Kulturë

Ai Weiwei me art denoncon dhunën e shtetit meksikan

Descriptive Text

Artisti kinez, Ai Weiwei, ka prezantuar një instalacion të ri në Meksikë, që tregon historinë e 43 studentëve që pesë vjet më parë me gjasë janë masakruar duke nxjerrë në pah heshtjen e organeve të shtetit dhe përzierjen e saj në abuzime të tilla, e që është temë e shpeshtë me të cilën merret artisti disident.

Instalacioni përmban portrete të mëdha të studentëve të bëra nga një milion lego shumëngjyrëshe e qëndrojnë pezull në hapësirën ekspozuese, që ngjan me shpellë. Imazhet prekin ndërgjegjen meksikane, duke pikëlluar anëtarët e familjeve të cilët shpesh kanë bartur imazhet e tyre në protestat që kërkonin përgjigje për zhdukjen e bijve të tyre.

Me titull “Rivendosja e kujtimeve”, vepra gjithashtu sjell një rrëfim kohor prej vitit 2014 kur edhe u bë rrëmbimi i mësimdhënësve stazhierë, që të gjithë meshkuj në “Rural Teachers College” në jug të Meksikës dhe hetimi i Qeverisë për këtë çështje është përçmuar krejtësisht.

“Pse duhet ta bëjmë këtë? Për shkak se çdo krim krijon një vakuum dhe e helmon shoqërinë”, ka thënë artisti para gazetarëve në një konferencë për media.

I njohur për kritikat e tij ndaj ngufatjes së shprehjes së lirë drejtuar Kinës komuniste, artisti ka thënë se projekti i tij i fundit ishte i frymëzuar pjesërisht nga refuzimi i Qeverisë kineze për të shpjeguar gabimet e saj pas një tërmeti masiv të vitit 2008 në Sichuan, në të cilin mijëra nxënës vdiqën në shkollat e ndërtuara nga Qeveria.

“Kjo më kujtonte meksikanët që humbën fëmijët e tyre”, ka thënë ai, përderisa ka kujtuar se si u kërcënua pasi kërkonte përgjegjësi pas tragjedisë.

Një hetim fillestar i Qeverisë meksikane zbuloi se studentët u rrëmbyen nga Policia e korruptuar, që i dorëzuan në një bandë lokale të drogës. Banda pastaj i vrau ata për arsye që mbeten të paqarta dhe i dogji trupat e tyre në një depo, duke hedhur hirin në një lumë të afërt, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Por situata është përcjellë nga akuzat për torturë dhe përfshirjen e mundshme të ushtarëve. Deri më sot, vetëm mbetjet e një studenti janë identifikuar.

Artisti, i cili ishte ndaluar nga Qeveria kineze në vitin 2011 dhe aktualisht jeton në Berlin, mbikëqyri krijimin e portreteve me lego nga studentët e Universitetit Kombëtar Autonom të Meksikës.

Vitin e kaluar, Ai akuzoi “Legon” për refuzimin e shitjes së drejtpërdrejtë të “tullave” prej plastike për t’i shfrytëzuar ato për vepra.

Kompania daneze kishte thënë se politikat e saj janë projektuar për ta mbajtur atë jashtë politikës, por më vonë e ndryshoi qëndrimin e saj përballë një reagimi publik.

“Rivendosja e kujtimeve”, që vjen bashkë me instalacionin e mëhershëm të këtij artisti, “Wang Family Ancestral Hall”, është hapur të shtunën në Mexico City dhe do të qëndrojë në dispozicion të publikut deri në tetor.