Sport

Atalanta në karantinë pas pesë rasteve me koronavirus te klubi spanjoll Valencia

Foto: Reuters

Lojtarët dhe stafi i klubit italian Atalanta janë futur në karantinë, pasi është konfirmuar se pesë anëtarë të klubit spanjoll Valencia kanë rezultuar me koronavirus.

Atalanta, ku luan mbrojtësi i Shqipërisë, Berat Gjimshiti, ishte paraparë t’i kthehej stërvitjeve javën e ardhshme, por planet kanë ndryshuar pasi është njoftuar se tre lojtarë të Valencias dhe dy anëtarë të stafit janë testuar pozitiv me COVID-19.

Lojtarët e testuar pozitiv raportohet se janë Ezequiel Garay, Eliaquim Mangala dhe Jose Gaya. Gaya ishte prezent në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales të Ligës së kampionëve që Valencia e luajti në shtëpi ndaj Atalantas më 10 mars.

Ndonëse në rajonin që është goditur më së rëndi në Itali, në Lombardi, klubi i Atalantas deri më tash nuk ka pasur raste të konfirmuara me koronavirus.

Njëmbëdhjetë lojtarë të Serie A kanë testuar pozitiv deri më tash, shtatë të Sampdorias, tre të Fiorentinas dhe një të Juventusit.