Kulturë

“Brick” zbulon talentet e reja në muzikë

Të rinj nga Kaçaniku e kanë finalizuar me koncert punën disamuajshe, në kuadër të projektit “BRICK”.

Nxënësit e gjimnazit “Skënderbeu” dhe ata të shkollës profesionale “Feriz Guri dhe Vëllezërit Çaka”, janë bërë bashkë në performancën e fundit muzikore të Klubit të Muzikës, drejtuar nga kompozitori, Edon Ramadani.

Programi i koncertit përmbajti këngë të njohura shqipe që u kënduan dhe u shoqëruan nga instrumentistët e rinj kaçanikas.

Sipas koordinatorëve, qëllimi kryesor i këtij aktiviteti të realizuar në kuadër të “BRICK”-ut, ishte që nxënësve të të dyja shkollave t’u jepej mundësia për ta shprehur talentin e tyre në muzikë.

Profesoresha e muzikës, Adelina Haxhani, e cila ka punuar disa muaj me nxënësit e këtyre dy shkollave, thotë se është befasuar me talentin e tyre, raporton Express i KTV-së.

Për të rinjtë që ishin pjesë e këtij koncerti, përkrahja që morën nga projekti “BRICK”, mbetet shtysë për ta vazhduar angazhimin e tyre në muzikë edhe në të ardhmen.

Ky koncert është realizuar në kuadër të programit “BRICK”, të themeluar dhe të zbatuar nga CDF-ja, në partneritet me organizatën joqeveritare INTEGRA.