Botë

"Pandemia po nxjerr në pah anën më të ligë të njerëzimit"

Foto: Reuters

Një grua në një supermarket në Australi dyshohet se ia nxori thikën një burri pas përplasjes për një pako letre higjienike. Një student nga Singapori me etni kineze rrihet në rrugët e Londrës dhe lihet me fraktura në fytyrë. Protestuesit në ishullin Reunion në Oqeanin Indian, mirëpresin pasagjerët e tragetit me hedhje gurësh.

Koronavirusi rrezikon të nxjerrë në pah anën më të ligë të njerëzimit, vlerëson televizioni amerikan CNN në një analizë të gjatë sjelljeve të njerëzve të mbërthyer nga paniku, sherri i pandemisë.

Nuk ka rëndësi se në Australi ka furnizim të mjaftueshëm me letër higjienike, se Singapori nuk ka lidhje me virusin dhe se asnjë pasagjer që zbarkoi nga trageti i Reunionit nuk ishte i infektuar.

Mendësia “secili për vete”

Incidentet irracionale dhe egoiste, si këto, janë mbase përjashtim, jo rregull, por mendësia secili për vete – ose secili për familjen, ose secili për vendin e vet – duket të jetë në ngritje, duke vënë në dyshim aftësinë e botës për t’u bashkuar dhe ngadalësuar përhapjen e koronavirusit, vlerësohet në analizë, transmeton KOHA.

Liderët e shteteve të prekura po kanë telashe që të vënë situatën nën kontroll. Ata po zbatojnë masa drastike kufizuese në vendet e tyre, po derdhen fonde në ekonomi, dhe po u premtojnë sistemeve të veta shëndetësisë se disi do të gjejnë shtretër, mjekë dhe infermierë shtesë, që padyshim se iu duhen domosdoshmërisht.

Megjithatë, duket se ka pak koordinim ndërmjet shteteve për të adresuar atë çfarë për nga natyra është sfidë globale.

Në krejt botën ka mungesë të madhe maskash, megjithëse njerëzit që nuk kanë nevojë për to, janë vërsulur për t’i siguruar. Shtetet e Bashkuara po krijojnë stoqe maskash, përderisa Koreja Jugore, Gjermania dhe Rusia, në mesin e shumë shteteve, kanë ndaluar eksportimin e tyre, që të sigurohen se qytetarët e tyre do të kenë mjaftueshëm.

India, që prodhon njëzetë për qind të ilaçeve të botës, ka ndaluar eksportimin e shumë ilaçeve. Po, është e pamundshme që të sigurohen ingredientë të mjaftueshëm nga Kina dhe nuk mund të plotësojë kërkesat e zakonshme, por edhe ajo ka ndarë mendjen që t’i mbajë për indianët.

Populistët drejtojnë gishtin

Kjo pandemi tashmë ka marrë jetën e më shumë se pesë mijë njerëzve, ka infektuar më shumë se 150 mijë njerëz dhe ka prekur çdo kontinent, hiq Antarktikun, derisa po kalon kufijtë gjeografikë që janë mbyllur politikisht.

Liderët evropianë janë takuar disa herë dhe vetëm të martën ia dolën më në fund të dilnin me disa veprime të koordinuara. Së pari u mendua për stimulimin ekonomik, e vetëm pastaj për nevojën e domosdoshme për të ngadalësuar përhapjen e virusit në rajon.

Ka shumë dyshime serioze se këto mjete të zakonshme ekonomike do ta bëjnë të veten. Gjatë një krize shëndetësore, injektimi i parave nuk është e thënë doemos të shtyjë njerëzit të shpenzojnë më shumë para. Konsumatorët udhëtojnë e blejnë më pak, dhe sa për prodhimtarinë, fabrikat dhe bizneset po mbyllen në vendet si Kina, Japonia, Koreja Jugore dhe Italia.

Italia, vendi më i prekur pas Kinës, është ankuar se BE-ja ka qenë shumë e ngadalshme për ta ndihmuar, në kohën kur i duheshin më shumë masak kirurgjike dhe ventilatorë për pacientët, që tani vijnë nga prodhimi i Kinës.

Pandemia, vlerëson CNN-ja në një analizë të gjatë të shumë aspekteve, ka ardhur në kohën kur po vihet në dyshim globalizmi, duke fuqizuar argumentet antiglobaliste dhe partitë populiste që kërkojnë izolim më të madh. Lideri i së djathtës ekstreme në Itali, Matteo Salvini, ka kërkuar së fundmi që vendi të mbyllë kufijtë. Ai qysh në shkurt kishte bërë thirrje nëpërmjet një video në Facebook që të mbylleshin kufijtë për shkak se “virusi po vjen”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar të mërkurën pandeminë si “virus të huaj”, duke fajësuar Evropën pse dështoi të reagonte më shpejt. Këto deklarata i bëri derisa po kumtonte lajmin për ndalimin e fluturimeve nga disa shtete të Evropës. Të shtunën, ndaloi edhe fluturimet nga Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda.