Fusnota – paralojë për marrëveshjen rreth veriut

Agron Bajrami Agron Bajrami
Publikuar: 25.03.2012 - 13:17

Në Prishtinë për shumëkënd u bë e qartë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e bashkimit Evropian për qëllim ka rregullimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit, në një mënyrë që bashkësisë ndërkombëtare do t’ia lejojë mbylljen e ngadalshme të çështjes së Kosovës. Në atë kontekst edhe marrëveshja për përfaqësim rajonal të Kosovës, e detyruar në momentin e fundit muajin e kaluar – me të cilën Serbia siguroi statusin e kandidatit për në BE, ndërsa Kosova fitoi premtime për afrim me Brukselin dhe liberalizim vizash – është një shkallë në rrugën drejt hapjes së çështjes së veriut dhe zgjidhjes së saj.

Sipas më shumë burimeve, prej të cilave disa tashmë flasin hapur, çështja e veriut do të hapet në kuadër të dialogut në Bruksel pas zgjedhjeve në Serbi. Për këtë shkak shumica në BE shpreson për një fitore të Partisë Demokratike të Boris Tadiqit, sepse për marrëveshje është e nevojshme që edhe në Beograd, edhe në Prishtinë në pozicionet vendimmarrëse të jenë njerëz që janë të gatshëm për kompromis. Këta janë kryetari serb Boris Tadiq dhe kryeministri kosovar Hashim Thaçi. Për Brukselin me rëndësi të madhe është që të dy të mbesin në pushtet, sepse janë “të pazëvendësueshëm” për arritjen e qëllimit që tashmë duket: një lloj autonomie për veri, në shkëmbim për njohje nga Beogradi, qoftë edhe të heshtur, të pavarësisë së Kosovës.

Por derisa premise për pazëvendësueshmërinë e Tadiqit dhe Thaçit, mbi të cilën Brukseli e ndërtoi procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë, ka qenë pak a shumë e njohur për publikun kosovar, gjërat po i komplikon fakti se në terren nuk duket gjithçka aq e thjeshtë siç shihet nga Brukseli. Në rastin e Prishtinës kjo do të thotë se Thaçi është lideri më i fuqishëm politik, por me një pozicion që u nënshtrohet sulmeve, dhe që në momentet e kompromisit me Beogradin dobësohet ndjeshëm. Kjo është parë me rastin e arritjes së marrëveshjes për përfaqësim rajonal të Kosovës me të cilën Prishtina pranoi që në rajon të paraqitet pa atributet e Republikës dhe me një fusnotë në të cilën, krahas opinionit këshillëdhënës të GJND-së për shpalljen e pavarësisë, është edhe Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila flet për statusin e Kosovës si çështje e pazgjidhur.

Dobësimi i pozicionit të Thaçit ndërlidhet me përpjekjet e zyrtarëve ndërkombëtarë në Prishtinë, posaçërisht atyre amerikanë, që në ekipin negociues të Edita Tahirit, kur të nisë “rundi” për veriun, të përfshijnë edhe disa liderë opozitarë. Para së gjithash prefektin e Prishtinës, Isa Mustafa, i cili është edhe kryetar i partisë më të madhe opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, të kryetarit të ndjerë kosovar Ibrahim Rugova.

Albin Kurti dhe lëvizja “Vetëvendosje” nuk janë në kombinim, edhe pse me populizmin e tyre dhe radikalizmin politik veten e kanë projektuar si të vetmen opozitë të vërtetë ndaj Thaçit, të vullnetshme që të kundërshtojë koncesionet në dialog dhe kompromiset e reja me Serbinë, posaçërisht në veri. Bashkësia ndërkombëtare po e konsideron Kurtin si problem, ndërsa ambasadori amerikan Christopher Dell publikisht e ka “damkosur” si “antiamerikan” dhe “antievropian” për shkak të qëndrimit refuzues ndaj dialogut me Beogradin. Ajo vërejtje i ka shtyrë opozitarët e tjerë që të mos jenë tepër kritikë ndaj atyre lëvizjeve të Thaçit që kanë përkrahje të gjerë ndërkombëtare.

Njëkohësisht diplomatët në Kosovë ka kohë që ia ruajnë shpinën Thaçit edhe prej kolegëve të tij partiakë, të cilën kundërshtojnë mënyrën si kryeministri, siç thonë, i përmbush kërkesat ndërkombëtare. Mospajtimet kanë të bëjnë me privatizimin e ndërmarrjeve publike dhe projektet më të mëdha ekonomike në Kosovë, sikur që janë autostrada tashmë e nisur drejt Shqipërisë, shitja e Postës dhe Telekomit të Kosovës dhe ndërtimi i planifikuar i termocentralit të ri me thëngjill.

