Evazioni fiskal: Problemi (1)

Lumir Abdixhiku Lumir Abdixhiku
Publikuar: 24.03.2012 - 20:21

Po shprehja një habi të madhe rreth numrit 40 sa herë që shikoja të dhënat e anketës së fundit nga Riinvest mbi skanimin e gjendjes së bizneseve kosovare. Ky 40 sikur përsëritej më shpesh se sa një probabilitet i thjeshtë mund ta përsëriste dhe për më tepër dukuritë në të cilat përsëritej kishin një numërues të përbashkët: mosbindjen ndaj kërkesave të sistemit shoqëror. Për shembull, rreth 40% e pagave të fuqisë punëtore në sektorin privat fshiheshin nga punëdhënësit, ose rreth 40% e bizneseve kosovare nuk kishin ide për pagën minimale, ose 40% e bizneseve nuk kishin dëgjuar fare për Ligjin e punës apo për beneficionet ndaj punëtorëve. Ky 40% ishte gjithandej dhe për ta bërë skorien më interesante e dramatike, rreth 40% e shitjeve të bizneseve kosovare nuk raportoheshin fare për qëllime të administratës tatimore; pra evazioni fiskal në Kosovë arrinte plot 40%.

Në Kosovën e një mijë e një nevojave, mosmbledhja e tatimeve në nivel alarmant si ky i observuari lë vend për shumë keqardhje. Edhe më keq njeriu ndihet kur kupton entropinë e çrregullimin e pagesës së tatimeve. Në fund të fundit kosovarët dhe institucionet e tyre kanë një marrëdhënie kontraktuale të zhbërë. Pagesa e tatimeve, edhe në këtë nivel, nuk ka arsyetuar as edhe një herë shërbimet e marra. Për më tepër me luksin e shfaqur në publik nga politikëbërësit etja e kontributit për shtet bëhet ngopje. Pavarësisht kësaj humbjet e mospagesës dhe informalitetit prekin gjithçka. Kostot ekonomike të evazionit fiskal përbëjnë një mal. Ndër të shumtat, evazioni zvogëlon rritjen ekonomike nëpërmjet dobësimit të aftësisë së institucioneve për të ofruar të mira publike e rrjedhimisht rritja ekonomike prek krijimin e vendeve të punës e zbutjen e varfërisë; evazioni devijon gjithashtu resurset e bizneseve në aktivitete me produktivitet të ulët duke humbur potencialet e krijimit të vlerës në ekonomi; ofron stimuj që bizneset të mbesin të vogla dhe të padukshme për të rritur dhe më shumë vjedhjen, duke humbur kështu mundësitë e një ekonomie formale nga ku më e rëndësishmja është gjenerimi i kapitalit (kujtoni refuzimin e bankave për të dhënë kredi drejet bizneseve që kanë regjistra jo të rregullt); krijon pabarazi mes vjedhësve dhe taksapaguesve të drejtë duke i shtyrë rrjedhimisht të drejtit që të bëhen si vjedhësit. Pra në esence evazioni fiskal krijon një zinxhir pasojash për bizneset, shoqërinë, institucionet e vet shtetin.

Do të ishte i mangët dhe shterpë konstatimi mbi natyrën e evazionit pa zbardhur burimet që bëjnë atë. Benjamin Franklin, një ndër themeluesit e kombit amerikan kishte dhënë atë frazën e famshme se “vetëm vdekja dhe pagesa e taksave është e sigurt”; megjithatë një histori mbi katërmijëvjeçare e vjeljes së taksave tregon se ku ka taksa ka dhe vjedhje dhe se ku ka vjedhje ka dhe arsye për vjedhje. Në një vend si Kosova, ku anomalitë, paradokset e entropitë bëjnë përditshmërinë tonë, gjetja e arsyeve për mospagesë taksash është fare e lehtë. Në një vend ku paraja publike përdhunohet, ku jopaguesit promovohen me tenderë qeveritarë, ku evazionistët drekojnë e darkojnë me politikanë, arsyet për paguesit e rregullt ngushtohen gjithnjë e më shumë. Pavarësisht shkakut e pasojës, patriotizmi i vërtetë kosovar, pra në bindjen ndaj sistemeve të shtetit, është gjithnjë e në rënie. Matjet e moralit fiskal tregojnë për një nivel të ulët besimi ndaj institucioneve, për një arsyeshmëri në sjelljen e vjedhësve dhe për më tepër për një normë të përbashkët shoqërore e cila shtyn fenomenet e çrregullta të trajtohen si të rregullta.

