Sport

Lojtarët e klubit brazilian futen me maska në fushë në shenjë proteste

Foto: Reuters

Lojtarët e klubit brazilian të futbollit Gremio janë futur në fushë të dielën me maska në shenjë proteste se është dashur të luajnë ndeshje futbolli ndërsa frika nga përhapja e koronavirusit po mbizotëron në shtetin e Amerikës së Jugut, bën të ditur agjencia Reuters të dielën, transmeton Koha.net.

Lojtarët, të drejtuar nga trajneri Renato Portaluppi, janë futur në fushën për të luajtur me Sao Luizin të rreshtuar me maska të vendosura.

“Kjo protestë nga lojtarët për t’u futur në fushë me maska është për të treguar se duam pezullimin e kampionatit. Jeta duhet të jetë prioritet”, ka thënë drejtori i futbollit i Gremios, Paulo Luz.

Tifozët nuk janë lejuar në fushën e Gremios për ndeshjen kampionale.

Trajneri i Flamengos, Jorge Jesus po ashtu ka bërë thirrje që të ndalet kampionati, duke thënë se lojtarët duhet të mbrohen, pasi janë vetëm njerëz edhe ata.

Në Argjentinë, River Plate ka refuzuar të luajë ndeshjen e Superligës me Atletico Tucumanin të shtunën. Klubi nga Buenos Aires ka mbyllur stadiumin, duke lënë referët dhe klubin e Atleticos jashtë fushës.