Dirigjenti fenomen dhe ylli i pianos hapin “DAM Festin”

Publikuar: 28.03.2011 - 11:22

Prishtinë, 28 mars - Ai u ngjit në skenë menjëherë pas paralajmërimit se festivali ishte hapur zyrtarisht. Alexander Prior, dirigjentit 18- vjeçar, i cilësuar si një nga fenomenet e muzikës klasike, i takoi të jetë protagonist i mbrëmjes së parë koncertale të Festivalit Ndërkombëtar të Muziktarëve të Rinj, “DAM Fest”. Edicioni i gjashtë i këtij festivali u hap të dielën mbrëma në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, me koncertin e Filarmonisë - Opera e Kosovës. Orkestra e kësaj filarmonie, për rreth dy orë pranoi “urdhrat” e Priorit. Uvertura nga opera “Der Freischütz” e kompozitorit Weber, ishte përzgjedhur të interpretohej e para. Pjesa e dytë e koncertit ishte rezervuar për pianisten kineze Wu Qian, e cila mban epitetin e yllit të muzikës klasike për vitin 2007, sipas vlerësimit të së përditshmes britanike, “The Independent”. E shoqëruar nga orkestra e institucionit më të lart të muzikës serioze në vend, Qian “jetësoi” për publikun kosovar, simfoninë e pestë për piano dhe orkestër të Ludvig Van Bethovenit. Falë performancës së saj, Qian u detyrua të kthehej dy herë në skenë për të pranuar duartrokitjet e publikut të mbledhur në sallë. Koncerti i cili do t’u prijë mbrëmjeve të tjera muzikore që do të mbahen në kuadër të “DAM Festit”, u finalizua me interpretimin e simfonisë numër pesë të Dmitri Shostakovichit.
Në një konferencë të mbajtur për media në mesditë, organizatorë dhe pjesëmarrës të “DAM Festit”, kanë dhënë detaje të përgjithshme lidhur me koncertet e edicionit të sivjetmë.
Drejtori i Filarmonisë – Opera e Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se institucioni që ai drejton për të tretën herë me radhë ka bashkëpunuar me Festivalin Ndërkombëtar të Muziktarëve të Rinj. 
“Është koncert i veçantë, para së gjithash, sepse Filarmonisë i janë bashkuar dy interpretues të mrekullueshëm nga bota”, ka thënë Jashari.
Ai ka çmuar faktin se Alexander Prior ka pranuar të jepte “urdhra” për Orkestrën e Filarmonisë së Kosovës.
“Është dirigjenti i ri i cili është shndërruar në atraksion për çdo orkestër. Duke ditur që ky dirigjent ka bashkëpunuar me orkestra të mëdha, kemi hyrë me një program shumë interesant të një niveli tjetër tekniko – interpretativ”, ka thënë Jashari.
Pianistja kineze Wu Qian, e cila ka qenë pjesë e koncertit që ka hapur festivalin, është shprehur e kënaqur që ka pasur rastin të performonte në Kosovë.
“Këtë vepër të Bethovenit e kam luajtur së fundi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por është hera ime e parë që kam ardhur këtu dhe jam e lumtur që jam pjesë e këtij festivali”, ka thënë Qian.
Dirigjenti Alexander Prior ka shpalosur përshtypje pozitive për njerëzit dhe muzikantët kosovarë.
 “Ata janë shumë të hapur dhe të ngrohtë. Ndërsa instrumentistët me të cilët kam bashkëpunuar kanë dëshirë për të mësuar dhe kanë marrëdhënie të ngrohtë me dirigjentin, gjë që nuk ndodh shpesh”, ka thënë Prior. “Përgjithësisht ka qenë përvojë shumë e mirë”.
Yllka Rexhepi, njëra nga organizatoret e “DAM Festit”, ka thënë se edicioni i sivjetmë i festivalit shtrihet në tetë mbrëmje muzikore. “Kemi nderin dhe privilegjin që në tetë koncerte të kemi emra të mëdhenj të skenës muzikore”, ka thënë Rexhepi.
Festivali Ndërkombëtar i Muzikatrëve të Rinj “DAM Fest” do të zgjasë deri më 9 prill.
Ndërkaq sonte (e hënë) do të mbajë koncert pianisti italian Maurizio Mastrini, i njohur për interpretimin e veprave nga fundi në fillim.