Heronjtë e heshtur

Enver Robelli Enver Robelli
Publikuar: 25.04.2012 - 21:38

Ata janë heronj të heshtur. Prej vitesh na sjellin (ose na kanë sjellë) në gjuhën shqipe vepra nga letërsitë e huaja, duke u bërë ura ndërmjet kulturave dhe duke nxitur kulturën e leximit kudo në viset shqiptare. Disa prej tyre si Ardian Klosi s’përtojnë të angazhohen me maturi edhe për kauza aq mosmirënjohëse në botën shqiptare, siç është mbrojtja e ambientit apo denoncimi i korrupsionit dhe krimit (në lidhje me këtë Klosi ka përgatitur edhe një libër mbi tragjedinë e Gërdecit, e shkaktuar jo nga natyra, por nga dora plaçkitëse e pushtetit). Të tjerët si Afrim Koçi kultivojnë një heshtje stoike, flasin vetëm përmes përkthimeve të tyre. Sërish të tjerë si Jusuf Gërvalla kujtohen vetëm me syze politike dhe harrohet se ai ishte shkrimtar, kritik letrar dhe përkthyes i shkëlqyer nga gjuhët jugosllave. Për të moshuarit si Vehap Shitën të rinjtë, gjeneratat e Facebook-ut dhe shpesh edhe të injorancës, as që kanë dëgjuar.

Së paku në Tiranë u kujtuan që me rastin e Ditës Botërore të Librit (23 Prill) të nderohet puna e vyer e Afrim Koçit, i cili sot njihet kryesisht si përkthyes nga gjermanishtja, por ai ka shqipëruar edhe nga gjuhë të tjera (rusishtja, italishtja, anglishtja). Një punë në heshtje që filloi para 40 vjetësh! Në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë që nga dje janë ekspozuar mbi 110 tituj të sjellë në shqip nga Koçi. “Biblioteka Kombëtare është vendi ku prej vitesh Afrim Koçi kryen ritualin e tij të përditshëm, që është disa orë punë ngulur në një nga tryezat e kreut në sallën shkencore. Kështu që homazhi i BK-së për një njeri që pa qenë punonjës i saj është efektiv shpirtëror i saj, merr një kuptim të veçantë”, shkroi këto ditë gazetarja Elsa Demo te “Shekulli”. Dy përkthime të Koçit në këto vitet e fundit duhet veçuar: kujtimet e Eqrem Bej Vlorës dhe romanin “Mali magjik” të Thomas Mann-it, shkrimtarit të aristokracisë gjermane. Kush i ka parë dhe lexuar kujtimet e Eqrem Bej Vlorës në gjermanisht dhe kush i ka lexuar sërish të përkthyera në gjuhën shqipe nga Afrim Koçi e ka zor të besojë se bëhet fjalë për përkthim – aq e pastër, aq e rrjedhshme, aq e pasur, aq e bukur është toskërishtja e Koçit saqë aty-këtu lexuesi mund të mendojë në mos Eqrem Bej Vlora, bonvivanti shqiptar me kulturë osmane dhe perëndimore, i ka shkruar kujtimet paralelisht në gjermanisht dhe në shqip. – Në kohën e komunizmit monstruoz enverhoxhian pjesa më e madhe e veprës së Thomas Mann-it ishte klasifikuar si dekadente, prandaj ishte e ndaluar të përkthehej. Tek pas rënies së sistemit diktatorial u bë i mundshëm edhe përkthimi i mega-romanit “Mali magjik”, shkrimi i të cilit autorit i kishte marrë hiç më pak se 11 vjet. Ai që e lexon këtë roman do të kridhet në dritëhijet e shoqërisë gjermane para Luftës së Parë Botërore. Kjo, assesi, nuk është begatia e vetme e kësaj vepre.



Kundër lukunisë – me punë!



