OpEd

Gruaja nuk fuqizohet me mendësi odash

Zgjedhjet po afrohen e gjysma e votuesve janë gra. Le të mos i votojnë më pushtetet me mendësi odash që Kosovën e kanë bërë njërin nga pesë shtetet me papunësinë më të lartë të grave në botë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duket se nuk i vlerëson fort mendimet e këshillat e grave. Kabineti i tij i ngjan odës. Të 11 këshilltarët që i ka janë burra. Shefi i odës së tij po ashtu është burrë. Për Thaçin duket se gratë mund të jenë vetëm asistente administrative të mira. Tri sosh kujdesen për dokumentet dhe mbarëvajtjen e punëve brenda odës presidenciale.

Paraardhësja e tij ishte grua. Sado jodemokratike ishte mënyra se si erdhi në krye të shtetit Atifete Jahjaga, Kosova krenohej që u bë vendi i parë në rajon me një grua presidente. Në kabinetin e Jahjagës veç burrave kishte edhe gra këshilltare. Madje kishte edhe një truproje femër. Gjatë mandatit të saj Jahjaga nuk u shqua për ndonjë arritje politike. Ajo s’mundi të dëshmohej presidente unifikuese, sepse nuk kishte prapa mbështetje partiake. Por, Jahjaga arriti të shpinte para disa agjenda sensibilizuese për avancimin e të drejtave të grave.

Edhe mënyra se si Thaçi u zgjodh president ishte jodemokratike. Me gjithë mbështetjen partiake, as Thaçi nuk po arrin të bëhet president unifikues. Angazhim në avancimin e të drejtave të gjysmës së qytetarëve të vet nuk mund të pritet nga një president që injoron fuqinë e mendjes së grave dhe që ka dëshmuar se me logjikën e odës dhe të Kanunit provon t’i zgjidhë edhe çështjet e veta personale në vend se t’ia lërë drejtësisë dhe ligjit.

Odës së burrave i ngjason edhe kabineti i kryeministrit Isa Mustafa. Në odën ku diskutohen problemet dhe çështjet më të rëndësishme të shtetit janë vetëm katër gra ministre. Një grua kujdeset që t’ia organizojë agjendat. Mustafa disa herë ka fyer gratë nëpërmjet statuseve të tij në Facebook.

Me më shumë gra është e mbushur vetëm oda e kryeparlamentarit Kadri Veseli. Jo me vullnetin e tij apo të paraardhësve, por me imponimin e kuotës së 30- përqindëshit. Por, Veseli si kryetar i odës kujdeset që madje edhe me fjalë ofenduese t’i “disiplinojë” gratë që guxojnë t’ia kthejnë fjalën. Me zgjedhjet e reja në horizont, Veseli po kujdeset tash ta përmirësojë gabimin që e bëri me gratë. Ka filluar të xhirojë “videospote” promovuese për veten i rrethuar nga gra me hobi e profesione të guximshme.

***

Diskriminim gjinor do të thotë diskriminim bazuar në gjininë e personit, e që kryesisht ndikon te vajzat dhe gratë. Për shkak të diskriminimit gjinor vajzat dhe gratë nuk i kanë mundësitë e njëjta sikurse djemtë dhe burrat në arsimim, karrierë të suksesshme, ndikim politik apo avancim ekonomik.

Me gjithë aprovimin e ligjeve të avancuara që sigurojnë të drejta të barabarta për të gjitha shtresat shoqërore, praktika kosovare dëshmon se gratë dhe vajzat e Kosovës vazhdojnë të diskriminohen në të gjitha aspektet. Kjo do të thotë se 50- përqindëshi i popullatës (burrat) e shikojnë 50-përqindëshin tjetër (gratë) sikur qenie që u mungojnë kualitetet për të qenë partnerë të barabartë në përpjekjet e përbashkëta për zhvillim.

Diskriminimi gjinor i grave dhe vajzave kosovare vërehet sidomos në të drejtën për punësim.

Hulumtimet e organizatave joqeveritare japin shifra alarmante të papunësisë tek gratë. Sipas tyre, plot 81 për qind e grave të moshës së punës janë joaktive, domethënë 474 mijë gra kosovare të moshës së punës rrinë në shtëpi.

