OpEd

Kush po i frikësohet debatit?

Ka një traditë të mbrapshtë në Kosovë që kandidatët për postet kryesore të shtetit të mos ballafaqohen asnjëherë me njëri-tjetrin në debate televizive. Është koha që kjo të ndryshojë

NË NJË SHTET të Amerikës Qendrore ishin ditët e fundit të fushatës zgjedhore. Qytetarët ishin ulur para ekraneve televizive dhe po prisnin debatin televiziv ndërmjet të tre kandidatëve për president. Producentët sakaq kishin marrë njoftimin se presidenti aktual, i cili garonte për t’u rizgjedhur, nuk do të merrte pjesë ne debat, por po planifikonin ta zhvillonin gjithsesi debatin me dy kandidatët e tjerë, njëri prej të cilëve pa gjasa reale për raundin e dytë, për shkak të përqindjes së ulët që jepnin sondazhet. Kandidatët e tjerë kishin konfirmuar pjesëmarrjen. Bile, kandidati me përqindjen e ulët në sondazhe iu kishte thënë producentëve se ishte jo më shumë se pesë minuta larg me veturë. Krejt kjo para se ai të merrte një telefonatë dhe të vendoste që të ngiste veturën edhe për dy orë të tjera, pa ndaluar. Telefonata i kishte ardhur nga presidenti aktual. Porosia: Vetëm vazhdo me ngasjen e veturës dhe kështu pas zgjedhjeve ke fituar vend të sigurt të punës për ty dhe familjarët.

Natyrisht, me vetëm një kandidat në studio, debati kishte dështuar.

PËRBALLJET E KANDIDATËVE për pozita të larta të shtetit, veçanërisht gjatë fushatave elektorale, vlerësohet të jenë ndër ngjarjet që ndihmojnë në formësimin më të mirë të ideve të qytetarëve votues për vizionin dhe programet e kandidatëve. Duke u ulur njëri përballë tjetrit, dhe duke u përgjigjur dhe sfiduar nga pyetjet e kundërpyetjet, besohet se fitohet përshtypje e mirë se kush çka përfaqëson, kush çka do të bëjë për qytetarin dhe për vendin.

Sidoqoftë, nuk është e lehtë që kandidatët për pozitat e kryeministrave dhe të presidentëve, për arsye të ndryshme, të ulen së bashku me kundërkandidatët në një studio televizive ose në një sallë. Secili bën kalkulimet e veta. Ku ndodhet me popullaritet, sa orator është, çfarë programi ka, çfarë ekipi ka...   

Në Kosovë, deri më tash ka pasur disa cikle zgjedhore, disa më të mira se të tjerat, por nuk ka pasur as një të vetmin ballafaqim televiziv të kandidatëve për kryeministra ose për presidentë.

Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Albin Kurti, Fatmir Limaj, Veton Surroi, Nexhat Daci e të tjerë asnjëherë nuk kanë qenë në një studio të përbashkët, në mënyrë që qytetarët t’i vlerësonin ata kur ndodhen njëri përballë tjetrit.

Ai që ka qenë i pari, nuk ka dashur të ballafaqohet vetëm me të dytin. Ky që ka qenë i dyti nuk ka dashur të ballafaqohet me të tjerët pa të parin. Ndoshta dikush ndonjëherë edhe ka marrë ndonjë ofertë për të vazhduar ngasjen e veturës. Sidoqoftë, e dhimbshme është se të gjitha përpjekjet për organizimin e ballafaqimeve të elefantëve në këta 20 vjet të pasluftës kanë dështuar.

Koha është që kjo të ndryshojë.

NË SHBA KA disa dekada që një çështje e këtillë është zgjidhur. Atje, që nga viti 1988 është formuar organizata joprofitabile dhe e pavarur, Komisioni i Debateve Presidenciale (CPD), e cila i ka organizuar debatet presidenciale amerikane për çdo 4 vjet. Kjo organizatë, profesionalizmi dhe kredibiliteti i së cilës rëndom respektohet nga të gjithë garuesit, në mënyrë të pavarur ka bërë mbledhjen e fondeve, si dhe përgatitjen dhe organizimin e të gjitha ballafaqimeve të kandidatëve për presidentë të kësaj superfuqie botërore, duke përzgjedhur vetë edhe rregullat e debatit e edhe moderatorët. Dhe kështu, e ka kthyer në obligim të pashkruar pjesëmarrjen e kandidatëve për presidentë në së paku 3 debate parazgjedhore përballë njëri-tjetrit, duke ndikuar kështu shpesh edhe në vetë rezultatet zgjedhore, varësisht nga performanca e treguar në skenë.

Ka edhe mjaft shtete të tjera të botës të cilat e kanë normëzuar ballafaqimin obligues të kandidatëve për poste të larta shtetërore në debate të drejtpërdrejta me njëri-tjetrin, nëpërmjet të mekanizmave të ndryshëm. Ka shtete që këtë e kanë bërë edhe obligim nga komisionet e tyre zgjedhore, ka të tjera në të cilat organizata të specializuara joqeveritare kanë marrë përsipër organizimin e debateve, ka edhe nga ato të cilat e kanë ndjekur shembullin amerikan të formimit të komisioneve të veçanta.

Qëllimi gjithmonë ka qenë i njëjtë. Sa më shumë që votuesit shohin ballafaqim të kandidatëve dhe jo domosdo vetëm intervista, ose fjalime të kandidatëve në fushata zgjedhore – aq më e madhe demokracia. 

SË KËNDEJMI, edhe në Kosovë do të duhej të ketë iniciativa serioze që të sigurohen ballafaqimet e kandidatëve në studio televizive gjatë fushatave zgjedhore. Kjo mund të bëhet e obligueshme dhe me norma të caktuara qartë, se kush mund të marrë pjesë, varësisht nga dakordimet paraprake të normuara. Ndoshta një përgjegjësi të këtillë do të mundë ta merrte përsipër edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, meqë aty janë shumica e përfaqësuesve të partive politike.

Nga ato që u thanë në Simpoziumin IV të Debateve Presidenciale (të organizuar nga NDI në javën e parë të prillit në Washington) në të gjitha shtetet ku janë zhvilluar debatet ballafaquese të kandidatëve për postet kryesore të shtetit, votuesit janë shprehur se kjo ka ndihmuar shumë në përcaktimin e votuesve për kandidatët. Si dhe për forcimin e llogaridhënies dhe demokracisë në përgjithësi në ato shtete.

Pse Kosova të mos e bëjë të njëjtën?!

adriatikk@kohavision.net 
Twitter: @adriatikk