Ardian Klosit, një përkthyesi tjetër, një kohë të gjatë i është veshur etiketa se kishte diçka kundër Kosovës, sepse menjëherë pas rënies së komunizmit e kishte kritikuar mënyrën e standardizimit të gjuhës shqipe në vitin 1972. Në këtë kuadër dukej grotesk edhe rreshtimi i disa kosovarëve në favor të gjuhës letrare të imponuar nga Enver Hoxha dhe gjuhëtari stalinist Androkli Kostallari. Duket se keqkuptimet janë tejkaluar ndërkohë, së fundi Klosi përmes një udhëpërshkrimi shprehu simpati për disa dallime cilësore mes Kosovës dhe Shqipërisë. Përtej kësaj edhe nga Prishtina duhet shënuar e vlerësuar punën e tij jo vetëm në përkthimin e dy librave të historianit Oliver Jens Schmitt (“Shqipëria venedikase” dhe “Skënderbeu”), por edhe të veprave letrare të autorëve si Bertolt Brecht, Georg Büchner, Friedrich Dürrenmatt, François Pouqueville etj. Në javët në vijim pritet që Klosi të përfundojë përkthimin e librit më të ri të Oliver Jens Schmitt-it “Shqiptarët – Një histori mes Orientit dhe Oksidentit”. Ende pa e lexuar librin në tërësi skribomanët shqiptarë kanë filluar ta etiketojnë si antishqiptar jo vetëm Schmitt-in, por edhe Klosin, sipas parullës primitive: nëse s’mund ta asgjësosh krejtësisht lajmin, atëherë së paku lajmësin përpiqu ta njollosësh me shpifje bizare. E vërteta është kjo: nuk ka asgjë antishqiptare në veprën e Schmitt-it, por – po! – ka qasje kritike ndaj shkrimit të historisë nga ana e stalinistëve shqiptarë në Tiranë e Prishtinë, të cilët ishin pjesë e legenit të pushtetit të diktatorit Enver Hoxha ose avokatë të devotshëm të idesë se shqiptarët e Kosovës duhet të identifikohen kudo vetëm me Jugosllavinë. Në kuadër të fushatës së egër Klosit ia terrorizojnë fëmijët në shkollë, sepse babai i tyre paskësh përkthyer biografinë “Skënderbeu” të Schmitt-it. Në kuadër të kësaj fushate duhet shikuar edhe vërsuljen prej lukunie nuhatëse të një pjese të medieve të Tiranë kundër Klosit, duke fantazuar se paskësh dashur të bëjë vetëvrasje. Vetëm një shoqëri thellësisht primitive, me gazetarucë dhe gazetaruce pa etikë, mund të prodhojë lajme të tilla goditëse kundër dinjitetit të njeriut. Nëse nuk pajtohemi si shoqëri se dinjiteti i njeriut është i paprekshëm, atëherë për çka të pajtohemi? Kundër kësaj lukunie Klosi – për fatin e lexuesve - ka zgjedhur heshtjen dhe punën! Kur nuk përkthen, ai boton të plotë veprën poetike të Ali Asllanit, i cili edhe sot është aktual sa i përket kritikës therëse ndaj mendësisë politike shqiptare, që lëviz mes bakshishit dhe kadaifit, mes bakllavasë dhe sherbetit.



Kërlezha në shqip



Së fundi shkrimtari Ismail Kadare tha se autori kroat Mirosllav Kërlezha meritonte “një bust, një statujë” në Tiranë për shkak se kishte denoncuar racizmin serb ndaj shqiptarëve. Po aq sa e meriton statujën në Tiranë Kërlezha do të duhej të kishte një rrugë me emrin e tij në Prishtinë. Në esenë “Mbi të vetmit flamuj të kohë sonë” Kërlezha shkruante në vitin 1924 kundër terrorit që ushtrohej mbi shqiptarët në Jugosllavinë e posathemeluar mbretërore. Falë përkthimit të Vehap Shitës në vitet 70-të lexuesit shqiptarë edhe sot kanë mundësi të njihen me këtë pjesë të krijimtarisë së autorit kroat. Kërlezha shkruante atëbotë: “U ngrit ushtria dhe i vrau me topa dyqind qytetarë të vet, për t’i treguar rajës shqiptare ad oculos, çka do të thotë e Drejta e Shpatës. (…) Ndodhi që prapë menjëherë, në mënyrë jashtëzakonisht të qartë, e ndjeva çka do të thoshte të jesh një nga dyqind Mustafa Abazët ose Adem Beqirët njëzetepesëvjeçarë dhe çka do të thoshte të biesh i pushkatuar një ditë me diell, si qytetar luajal nga mitralozi i shtetit tënd, vetëm nga mendjelehtësia e faktorit parlamentarisht të papërgjegjshëm, që krenohej se sundonte me Vullnetin e Perëndisë”. Një bust, një rrugë e meriton Kërlezha, por një grimë nderim nga kjo shoqëri e dezorientuar e ka merituar prej vitesh gjithsesi edhe Vehap Shita për punën e tij të vlefshme në fushën e përkthimeve nga gjuhët jugosllave. Dikur falë shtëpisë së famshme botuese “Rilindja” në Prishtinë janë përkthyer e botuar këto vepra të Miroslav Kërlezhës: “Novela” (1960, ribotim 1978), “Kthimi i Filip Latinoviqit” (roman, 1966), “Glembajët” (drama, 1974), “Ese” (1979). Sot opinioni në Kosovë dhe Shqipëri nuk ka as idenë më të vogël se çfarë botohet në Slloveni, në Kroaci, në Bosnjë, në Serbi. Dikur, falë përkthimeve të Vehap Shitës dhe shokëve të tij si Esad Mekuli, Tajar Hatipi, Adem Gajtani, Musa Ramadani, Hasan Mekuli etj. e dinim ç’shkruanin të tjerët për ne dhe për botën. Sot kultura e Kosovës është e izoluar, e pambështetur financiarisht, e kontrolluar nga politika dhe e dominuar kryesisht nga matrapazët në shërbim të tarafeve politike. Një kulturë e izoluar nuk ka asnjë potencë të matet në arenën ndërkombëtare.