Në mesin e kundërshtarëve më të mëdhenj të kryeministrit brenda PDK-së llogaritet kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dikur zëdhënës i UÇK-së, tani sekretar i përgjithshëm i partisë së Thaçit. Krasniqi ka kohë që publikisht shfaqet në pozicione të kundërta politike prej liderit të tij, kur flitet për proceset më të rëndësishme, përfshirë dialogun me Serbinë dhe politikën ekonomike të Qeverisë. Krasniqi ditët e fundit është deklaruar në publik edhe kundër fusnotës së dakorduar me Serbinë, duke kërkuar ndryshimin e ekipit të Kosovës që udhëhiqet nga emisarja e Thaçit, Edita Tahiri, “për shkak se nuk kanë ditur si të negociojnë”.

Me gjithë problemet me rënien e kredibilitetit në publik, sulmeve nga opozita dhe kundërshtimeve brenda partisë, Thaçi duket sikur është lindur nën “yllin fatlum”, sepse të gjithë rivalët e tij të mundshëm kanë probleme më të mëdha, gjë që ndikon në pozicionin e tij prej partneri të “pazëvendësueshëm” dhe njeriu që mund të sjellë atë që porositet prej tij.

Isa Mustafa brenda LDK-së ka probleme serioze, ndërsa më së shumti po e “minon” ish-lideri i partisë dhe ish- president i Kosovës, Fatmir Sejdiu, rreth të cilit – apo prapa të cilit – po mblidhen të pakënaqurit që kanë humbur apo rrezikojnë të humbasin pozicionet e deritanishme brenda partisë, e më to edhe fuqinë reale politike dhe ekonomike.

“Vetëvendosja” e Kurtit, me gjithë popullaritetin në rritje, la një problem që në dukje shihet si i patejkalueshëm për shkak të refuzimit të bashkësisë ndërkombëtare ndaj aktiviteteve të tyre dhe qëllimeve politike që kanë e të cilat shumica e ambasadorëve perëndimorë i vlerëson si nacionaliste.

Partia e tretë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pariparueshëm është e hendikepuar me mungesën e liderit të saj, Ramush Haradinaj, rigjykimi i të cilit ende zgjat në Tribunalin e Hagës, dhe nuk shihet asnjë shenjë se kur dhe si mund të përfundojë.

Partneri i Thaçit në koalicionin qeverisës, biznesmeni Behgjet Pacolli, me hyrjen në Qeveri, përveçse e ka pranuar bashkëpërgjegjësinë për të gjitha që i bën kryeministri, madje edhe për gjërat për të cilat askush as nuk e pyet, pothuajse e ka shpenzuar të gjithë karrierën politike të ndërtuar me populizmin ekonomik dhe shumën e madhe të parave të fituara nëpër Rusi dhe ish-republikat sovjetike. Pacolli, vërejnë disa, tashmë iu ka kthyer materializimit të veprimit të tij politik, që shihet nga pronat në formë hotelesh, ndërtesash dhe patundshmërish të tjera që i ka krijuar për vete në procesin e privatizimit të pronës shoqërore.

Sajuesja politike rreth Thaçit është arsyeja pse ai dhe mentorët e tij ndërkombëtarë janë tejet agresivë në kritikën e asaj pjese të shoqërisë civile dhe mediave që zëshëm kundërshtojnë politikën e pushtetit dhe që sigurisht se nuk do të mbesin anash kur të negociohet për veriun e Kosovës.



Pajtimi për disa zgjedhje



Me gjithë zhurmën e madhe publike dhe qëndrimeve në dukje të forta, shumë burime në Prishtinë flasin se mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë është punë tashmë e dakorduar: Prishtina pranon që serbët të votojnë për Kuvendin e Serbisë, ndërsa Beogradi heq dorë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale.

Një “deal” i tillë është arritur, sipas burimeve ndërkombëtare, qysh në kohën e negociatave në Bruksel, muajin e kaluar, por është lënë që publiku në Serbi dhe ai në Kosovë gradualisht të mësohen me kompromisin e radhës ashtu që të mos ketë shumë reagime negative për të dy qeveritë.

Burimet brenda Qeverisë tërheqin vërejtjen megjithatë se mund të ketë ndryshime për shkak të presionit në rritje ndaj Boris Tadiqit në Serbi, që të mos heqë dorë nga zgjedhjet lokale, por edhe për shkak të tensioneve në Prishtinë që mund ta “detyrojnë” Thaçin në kundërshtim deklarativ më “radikal”. Një shfaqje e tillë u pa para disa ditësh në Parlamentin e Kosovës, kur kryeministri deklaroi se tashmë i kishte porositur fuqitë perëndimore që “loja me kufij të Kosovës mund t’i shtyjë shqiptarët që t’i kthehen opsionit të një shteti shqiptar në Ballkan”.

Këtë disa e interpretojnë si shenjë të qartë se Thaçi tashmë e ka nisur “pazarin” për veriun e Kosovës!



(Kjo analizë e kryeredaktorit të “Kohës Ditore” është botuar në javoren “Novi Magazin”)

Analitiku25.03.2012/13:30

autonomin e kan Sebet kahdo qe jan ne kosov. Jan formue komuna pas luftes, ngase skishte asnji komun serbe para lufte. E tash serbet dojn me ja shkput kosoves veriun. Bile nji fillim, bile nji piknisje. e dojn shembullin e bosnjes edhe ne kosov.