OpEd

Ligji i Hoonit dhe i Conopit

Ky ligj gjithashtu është një observim dhe projektim dhe jo ligj i natyrës, dhe ndërlidhet me dyfishimin e hajnave/matrapazëve në sistem të dendur qeveritar

Sa shpejt ikën java, e secila që pason tjetrën sjell edhe më shumë ngjarje e kabllograme se ajo paraprakja. Në botën e teknologjisë kjo njihet si Ligji i Mooreit, i cili është një observim dhe projektim e jo ligj i natyrës, i cili parasheh se çdo 18 muaj numri i transistorëve të qarkut të dendur të integruar dyfishohet. Kjo, si pasojë në jetën e përditshme na i sjell kompjuterët e rinj më të shpejtë dhe të avancuar, telefonat e mençur, pothuajse çdo vit me procesorë më të shpejtë dhe më kompleks se të mëparshmit, televizorët e sheshtë dhe të mençur dhe çdo gjë që ndërlidhet me zhvillimin në teknologji. Si avancime zbulimesh ndikojnë direkt në zhvillimin ekonomik dhe teknologjik të një vendi të caktuar. Ligji i Mooreit si teori është dëshmuar i saktë dhe i qëndrueshëm dekadave të fundit. Mirëpo edhe vetë Moore kishte deklaruar se ky trend nuk do të mundë të jetë i qëndrueshëm deri në pafundësi. Në një moment të caktuar ai do të pësojë një kolaps mbi veten e vet.

Është një libër i botuar në vitin 1997 i shkruar nga Art Bell i titulluar “The Quickening” (Përshpejtimi) “Trendët e sotëm në botën e së nesërmes” të cilin unë e kisha lexuar diku në vitin 2000 dhe në të cilin autori i njohur botërisht edhe si udhëheqës i radioprogrameve të natës me tema nga fusha e paranormalës, shkruan për parashikimet mbi relacionet njerëzore, pastaj të biznesit, teknologjisë, shëndetësisë, tensioneve ndërkombëtare, ndryshimeve klimatike, si dhe religjionit. Ai i përshkruan se si këto do të ndryshojnë në mileniumin e ri dhe përshkruan se si shoqëria do të duhej të përgatitej për të ardhmen e cila e pret.

Me secilin vit pasues që nga koha kur unë e kisha lexuar këtë libër është e frikshme se sa të sakta ishin parashikimet e autorit Art Bell mbi të ardhmen dhe mënyrën se si ai e kishte shtjelluar atë. Lexuesve pasionues do t’ua kisha rekomanduar këtë libër. E gjeni në “Amazon”.

Të gjitha këto i shpalosa në ditarin tim dhe me lexuesin besnik të tij për t’ju dëshmuar se edhe ne e kemi në shoqërinë tonë ligjin ekuivalent me atë të Mooreit i njohur si “Ligji i Hoonit dhe i Conopit”.

Ky ligj gjithashtu është një observim dhe projektim dhe jo ligj i natyrës dhe ndërlidhet me dyfishimin e hajnave/matrapazëve në sistem të dendur qeveritar. Dy dekadat e fundit është treguar i qëndrueshëm, dhe ciklin e jetëgjatësisë dhe të dyfishimit të hajnave/matrapazëve në sistem të dendur qeveritar e ka çdo 2 vjet. Mirëpo njëjtë si edhe me Ligjin e Mooreit, edhe Ligji i Hoonit dhe i Conopit nuk mund të jetë i qëndrueshëm deri në pafundësi. Një ditë edhe ai do të pësojë kolaps mbi veten e vet. Shenjat e para të atij kolabimi të Ligjit të Hoonit dhe Conopit janë tashmë në horizont.

Rende të gjata kosovarësh pranë ambasadave të vendeve perëndimore në Kosovë. Çdo i ri qoftë me përgatitje profesionale, qoftë pa të është në kërkim të një jete më të mirë dhe më dinjitoze se asaj që Ligji i Hoonit edhe i Conopit ia ka ofruar atij në Kosovën e 20 vjetëve të fundit. Për ironi pritet që sot të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ku deputetët do t’i fusin në xhep nga 200 euro mëditje secili dhe do të apelojnë rininë që mos ta lëshojnë Kosovën, sepse këtu “po bëhet mirë dhe ka perspektivë”.

Kabllogrami tjetër i trishtë ndërlidhet me 48-vjeçarin e vrarë dhe pastaj të djegur në veturën e tij ashtu si në skenat më makabre të filmave me mafiozët nga më të këqijtë të mundshëm, rast që kishte ndodhur në Skënderaj gjatë javës që e lamë pas e që tronditi mbarë opinionin kosovar. Si duket viktima kishte qenë dëshmitar i një vrasjeje të një polici në vitin 2015. Kështu, sundimi i ligjit në Kosovë e merr edhe një grusht të fortë e kjo po ashtu si pasojë e Ligjit të Hoonit e të Conopit.

Në një tryezë të organizuar nga UNICEF-i në Kosovë dhe hulumtimet e bëra rezultojnë në atë se gjendja e keqe e mjedisit dhe ajri i ndotur janë pasoja që qytetarëve të Kosovës ua shkaktojnë jetëgjatësinë më të ulët në Ballkan. Kjo d.m.th. që ne nuk kemi kohë me jetua në Kosovë, se jo që ndonjë gjë tjetër, prandaj e lëshojnë të rinjtë Kosovën çdo ditë.

