Një marrëzi që nuk na duhej

Enver Robelli Enver Robelli
Publikuar: 27.04.2012 - 22:24

Nuk duhet të jesh patjetër jurist për të kuptuar se Kodi i ri Penal i Kosovës përdhunon lirinë e medieve. Kjo marrëzi vërtet nuk i duhej Kosovës, siç nuk i duhet këtij vendi as kjo kastë politikanësh që nuk mendojnë të ushtrojnë pushtet për zhvillimin e vendit, por duan të tregojnë muskujt e sundimtarëve të pashpirt. Nenet 37 dhe 38 të Kodit Penal të Kosovës, të votuar nga Kuvendi i Kosovës, paraqesin një sulm flagrant mbi lirinë e medieve, sepse janë të formuluara me gjuhë të paqartë juridike dhe lënë hapësirë për interpretime arbitrare. Është e kuptueshme që për miratimin e këtyre dy neneve kanë interes sidomos ata politikanë, të cilët mund të jenë cak i hulumtimeve të gazetarëve. Parlamenti i Kosovës nuk shkëlqen prej njerëzve me biografi të pastër politike dhe publike. Një pjesë e tyre janë objekt hetimesh edhe ndërkombëtare për delikte të ndryshme.

Nuk paraqet ndonjë befasi që partia në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës, e mbështeti këtë Kod Penal. Në radhët e saj ka politikanë e deputetë të zhytur thellë në krime. Në radhët e saj ka hardallë që nuk synojnë ndërtimin e demokracisë, por forcimin e autokracisë. Këtë nuk e thonë vetëm gazetarët, këtë e thonë edhe disa figura pak më racionale në radhët e PDK-së. Bizare është që për Kodin e tillë Penal votuan edhe deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila na paraqitet si parti e civile dhe që synon të vijë në pushtet dikur. Por me këtë mendësi totalitare ardhja në pushtet dikur shndërrohet në kurrë.

Prej kujt mund të presin ndihmë gazetarët e Kosovës? Nga presidentja Atifete Jahjaga? Mbetet të shihet, por performansa e saj e deritanishme nuk lë shumë vend për shpresë. A duhet të pritet ndihmë nga protektorët ndërkombëtarë? Zor. Disa prej tyre e kanë halë në sy lirinë e medieve, disa prej tyre nuk do të donin që shtypi të zbulonte koalicionin e tyre me manipulantë lokalë politikë. Përkundër kësaj situate të zymtë, gazetarët nuk duhet të lëshojnë pe dhe duhet të luftojnë me të gjitha mjetet legale për të kundërshtuar këtë batërdi juridike. Ndryshe, Kosova shkon drejt modelit sundues të Bjellorusisë. Shembuj pozitivë duhet të merren nga vendet evropiane, fundja të gjithë e kanë gojën plot integrime evropiane. Në vijim po sjellim disa shembuj mbi lirinë e shtypit dhe mbi mbrojtjen e burimeve të informacionit, të cilat janë jetike për funksionimin e demokracisë.



Neni 17 i Kushtetutës së Zvicrës



Liria e medieve

1. Liria e shtypit, radios dhe televizionit si dhe e formave të tjera të shpërndarjes publike radiofonike të paraqitjes dhe të informatave është e garantuar.

2. Cenzura është e ndaluar.

3. Sekreti i redaksisë është i garantuar.



Mbrojtja e burimit:

Në nëntor 2007, sipas revistës gjermane DER SPIEGEL, një gazetar holandez me sukses ngriti padi kundër arrestimit të tij pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strassburg. Gazetari ishte futur në burg, sepse nuk kishte pranuar të tregonte burimin e informacionit. Gjykatësit shpallën një vendim të qartë për mbrojtjen e burimit. Sipas gjykatësve, arrestimi i gazetarit është një “metodë radikale, e cila vetëm mund t’i frikësojë personat me informata të sakta mbi veprat penale, që njohuritë e tyre t’ia bëjnë të ditur shtypit”. Në rastin konkret bëhej fjalë për tregti me armë. Gazetari kishte shkruar për këtë rast pa treguar burimin dhe ishte arrestuar për shkak se nuk kishte pranuar të tregonte burimin. “Mbrojtja e burimit u përket parimeve bazë të lirisë së shtypit”, theksuan më 2007 gjykatësit në Strassburg. Sipas tyre, dëshira e Qeverisë së Holandës për të mësuar se kush ishte burimi nuk është motiv i mjaftueshëm për të arsyetuar shkeljen e mbrojtjes së burimit.



Këshilli Zviceran i Shtypit:

“Mbrojtja e burimit dhe e informacionit nuk është privilegj i punëtorëve medialë, por është në interesin e publikut, pasi që lehtëson rrjedhën e informacionit dhe kështu është mjet i rëndësishëm për diskutimin e temave me interes publik”.



Një shembull personal:

Para disa vitesh pata botuar në gazetën “Tages Anzeiger” një tekst mbi mënyrën e dhënies së vizave Schengen nga ana e Ambasadës së Greqisë në Bernë të Zvicrës. Shumë qytetarë nga Ballkani me banim në Zvicër ua dorëzonin pasaportën ndërmjetësuesve, të cilët me një grumbull pasaportash dhe me ryshfetin e marrë nga vizakërkuesit shkonin në Bernë, në Ambasadë, dhe i merrnin vizat. Ryshfeti ndahej me punëtorët e Ambasadës, sektori konsullor. Katër burime kishin konfirmuar këtë praktikë. Kur u botua teksti pasoi një protestë e sertë e Ambasadës së Greqisë në Bernë dhe e përfaqësisë diplomatike të këtij vendi në Gjenevë. Avokati i “Tages Anzeiger” atëbotë më kishte thënë: “Rast më të lehtë për të zgjidhur nuk kam pasur ndonjëherë”. I shkroi një letër të shkurtër Ambasadës së Greqisë, ku nënvizonte se gazetari nuk mund të obligohet, as të detyrohet t’i bëjë publike burimet. Me kaq mori fund ky muhabet. Praktika e dhënies së vizave me ryshfet u ndërpre menjëherë.



Kodi Penal i Zvicrës

Neni 28a

Mbrojtja e burimit

1. Nëse personat që profesionalisht merrem me publikimin e informatave në pjesën redaksionale të një mediumi që botohet periodikisht ose personat ndihmës refuzojnë të tregojnë identitetin e autorit ose përmbajtjen dhe burimin e informatave të tyre, atëherë kundër tyre NUK MUND të merren masa detyruese procesuale.



A është gjithçka e qartë tani?! Nëse jo, lirisht pushteti dhe opozita e tredhur e Kosovës mund t’ia ngrenë një përmendore presidentit bjellorus Aleksandër Lukashenko – vendi është gati: aty ku ishte përmendorja e Skënderbeut.



robelli@bluewin.ch


Aida30.04.2012/11:03

Respekt z. Robelli, jam lexuese e rregullt e shkrimeve te juaja, shkrime te cilat pasqyroje realitetin, mirpo ne kete rast per hir te korrektesis eshte dashte me e citu komplet nenin 28a te Kodit penal te Zvicres, perkatesisht paragrafin 2 te nenit 28a. perjashtimet