Sport

Evertoni liron Tarashajn

Foto: Reuters

Sulmuesi kosovar, Shani Tarashaj, është larguar përfundimisht nga klubi anglez, Everton, pak pasi një huazim dyvjeçar tek Emmeni mori fund para kohe.

Klubi holandez njoftoi se i ka dhënë fund huazimit të lojtarit, ndërsa pak më vonë mediat angleze kanë njoftuar se lojtari është liruar edhe nga klubi që posedon kartonin e tij, Evertoni.

Evertoni e kishte transferuar Tarashajn nga Grasshopper Zurichu në janar të vitit 2016 për rreth tre milionë funte, por sulmuesi kishte dështuar të arrinte të futej në ekipin e parë.

Menjëherë ishte kthyer te Grasshoppersi në huazim për pjesën e mbetur të sezonit 2015-16. Realizoi 12 gola në 35 ndeshje dhe për sezonin 2016-2017 u huazua tek Eintracht Frankfurti ku realizoi vetëm një gol në 15 paraqitje. Kjo bëri që të rikthehej në huazim te Grasshoppersi, para një kalimi tek Emmeni.

Klubi nga Liverpooli e kishte huazuar vitin e shkuar për dy vjet tek Emmeni, edhe pse lojtari kishte vetëm një vit në kontratë. Anglezët ia shtuan edhe 12 muaj në kontratë vetëm që holandezët t’ia paguanin pagën. Megjithatë klubi holandez njoftoi në mes dy sezonesh se s’do ta vazhdojë bashkëpunimin me 25-vjeçarin. Kjo bëri që ish-reprezentuesi i Zvicrës të kthehej para kohe.

Por ky kthim ishte shumë i shkurtër. Tani lojtari është liruar edhe nga Evertoni, një vit para skadimit të kontratës.

Largohet nga Evertoni pa pasur asnjë paraqitje në Premier Ligë.