Kabllogrami i radhës i cili ma tërhoqi vëmendjen dhe si të tillë do ta ndaj në Ditarin tim është plaçkitja e 10 milionë eurove nga aeroplani i “Austrian Airlines” në mënyrë spektakulare në Aeroportin e Rinasit. Unë mund të mos jem as detektiv e as njohës i kriminalistikës, por ajo logjika më e thjeshtë më thotë se kryesit e veprës kanë qenë në dijeni të shumë informatave të brendshme për ta kryer një vepër të tillë në pistën e aeroplanëve para se ai të ngrihej në ajër me shumën e parave të gatshme për transferim në Austri brenda aeroplanit. Duke qenë se ne jemi një, edhe në Shqipëri dekadat e fundit njëjtë si në Kosovë, vlen Ligji i Hoonit dhe i Conopit. Skenat e plaçkitjeve janë bërë pjesë e përditshmërisë së shoqërive tona.

Në vikendin të cilin e lamë pas edhe një ATM i TEB Bankës ishte sulmuar dhe plaçkitur me mjet eksplozivi në Prishtinë dhe nga ai ishin vjedhur një sasi e konsiderueshme e parave.

Sikur skenaristët e Hollywoodit t’u rrinin gati lajmeve të portaleve tona mbi ndodhitë në botën shqiptare, ata do të kishin skenarë të bollshëm për filmat më të rinj aksion me mafiozë.

Kabllogrami i radhës ka të bëjë me shkarkimin e ministrit serb Teodosijeviq nga kryeministri Haradinaj.

Ministri Teodosijeviq, që u shkarkua nga kryeministri Haradinaj, masakrën e Reçakut e cilësoi si një “trillim të shqiptarëve”, ndërsa shqiptarët e Kosovës që luftuan për çlirim të Kosovës i quajti “terroristë”.

T’ua them të drejtën unë s’jam aq i ekzaltuar nga ky veprim i kryeministrit që i vendos Serbisë taksë 100% në produktet dhe shërbimet e saj, e me të njëjtën Serbi apo përfaqësues së saj është në Qeveri! Është oksimoron në vete ky muhabet. Sa herë ishim dëshmitarë kur mbledhjet e Kuvendit zvarriteshin e shtyheshin derisa delegatët e Listës Serbe të mos arrinin nga Beogradi me udhëzimet e tyre se si të votonin apo mos të votonin në Kuvend, duke përfaqësuar kryekëput interesat e Serbisë e assesi ato të shtetit të Kosovës. Por ja që Ligji i Hoonit dhe i Conopit e lejon. Në pamundësinë e shoqërisë sonë në avancimin e zbulimeve teknologjike konform Ligjit të Mooreit, ne e kemi zëvendësuar atë me një tjetër ligj unikat.

Kabllogramet nga dasmat e Bylbylave të Mushtishtit i patëm me bollëk edhe gjatë javës që e lamë pas. Hamzai, jo ai i Skënderbeut, po i biri i Remzijes, na i ka mbajtur titujt bombastikë në portalet tona të lajmeve. Tash i presim me padurim lajmet e radhës nga ditët e para të shtatzënisë së nuseve të Bylbylave të Mushtishtit e deri në organizimin e babinave dhe të të gjitha ceremonive përcjellëse. Këtu kemi të bëjmë me një ligj tjetër, përveç atij të Hoonit e Conopit. Ky është i njohur si Ligji i Buck Sheeshit, që zakonisht shfaqet në trajtë zarfesh nëpër dasma apo në LIVE muzikat e ndryshme LIVE. Ligji i Buck Sheeshit përcillet edhe me një porosi të shkurtër të shkruar në fasuletë të letrës, paloma. Zakonisht porositë janë përshëndetje të pjesëmarrësve të njërës tavolinë aty në sallë, pjesëmarrësve të tavolinës tjetër aty përballë. Tavolina e Shemsedinit- init-init-init përshëndet tavolinën e Izetit-etit-etit-etit-etit prej Gjumunije me kangën ”O gurbet, gurbet i zi-i-i-i-i-i ...”.

Unë jam i mendimit se me bashkëdyzimin e këtyre dy ligjeve të zbatueshme në Kosovë kolapsi i shoqërisë sonë është i pashmangshëm, është vetëm çështje kohe se kur? Siç do të thoshin Masonët e shkallës së 33-të “Ordo ab chao” - rregull nga kaosi …

Shinasi Berisha Post Mortem

Edhe një lajm i trishtë për humbjen edhe të një legjende të futbollit kosovar. Z. Shinasi Berisha ishte gjyqtari i parë i licencuar ndërkombëtar i futbollit nga Kosova. Është një humbje e madhe për shoqërinë kosovare dhe për futbollin kosovar në veçanti, për të cilin z. Berisha dha një kontribut të çmuar në etapat e zhvillimit të futbollit Kosovar.

P.S. Ramush burrë, sa i përket taksës 100% sa herë shkretojnë me deklarata ata atje në Beograd unë ua kisha shtu nga një 100%+ qashtu veç me e bo ma interesant se jo për ndonjë send…