Jehona e Jusufit



Një përkthyes tjetër, që për fat të keq s’është më në mesin tonë, shoqëria kosovare e ka harruar. Jusuf Gërvalla kujtohet e nderohet vetëm në përvjetorin e vrasjes në Gjermani, kur shpesh me improvizime reduktohet vetëm në aktivist politik. Por, Jusuf Gërvalla ishte më shumë se kaq. Para disa ditësh Mirsadi, librashitësi këmbëngulës para Hotelit Grand, për tre euro ma shiti vëllimin poetik “Amshimi im i shkurtër” të shkrimtarit slloven Ciril Zlobec, botuar në vitin 1979, përkthyer nga sllovenishtja prej Jusuf Gërvallës. Po ashtu Gërvalla kishte përkthyer nga serbokroatishtja edhe Danilo Kishin, njërin prej shkrimtarëve më të njohur të Evropës Juglindore dhe kundërshtar i rreptë i nacionalizmit serb. I përbuzur nga kastat nacionaliste kulturore të Beogradit si “estet i borgjezisë”, Kish në vitin 1979, pothuaj në të njëjtën kohë me Jusuf Gërvallën, shkoi në mërgim, në Francë. Atje dhe vdiq. Jusufin, ndërkaq, e vranë.



robelli@bluewin.ch

zana27.04.2012/07:30

Robelli shkruan citoj "Në kuadër të kësaj fushate duhet shikuar edhe vërsuljen prej lukunie nuhatëse të një pjese të medieve të Tiranë kundër Klosit, duke fantazuar se paskësh dashur të bëjë vetë ... sje".
Po tash, që doli se Klosi ... u veten... çfarë ke të na thuash Robelli? Kush del këtu të ketë të drejtë?!...

Murat RudiDanimarkë26.04.2012/20:56

Shkrim që të bën të ndihesh mirë kur lexon.
T'falëmnderit Enver!

Nga mërgimi...26.04.2012/20:06

Zoti Robeli,Nganjëherë edhe heshtja flet.Sidomos heshtja e madhe letrare, poetike ose publicistike që në disa raste flet shumë me tepër se ai "koncerti i madh" i britmave dhe ulurimave të përditshme politike, partiake ose ideologjike që kanë zënë ta shurdhojnë madje edhe heshtjën dhe letargjinë e madhe " elektorale dhe poltike" të njerëzve ose popullit tonë. Apo, " pas meje flet dhe qëndron heshtja." Do të thoshte më këtë rast Shekspiri në "Hamletin" e tij famoz.E kemi gjithnjë fjalën mbi heshtjën e madhe që djeg e flet...Gjegjësisht, mbi gjuhën e njohur të Ezopit të ravijezuar, konturuar,eksploruar dhe konvencionalizuar me plot elegancë, përformansë dhe një delikatesë të përkryer letrare dhe publicistike në këtë vëdhtrim tuajin z.Robeli.Respekt.

zoja26.04.2012/09:24

robelli i gjithdishem... per cdo teme e e ka nje pergjigje.

Afrimi26.04.2012/01:28

Kemi nevoj për shkollim cilësor, e kjo nuk po ndodh fatkeqsisht, sepse vetëm edukimi në nivel mundet me na nxjerr prej kësaj amullie !!!