Niveli i tanishëm i evazionit fiskal në vend merr arsyeshmërinë jo vetëm nga ana e ofertës publike, por dhe nga dobësia e mekanizmave mbledhës. Kujtoni se Kosova ka vetëm 350 inspektorë tatimorë të cilët duhet të targetojnë hiç më pak se 65 mijë biznese në vend. Me pagën e tyre jo fort atraktive përballja me informalitet bëhet pak e rezistueshme. Kosova gjithashtu vazhdon të jetë i vetmi vend në botë pa polici financiare, ndërkaq shtrirja e mekanizmave në pjesët rurale është pothuajse simbolike. Aspak më të arsyeshme nuk bëhen politikat fiskale, të cilat ndonëse me norma të reduktuara nga viti 2009 vazhdojnë të jenë të komplikuara, jo favorizuese për hyrje në formalitet dhe shtrenjtë të pagueshme. Normat tatimore në Kosovë mund të jenë në vijë me rajonin, por mbledhja e tyre bart një kosto enorme. Kjo kosto përkthehet në para për të angazhuar profesionistë në llogaritjen e obligimeve, në kohë për të kryer obligimet apo dhe në parapagime të tatimeve siç është rasti i mbledhjes së TVSH-së në kufi kur biznesi obligohet të kryejë obligimin tatimor pa filluar ende shërbimin (rast sui generis në botë). Thënë shkurt, në Kosovë, kostot e bindjes tatimore janë relativisht të mëdha, pothuajse dy herë më të larta se ato të rajonit. Për më tepër mosprofesionalizmi në administratë mbledhëse shpeshherë lë hapësirë për interpretime me dykuptimësi mbi bazën tatimore duke i shtyrë kështu bizneset në dënime suksesive. Dënimet bëhen edhe më të shpeshta si rrjedhojë e presionit të Qeverisë për të mbushur hendekun buxhetor të krijuar nga hipershpenzimet e viteve të fundit. Nuk do të kishte as edhe një të metë dënimi në baza të barabarta, megjithatë trajtimi me standarde të dyfishta i bizneseve po se po bën diferencë regresive. Në një ambient të tillë, mbijetues bëhen bizneset me lidhje të ngushta me vendimmarrësit e jo ato me efiçencë ekonomike.

Ndryshimet në mënyrën e shpenzimeve të parasë publike, komplikueshmëria e strukturës tatimore dhe normat e sotme shoqërore, unë argumentoj, se bëjnë thelbin e zbutjes së nivelit enorm të evazionit fiskal në vend. Derisa mënyra e trajtimit të parasë publike dëmton moralin fiskal, apo gatishmërinë vullnetare për të kryer obligimet ndaj shtetit,  komplikuehsmëria rrit koston dhe me këtë edhe nivelin e mospagesës, derisa normat shoqërore largojnë kosovarët nga një sjellje e rregullt dhe korrekte. Trajtimi i secilës çështje, përtej identifikimit të tyre, kërkon një analizë më të thuktë, megjithatë në vazhdimësi të përvojave rajonale dhe vendeve transitore që kanë kaluar pak a shumë nëpërmjet fenomeneve të njëjta si Kosova më jep të drejtën që në këtë dhe dy shkrimet e ardhshme të trajtojë propozimet që unë mbështesë për të zbutur nivelet alarmante të mospagesës (në fund të fundit a nuk janë në kërkim të alternativave poltikëbërësit tanë?). Unë argumentoj se aplikimi i taksës së sheshtë (fla tax), përmirësimi i moralit fiskal nëpërmjet rritjes së transparencës e aryseshmërisë së shpenzimeve publike, si dhe afrimi i ndjenjës së kosovarëve me vetë shtetin, janë parakushte për zbutjen e nivelit alarmant të evazionit fiskal në Kosovë.

 

(Autori është kolumnist i rregullt i “Kohës Ditore”)