Botë

Zjarr në katedralen “Notre Dame” në Paris

Një zjarr i madh ka përfshirë katedralen Notre-Dame në qendër të Parisit të hënën në mesditë.

Nuk dihej fillimisht se çka shkaktoi zjarrin. Televizioni “France 2” raporton se policia po e trajton incidentin si një aksident.

Katedralja, që daton nga shekulli XII, vizitohet nga miliona turistë çdo vit, transmeton Koha.net.

Një ekip i madh i zjarrfikësve është në aksion për të ndalë zjarrin, ndërsa një hapësirë e madhe përreth është zbrazur nga njerëzit.

“Notre-Dame” ishte duke u renovuar.

Si pasojë e këtij zjarri, presidenti francez Emmanuel Macron ka anuluar planin për të mbajtur fjalim drejtuar kombit francez, ka njoftuar zyra presidenciale.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shkruar menjëherë në Twitter për këtë incident.

“E tmerrshme të shohësh zjarrin masiv në katedralen Notre Dame në Paris. Ndoshta duhet përdorur ujin nga ajri për t’i ndalur. Duhet të veprohet shpejt”, ka shkruar ai.

Gjermania i ka dhënë mbështetjen e saj Francës pas zjarrit të madh që po shkatërron sot katedralen Notre Dam në Paris, simbol i Francës.

“Këto imazhe të tmerrshme të Notre Dam në zjarr të trishtojnë. Notre Dam është një simbol i Francës dhe kulturës tonë evropiane. Ne jemi në mendime me miqtë francezë”, ka shkruar në “Twitter” zëdhënësi i kancelares Angela Merkel, Steffen Seibert.

{gallery}