Kulturë

“Euro Kosova Art” si mozaik veprash e përvojash artistike

Jeff Roland nga Franca është pozicionuar nga mesi i sallës. Tavolinën e ka të mbushur plot e prapa ka mbi dhjetë piktura formash të vogla. Por, për të shkuar deri te tavolina ku punon artisti francez, duhet të kalohen disa tavolina të mbushura me punime të cilat marrin formë.

Jeff i ka duart vazhdimisht në lëvizje, saqë brushën e mban shtrënguar mes buzëve. Personazhet në pikturat e tij janë gjithnjë në interaksion me njëri-tjetrin, e kanë goxha kolorit. Që në shikim të parë lë përshtypjen se piktorit Roland i pëlqen të eksperimentojë me teknika. Madje, në tavolinë bien në sy disa revista të cilat i bën pjesë të punës së tij për të krijuar kolazhe. Këmbëngul që teksti të jetë pjesë e punimeve të tij artistike. Ai është në mesin e mbi dhjetë artistëve që kanë ardhur nga rajoni e vende të Evropës për t’u bërë pjesë e festivalit ndërkombëtar “Euro Kosova Art” që po mbahet në Harilaq të Fushë-Kosovës. Ky festival, që ka tubuar artistë vendorë e të huaj, sivjet shënon edicionin e nëntë.

Artisti nga Franca, Jeff Roland, ka ardhur për herë të parë në Kosovë. Nëpërmjet kolazheve të tij ai tenton ta prekë botën fëmijërore të secilit njeri.

“Unë punoj me teknika të ndryshme dhe këtu jam duke e realizuar një kolazh. Dëshiroj gjithmonë që në punimet e mia të përfshihet edhe teksti, edhe letra. Zakonisht punoj në dru, që është më i rrafshët, ndërsa këtu në pëlhurë po mundohem ta mbush edhe me imazhe që i marr nga revistat e ndryshme. Siç e shoh unë, në proces krijues e ndjek intuitën. Nuk mundohem ta parashikoj shumë se si do të duket piktura, por mundohem ta krijoj veprën me personazhe që e zgjojnë fëmijën brenda nesh. Ashtu që njerëzit ta shohin veten përsëri si fëmijë, ta lirojnë veten nga gjërat negative dhe kritikat”, ka thënë piktori Jeff Roland.

Organizmi “Euro Kosova Art” ka mbledhur artistë me bagazh dhe profile të ndryshme artistike. Artistët nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Turqia, Bullgaria e Franca e kanë vlerësuar këtë periudhë të krijimit bashkë si shumë të dobishme për të shkëmbyer ide dhe për të qenë më pranë procesit krijues të njëri-tjetrit.

Piktori francez, Jeff Roland, derisa krijon në tavolinën e tij, përballë ka piktorin nga Shqipëria, Mikel Temo, që i ka dhënë formë portretit të Rolandit.