EXPRESS

“Bukuroshja e Fjetur” me urë e galeri të re

Rreth 11 kilometra larg qytetit të Pejës, aty ku buron Drini i Bardhë e ujëvara madhështore zbukuron edhe më vargmalet e Bjeshkëve të Nemuna, “Bukuroshja e Fjetur” e Radacit ruan në vete hijeshitë natyrore që janë krijuar bashkë me njerëzimin.

Në mbi 3 mijë metra gjatësi, përgjatë Shpellës së Radacit qëndrojnë tunelet, galeritë dhe korridoret të cilat janë gdhendur nga natyra, e janë bërë të qasshme nga dora e njeriut. Shkas për ndërtimin e një ure të re në këtë shpellë është bërë projekti për zhvillim dhe promovim të turizmit në Pejë, i cili implementohet nga CDF-ja, raporton KOHA.

Rreth 250 metrave të qasshme për vizitorë tani i është shtuar edhe një galeri.

E hapur për vizita që nga viti 2016, “Bukuroshja e Fjetur” e Pejës vazhdon të hulumtohet edhe sot, ndërsa në anën tjetër të qytetit jeta u është rikthyer shpellave të Grykës së Rugovës.

Ndryshe nga ajo e Radacit, shpellat e kësaj gryke gjenden në qindra metra lartësi dhe, në kohë të ndryshme e për arsye të ndryshme, janë krijuar nga njeriu.

Rruga që dërgon te këto shpella është e hekurt, e ashtu edhe quhet. Shkëmbinjtë, shkallët prej çeliku dhe litarët, janë mënyra e vetme për t’i vizituar bukuritë e kësaj ane të maleve të Rugovës, ku janë bashkuar alpinizmi dhe aventura për t’ia shtuar qytetit të Pejës edhe një produkt tjetër turistik, “Via Ferrata Shpellat”.

Ky produkt i ri turistik, ashtu si ura e Shpellës së Radacit, është zhvilluar si pjesë e projektit “Përmirësimi i Turizmit në Natyrë përgjatë Shtegut të Via Dinarikës”, që është përkrahur edhe nga Komuna e Pejës dhe ëshë vetëm një nga bashkëpunimet e shumta të kësaj komune me CDF-në.

Turizmi i aventurës është një nga llojet më me potencial të turizmit në Kosovë. Bukuria e duarshtrëngimeve mijëravjeçare të stalaktiteve dhe stalagmiteve, korridoreve të gërshetuara të Shpellës së Radacit e majat gati një mijë metra të larta të Grykës së Rugovës, tani janë të qasshme e të lehta për t’u vizituar.