Shqiptarët, Evropa dhe gjaku i gjedheve

  Fisnik Halimi
Publikuar: 17.03.2012 - 20:14

Në mëngjesin e ditës së parë të shkurtit u nda nga jeta nëna ime, shkrimtarja Hida Halimi. Falë të gjithë atyre që e çmuan veprën e saj dhe tërë atë emocion e përcollën mjaftueshëm në mediat shqiptare si në Prishtinë, Tiranë, Shkup e Preshevë, jam i liruar prej obligimit që të flas për Hidën, shkrimtaren. Hida nëna, ashtu si ishte edhe do të mbetet sa të jetë jeta një kënaqësi që do ta shijojmë unë dhe vëllai im Zgjimi, përmes kujtimeve. Neve na la shumë kujtime . Publikut ia la veprën e saj. Të fundit që e kam në dorëshkrim e kishte lënë të përfunduar në desktop me një porosi të thjeshtë: Borë Malja, për botim. 

Në fokus të këtij shkrimi nuk do të jetë nëna ime, por m’u duk disi e pakapërcyeshme, sepse edhe këtë radhë unë do të shkruaj për Shqipërinë time, dashurinë për të cilën mësova nga ajo.

Për Shqipërinë dhe shqiptarët kësaj radhe do të shkruaj, nisur nga një artikull i çuditshëm që më ra në dorë para pak ditësh. Në faqet kolor të njërës prej gazetave më të rëndësishme ditore të Francës më tërhoqi vëmendjen fotografia e një burri. Ky personazh i cili buzëqeshej në mes dy thikave të mëdha të argjendit që i mbante në dorë, ishte në fakt kasapi i vitit i Francës, epitet që e mbante për të tretin vit me radhë. Nisa ta lexoja artikullin me nxitim për të ardhur shpejt  te informata e cila më interesonte si kuriozitet, se si shpallet një njeri kasapi më i mirë i një vendi, më interesonin parametrat. Asgjë të tillë nuk gjeta, por përmes kasapit kuptova diçka tjetër, do parametra tjerë, të cilët çuditërisht do të kishin të bënin edhe me ne.

Kasapi ishte shndërruar në një pikë reference në debatin që po zhvillohet si pjesë e kampanjës paraelektorale për president të Francës. Gazetarët po e pyesnin nëse marrja e shpirtit të gjedheve përmes goditjes me një çekan të rëndë është më humane sesa arritja e të njëjtit qëllim me një thikë të mprehtë si ato të cilat ekspozoheshin në fotografinë në gazetë. Kasapi përgjigjej se nuk është i rëndësishëm mjeti, por mjeshtëria. Ndërsa pyetjes për higjienën i përgjigjej duke pohuar se nuk ka të bëjë as kjo punë me mënyrën, por me merakun e kasapit.

Franca është në prag të zgjedhjeve për president, si zakonisht gara pritet të nxjerrë fituesin ose nga radhët e UMP-së, e cila është partia e presidentit aktual francez, ose nga radhët e partisë socialiste, e cila në këtë garë ka vendosur si atunë e vet kryesor ish-sekretarin e parë të kësaj partie. Shumë matje të opinionit publik flasin për një përparësi të kandidatit socialist, por gara është shumë larg nga përfundimi, andaj këto matje nuk i japin as edhe një pikë komoditet Francois Hollandit.

Kasapi kolor ka ardhur në shprehje pasi që një prej temave më shumë të rrahura në këtë kampanjë është edhe çështja e mishit hallall dhe kosher, pasi që kandidatja e së djathtës ekstreme ka imponuar në këtë debat edhe këtë temë. Nisur nga fakti se e djathta ekstreme në Francë është një parti e cila merr vazhdimisht mbështetje që u afrohen shifrave alarmante, atëherë domosdo edhe kandidatët e tjerë duhet që të merren edhe më këto lloj temash. Të djathtën ekstreme në Francë e karakterizon një fobi e gjithanshme nga gjithçka që nuk është franceze sipas kutit matës së familjes, e cila e dominon këtë parti. Ndër të tjera, premtim i zonjës Le Pen është dalja e Francës nga Bashkimi Evropian.

Me të drejtë sot askush nuk mund të prognozojë se zonja Le Pen do të mund të mposhte rivalët e saj në garë, por nëse i krahasojmë rezultatet e së djathtës ekstreme të kohës sonë me ato të para disa decenieve, do të mund të shohim se dita kur zonja Le Pen, apo bashkëmendimtarë të saj të jenë në gjendje ta bëjnë një gjë të tillë, nuk është e largët. Parti si kjo e Frontit Nacional ka edhe në shumë vende të tjera të Evropës dhe të gjitha këto pa përjashtim kanë njohur ngritje të popullaritetit.

