Lifestyle

Koronavirusi: Pse prekim fytyrën dhe si të ndalim këtë veprim

Shumë mjekë në botë kanë këshilluar njerëzit që të shmangin prekjen e fytyrës si preventivë për shpërndarjen e koronavirusit. Kjo kërkesë është e shpeshtë, por sa respektohet nga njerëzit?

Psikologia Natasha Tiwari ka thënë për BBC-në se një veprim i tillë është pjesë e ADN-së së njeriut dhe se prekje e fytyrës nis që në barkun e nënës.

“Sa herë që i thoni vetes: ‘Mos e prek fytyrën, ndalu. Nëse do të prek fytyrën, do të sëmurem’ ju po i thoni vetes diçka që është krejt e panatyrshme për ju”, ka thënë ajo.

“Kur ne prekim fytyrën tonë ajo që bëjmë është se po e qetësojmë veten. Kur prekim pjesë të caktuara të fytyrës, ajo që bëjmë është se po aktivizojmë pika të caktuara presioni që më pas aktivizojnë diçka që quhet sistemi nervor i qetësimit, e që na bën të qetësohemi brenda”, ka thënë tutje ajo, transmeton Koha.net.

Sipas saj, ironia është se në një kohë kur më e rëndësishme se gjithçka është të mos preket fytyra, mendja njerëzve u shkon në një vend ku mund të mbrohet më mirë njeriu duke bërë gjërat që e qetësojnë atë. “Andaj pa vetëdije ju nisni t’i dërgoni duart te fytyra juaj”, ka shtuar psikologia.

Por si të shmanget prekja e fytyrës?

“Përderisa është thuajse e pamundshme të ndalësh së prekuri fytyrën tuaj, një mënyrë që ta bëni më të lehtë është që të zhdukni shprehitë që iu bëjnë të veproni ashtu. Kjo nënkupton për shembull të bartni syze në vend të lenteve. Po ashtu të vini më pak grim ashtu që të mos keni nevojë ta mbuloni më gjatë ditës. Po ashtu nënkupton që të krijoni shprehi se si të përdorni duart, ashtu që në vend se gjithmonë të lëvizni shumë duart dhe të bëni të lehtë kontaktin me fytyrën, të bëni përpjekje që të lidhni duart dhe t’i mbani në prehër, ashtu që kur të vijë nevoja që të prekni fytyrën tuaj me duar, ju do të jeni më të vetëdijshëm se çfarë po bëni dhe do të jeni më të shpejtë për të ndalur veten”, ka shpjeguar Tiwari.