Dhe çfarë bëjnë në shtëpi gratë e papuna përveç “punëve rraskapitëse dhe pa pagesë” të gatimit, pastrimit, përkujdesjes për burrin, për fëmijët apo të moshuarit?

Në moshën kur me punën e tyre mund të kontribuojnë për përmirësimin në radhë të parë të mirëqenies së vet dhe të familjes, e pastaj të gjithë shoqërisë, këto qindra mijëra gra e mbysin kohën e lirë duke shikuar telenovela, duke komentuar apo hulumtuar gjëra të kota nëpër rrjete sociale, apo në ndeja të pakuptimta me valle e muzikë tallava. Të rrallat lexojnë libra.

Gazeta pati shkruar më herët për një grup në Facebook që ka të anëtarësuara rreth 22 mijë gra shtëpiake. Mënyra e komunikimit dhe çështjet për të cilat diskutojnë gratë aty dëshmon jo vetëm nivelin e ulët të shkollimit, por edhe ngecjen e tyre intelektuale dhe riciklimin e mentalitetit shekullor të dorëzimit ndaj fatit.

Sociologët numërojnë një mori arsyesh socio-kulturore që e kanë sjellë dhe e mbajnë në një gjendje të tillë gruan kosovare: mentaliteti patriarkal i kontrollit dhe sundimit të vazhdueshëm të burrave ndaj grave, paragjykimi se sigurimi financiar i familjes është barrë në radhë të parë e burrit, mospërkrahja e grave në realizimin e ambicieve profesionale, mungesa e vullnetit të burrave për të marrë mbi vete obligimet dhe përkujdesjen ndaj fëmijëve dhe punëve të shtëpisë etj.

Edhe ajo përqindje e ulët e grave që kanë përkrahjen e familjes dhe arrijnë të sigurojnë një vend pune përballen me shumë pengesa e paragjykime shoqërore.

Të punësuarat në sektorin privat nuk i kanë të sigurta vendet e punës për shkak se shumica e punëdhënësve nuk e përfillin Ligjin e punës që u garanton grave zbatim të kushteve të kontratës apo kthim në vendin e punës edhe pas pushimit të lehonisë. Edhe ky është një faktor që dekurajon gratë të angazhohen më shumë në kërkim të një vendi pune.

***

Kur kishte prezantuar kabinetin e tij kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, ishte pyetur nga mediat pse ka vendosur të ketë një kabinet qeveritar të balancuar në aspektin gjinor (kabineti i Trudeaut është 50 për qind gra, 50 për qind burra). Ai ishte përgjigjur thjesht: “Sepse është viti 2015”.

Trudeu mendon se t’u japësh grave mundësi të barabarta me burrat nuk është vetëm një e drejtë – por është edhe mençuri ekonomike.

Kryeministri feminist Trudeau konsideron se nuk mjafton vetëm që të flasësh për fuqizimin e gruas. “Nuk mund të flasim për fuqizimin e gruas pa folur me njerëzit që padrejtësisht kanë ende më shumë fuqi: burrat”, ka thënë Trudeau. “Burrat duhet të jenë pjesë e zgjidhjes”.

Mentaliteti i odave nuk do t’i bëjë kurrë burrat që udhëheqin institucionet më të larta të Kosovës të bëhen pjesë e zgjidhjes së problemit të pabarazisë gjinore.

Edhe në shoqëritë më demokratike grave u duhet të luftojnë më shumë se burrat për avancimin e statusit të tyre në shoqëri.

Gratë kosovare nuk duhet të presin që në një të ardhme të afërt të dalë një Trudeau kosovar, i cili do të angazhohej sinqerisht për fuqizimin e tyre.

Ato duhet të angazhohen vetë që t’i shfrytëzojnë të drejtat që u takojnë me ligj, të bëhen më ndërmarrëse dhe të luftojnë mendësinë patriarkale që nuk u beson atyre punë të tjera pos atyre të shtëpisë. Gratë e kanë edhe një mundësi për t’iu kundërvënë kësaj mendësie. Zgjedhjet po afrohen e gjysmën e votuesve e bëjnë ato. Le të mos i votojnë më pushtetet me mendësi odash që Kosovën e kanë bërë njërin nga pesë shtetet me papunësinë më të lartë të grave në botë.

valbona@koha.net