Parabola bërthamore e Koresë së Veriut

  Jaswant Singh Jaswant Singh
Publikuar: 18.04.2012 - 21:45

New Delhi, 16 prill – Një nga ironitë e mëdha të shekullit njëzet është se një avancim aq i rëndësishëm shkencor, si aftësia për ta ndarë atomin, nuk ka sjellë siguri më të madhe. Derisa Koreja Veriore sërish ka bërë bujë nëpër botë, me lansimin e saj të dështuar të një rakete me rreze të gjatë veprimi dhe me kërcënimet e saj për ta ndërmarrë një test nëntokësor bërthamor, indianët po protestojnë ndaj ndërtimit të termocentraleve bërthamore, si rezultat i shqetësimeve të shtuara rreth sigurisë.

Bomba bërthamore ishte avancimi i parë teknologjik që pasoi pas ndarjes së atomit dhe shtetet që mund ta përfitonin e bënë një gjë të tillë me shpejtësi, pa e kuptuar në tërësi fuqinë e saj destruktive. Sot, kapaciteti kompleks inxhinierik, i domosdoshëm për prodhimin e armëve bërthamore – shkathtësi kjo të cilën e kishin një numër i kufizuar shtetesh gjatë viteve shtatëdhjetë – është i zakonshëm. Numri i shteteve që mund të ndërtojnë pajisje të tilla është shumëfishuar, ashtu si edhe fuqia shkatërruese e këtyre armëve.

Ky demokratizim i kapacitetit bërthamor ka nxitur shqetësim rreth përhapjes së armëve nëpër shtete – madje edhe ekonomia e varfër, si Koreja Veriore, i është bashkuar klubit – dhe “privatizimit” të armëve nga grupet terroriste. Si rezultat i kësaj, në tetor të vitit 2010, SHBA-ja dhe Rusia – dy fuqitë më të mëdha bërthamore të botës – iu bashkuan 80 shteteve tjera në Iniciativën Globale për Luftimin e Terrorizmit Bërthamor.

Në kuadër të kësaj inteligjenca e pensionuar ushtarake amerikane dhe ruse themeloi Grupin e Elbes, që mori emrin e lumit ku u takuan forcat e dy shteteve, në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Që nga maji i vitit 2011, grupi prodhoi një “Vlerësim të kërcënimit të përbashkët të terrorizmit bërthamor”, në të cilin rreziku paraqitet deri në detaje.

Raporti pasqyron qëndrimin gjithnjë e më të përhapur se “terroristët mund të sigurojnë materialet bërthamore dhe t’i shfrytëzojnë ato”. “Po qe se qasjet aktuale rreth eliminimit të kërcënimit nuk zëvendësohen me një ndjenjë emergjence dhe vendosmërie, atëherë çështja kryesore nuk do të jetë nëse, mirëpo kur dhe në çfarë shkalle do të ndodhë akti i parë i terrorizmit bërthamor”.

Pasi që Osama Bin Laden u vra në maj të vitit 2011, iluzioni filloi të mbretëronte se me shpërbërjen e “Al-Qaedas”, kërcënimi i terrorizmit bërthamor ishte eliminuar. Megjithatë, grupe të shumta terroriste u paraqitën në Pakistan, derisa ky shtet është duke rritur rezervat e saj të materialeve bërthamore. Në të vërtetë, Pakistani ka filluar të prodhojë armë taktike bërthamore, të cilat duhet të mbahen të shpërndara dhe janë si rrjedhojë më pak të sigurta.

Konfiskimet e materialeve të paligjshme janë ulur që nga vitet nëntëdhjetë, kur shtetet bërthamore asgjësuan afërsisht 480 kilogramë të uraniumit tejet të pasuruar – bazë për bombën bërthamore. Kazakistani ishte në krye të listës. Graham Allison i Harvardit, i njohur për çështjen e terrorizmit bërthamor, kujton se gjatë kohës sa ishte ndihmëssekretar i Mbrojtjes në administratën Clinton, në fillim të vitit 1993, ai kishte marrë një telefonatë nga William Courtney, ambasador në Kazakistan, që i kishte thënë se rezerva të uraniumit të pasuruar në shkallë të lartë ishin gjetur në një depo në Almaty, pothuajse të pasiguruara. Raportohet se aty ishte gjetur uranium i mjaftueshëm për prodhimin e 35 apo 40 bombave.

A ka edhe rrëfime tjera të tilla nëpër botë?

Një vend që nuk është harruar është Koreja Veriore. Pasi që ishte pajtuar gjatë shkurtit të ndalë testimet bërthamore, pasurimin e uraniumit dhe lansimin e raketave me rreze të gjatë veprimi në shkëmbim me ndihma në ushqim, ky shtet kishte tentuar të lansojë raketën e vet më të fuqishme. Për me tepër, dështimi i lansimit e ka bërë më të mundshëm testin e tretë të armës bërthamore.

Ka dy pengesa kryesore për eliminimin e kërcënimeve si ai që paraqitet prej Koresë Veriore: ndjenja se arma bërthamore është pika kryesore e mbrojtjes së sovranitetit shtetëror dhe progresi i pamjaftueshëm në çarmatosjen bërthamore nga shtetet kryesore nukleare të botës (SHBA-ja, Rusia, Kina, Franca dhe Britania e Madhe).

Në të vërtetë, SHBA-ja dhe Rusia thjesht vetëm kanë përsëritur përkushtimin e tyre të bërë më 2010, për të asgjësuar 68 tonelata të plutoniumit që mund të përdoret për armë. Se kur do të ndodhë një gjë e tillë, është ende e panjohur. Mirëpo, po qe se ata nuk do të veprojnë, atëherë askush nuk do të veprojë.

Një mosveprim i tillë është i papranueshëm. Mbase bisedimet e rifilluara bërthamore me Iranin mund ta thyejnë akullin dhe ta avancojnë procesin e çarmatosjes globale bërthamore, ndonëse një gjë e tillë ka pak gjasa të ndodhë. Madje edhe Brazili, dikur përkrahës i fuqishëm i mospërhapjes së armatimit bërthamor, tani insiston se të gjitha shtetet kanë të drejtën e patjetërsueshme për pasurimin e uraniumin për synime paqësore.

Është vështirë të paramendohet se kur do të dalë në pah katalizatori për ndryshime. Samiti bërthamor në Seul gjatë vitit të kaluar dha shumë pak shpresë për luftimin e kërcënimit që paraqet një fuqi e izoluar dhe jostabile bërthamore. Afërsisht 40 shtete janë duke vepruar apo po ndërtojnë reaktorë bërthamorë për përmbushjen e nevojave të tyre në fushën e energjisë. Çka do të ndodhë po qe se të gjitha shtetet dëshirojnë të bëhen fuqi bërthamore?

Në të vërtetë, qëllimet e tyre mund të mos kenë rëndësi. Sa më shumë shtete të kenë kapacitet bërthamor në botë, aq më i madh do të jetë rreziku se ato do të bien në duart e terroristëve. Tani druaj se e kemi arritur pikën në të cilën çështja kryesore nuk është nëse një gjë e tillë do të ndodhë, mirëpo se kur do të ndodhë.



(Autori, ish-ministër indian i Financave, ministër i Jashtëm dhe i Mbrojtjes, është autor i “Jinnah: India – Partition – Independence”. Ky vështrim është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore, “Project Sindycate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)