***

Një kapadai sllav merr jetën e dy djemve të rinj në mes të qytetit të Gostivarit në formën më banale të mundshme. Disa kapadainj të tjerë sllavë në Shkup rrahin pa pretekst as paralajmërim fëmijët duke u kthyer në shtëpi pas një dite shkollore. Reagimi i politikës shqiptare ishte i vakët dhe krejtësisht i paporosi. Nuk habitem prej partisë shqiptare në pushtet atje, sepse ajo është një parti e cila është shndërruar në një kompani për zgjidhjen e problemeve sociale të pjesëtarëve të klanit. Kapacitetet intelektuale të së cilës thjesht janë deficitare për të bërë politikë e cila si bazë do ta kishte një filozofi e cila synon të arrijë qëllim politik. Habitem shumë nga Tirana dhe Prishtina zyrtare e cila si klasë politike thjesht nuk ka arritur as edhe një herë të na shpjegojë neve si publik, përse vallë na qenkësh interes yni mbajtja gjallë e Maqedonisë? Pse do të duhej mbrojtur ne agresorin tonë?  Maqedonia e kësaj politike si sllave ashtu edhe shqiptare është kthyer në një Maqedoni, e cila nuk e meriton mbijetesën nga fakti se nuk arriti ta adoptojë jetën politike mbi parime të ndarjes të së mirës së përbashkët në formë proporcionale.

Serbia ashtu si pritej mori edhe statusin e kandidatit edhe shpalli zgjedhjet në Kosovë. Vetëm një politikë naive do të mund të thotë se kjo ishte një tradhti e radhës serbe ndaj Evropës. Shpallja e zgjedhjeve ishte hapi i ardhshëm logjik i tolerueshëm dhe i dakorduar për Serbinë. Sepse Tadiqi e ka shitur veten si opsionin e vetëm proevropian në Serbi, prandaj në emër të fitores së tij elektorale do të duhej të tolerohej edhe ky agresion ndaj shtetit të Kosovës. Politika, edhe Kosova, edhe Evropa është gjallë dhe do të jetojë për aq kohë sa të dëshirojë Serbia. Tolerimi i kësaj politike ndaj Serbisë nuk është çështje dashakeqësie ndaj shqiptarëve, por thjesht luftë për pozicionim gjeostrategjik kundrejt Rusisë.

***

Si në Tiranë ashtu edhe  në Prishtinë jemi dëshmitarë të një fjalori politik i cili e demonizon idenë e bashkimit kombëtar, duke manipuluar opinionin publik se bashkimi ynë do të bëhet në Evropë. Po le të ndalemi pak te Evropa. Kjo krijesë politike nuk ka as edhe një garanci për përjetësi, është thjesht çështje fati dhe numrash nëse Evropa do të mbijetojë apo do të shkatërrohet. Të bindemi se në rast të një fitoreje eventuale të Le Penëve dhe të ngjashmëve, ideja për Evropën do të shembet si kullë prej letre. Në fakt, as që ka nevojë që një i tillë të dalë ngadhënjimtar. Fakti se e djathta ekstreme evropiane po gjen çdo ditë e më shumë hapësirë veprimi, po ndikon direkt edhe në adoptimin e politikave ekstreme edhe prej partive që tradicionalisht nuk kanë ndjekur këso lloj rrugësh. Presidenti aktual francez nuk e di në çfarë konteksti javën që shkoi doli në publik, me deklaratën se do ta shqyrtojë mundësinë e daljes së Francës nga zona Schengen! Nuk është deklaratë për t’u injoruar kjo, në asnjë mënyrë, sepse ky fjalor dhe aksioni që do të mund të pasonte nuk mund të quhet i parrezikshëm.

Franca e madhe e revolucionit borgjez, Franca e qindra autorëve të mëdhenj që iluminuan rrugën tutje të njerëzimit në kohërat më të vështira, sot është zhytur në turbullirën e gjakut të gjedheve. Jo për hir të jetës së kafshës së shkretë, por për shkak të një fobie ndaj asaj Francës tjetër, e cila paska rastisur të jetë islame, apo jevreje, apo thjesht e zezë.

Rruga drejt pajtimit tonë me Serbinë është rrugë e paalternativë. Nëse pala serbe ka ardhur me ofertën e shkëmbimit të territoreve, kjo ofertë nuk duhet injoruar, por duhet studiuar dhe duhet shndërruar në realitet, në një afat jo shumë të gjatë. Nëse duam bashkim kjo është rruga, nëse jo atëherë mund të mbesim edhe kështu si jemi. Por kur të vritemi në mes të rrugës, nuk bën të habitemi, por duhet heshtur dhe pajtuar me fatin e keq. Kur të organizojë Serbia në Kosovë edhe gjëra më të mëdha se zgjedhjet, prapë duhet heshtur dhe lëpirë të pështymën. Më në fund, kur të kthehemi nën havalen osmane, atëherë pavarësisht Le Penëve, Evropa do të shndërrohet në një destinacion pambarimisht të largët.



(Autori është doktorant i shkencave sociale në Universitetin e Parisit)

kosovari17.03.2012/21:09

Flm. prej teje qe don me na shpetu. Shkrim nacionalist. Asgje tjeter. Nese evropa eshte qeshtje fatesh e numrash, pse te duhet te pajtohesh me Serbine ? e nese havalja osmane nuk te pelqen, kah po do me shku bre djale ? ke aq shume kunderthenje ne shkrim, qe ishalla pe din vete cka po don. Amin.