjiptit. Favzia bint Fuad u martua me princin e kurorës iraniane Reza Pahlavin, mbretin e ardhshëm të Iranit (nga viti 1941), më 16 mars 1939. Rrjedhimisht Favzia bint Fuad ishte mbretëreshë e Iranit. Me mbretin iranian ajo pati një vajzë, Shehnazen. Në vitin 1942 portreti i mbretëreshës Favzia bint Fuad u botua në ballinën e revistës amerikane LIFE. Kështu ajo u bë ikonë botërore. Fotografi Cecil Beaton e përshkroi atë si një “venus aziatik” me fytyrë të përsosur në formë të zemrës dhe me sy të kaltër depërtues. Më 1945 çifti u divorcua. Më 1948 Reza Pahlavi u njoftua në Londër me Soraya Esfandiary Bakhtiary, bijën e një princi persian dhe të gjermanes Eva Karl.

6.

Miqësia mes Ernest Perronit dhe Mohamed Reza Pahlavit mori fund papritmas në vitin 1954. Perroni u dëbua nga pallati dhe monarku zyrtarisht i dha fund miqësisë me të. Dy arsye përmenden për këtë ndarje: shërbimi sekret amerikan CIA i kishte thënë monarkut të shkëputej nga zvicerani i dyshimtë ose monarku erdhi vetë në këtë përfundim për t’u dhënë fund pëshpëritjeve në popull mbi lidhjen e tij homoseksuale me Perronin. Një kohë ai e kaloi në pallatin e motrës së Mohamed Reza Pahlavit, Shamsit, të cilën e respektonte shumë për shkak se ajo ishte konvertuar në besimin katolik. Për jetën e mëvonshme të Ernest Perronit nuk dihet shumë. Ai vdiq në Zürich në vitin 1961.