Zgjedhjet e ardhme, njësoj si të kaluarat!

  Valmir Ismaili dhe Leon Malazogu
Publikuar: 15.03.2012 - 18:47

Tri palë zgjedhjet e fundit në Kosovë (2007, 2009 dhe 2010) kaluan si mos më keq. Edhe pse për shumicën e njerëzve këto të fundit ishin më të këqijat, dallimet  me ato paraprake (2007 dhe 2009) janë të vogla. Dallimi i vetëm në këtë aspekt është se, përderisa teknikat e vjedhjes së votave kanë shkuar duke u perfeksionuar, vetëdija e partive politike që kanë pësuar është rritur në të njëjtën kohë dhe rrjedhimisht shkeljet bënë bujë më tepër. Rol kryesor në këtë alarmim ka luajtur lëvizja “Vetëvendosje”, e cila ka qenë shumë më shumë e organizuar në aspekt të vëzhgimit dhe raportimit të shkeljeve sesa partitë e tjera të etabluara. Këtë e dëshmon edhe numri i ankesave të paraqitura nga ky subjekt politik në Panelin për Parashtresa dhe Ankesa (PZAP).

Pse degjeneroi procesi zgjedhor në Kosovë? A ka gjasa që të kthehet besimi i qytetarëve në zgjedhje dhe në institucionet që i organizojnë ato? A jemi duke bërë ne si shoqëri në përgjithësi dhe institucionet përgjegjëse në veçanti diçka në këtë aspekt?

Janë disa faktorë që kanë ndikuar në degradimin e procesit zgjedhor në Kosovë, por do të përqendrohemi në dy prej tyre. Një nga faktorët kryesorë është kalimi i pronësisë së organizimit të zgjedhjeve nga institucionet ndërkombëtare në ato lokale. Sa më pak përfshirje të institucioneve ndërkombëtare në organizim të zgjedhjeve, aq më shumë parregullsi kanë ndodhur. Sidoqoftë, edhe bashkësia ndërkombëtare nuk është pa faj në këtë aspekt. Përderisa Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) u tregua e aftë që vetë të organizojë zgjedhje në Kosovë, ajo dështoi që njohuritë e veta t’i bartë tek personeli vendor i Sekretariatit të Komisionit Qendror Zgjedhor (SKQZ-së). Ndoshta SKQZ është shembulli më tipik se si institucionet kosovare kanë krijuar varshmëri nga institucionet ndërkombëtare. OSBE-ja akoma vazhdon të ketë fjalën kryesore në zgjedhjet tona vetëm se kjo nuk vërehet nga jashtë. Administratorët vendorë të zgjedhjeve gjithashtu nuk kanë dëshirë të pranojnë sa janë të varur dhe edhe ata shtiren kinse i bëjnë gjërat vetë. Një “bashkëjetesë” e tillë në mes të OSBE-së dhe KQZ-së u ka shkuar për shtati të dy palëve, OSBE-së që të arsyetojë sa më gjatë nevojën për asistencë për zgjedhje, ndërsa KQZ-së që të mbulojë paaftësinë e saj për të kryer punën për të cilën është e thirrur.

Një arsye tjetër pse ka ardhur deri të degradimi i procesit zgjedhor është edhe mbajtja e disa palë zgjedhjeve në të njëjtën ditë. Zgjedhjet e vitit 2007 dhe 2009 ishin shumë të ngarkuara, duke pasur parasysh që në të njëjtën ditë votohej për asambletë komunale, kryetarë komunash (2007 dhe 2009) dhe për Kuvend të Kosovës (2007). Duke pasur parasysh kapacitetet e mangëta të KQZ-së për të organizuar një proces të mirëfilltë zgjedhor, organizmi i disa palë zgjedhjesh në të njëjtën ditë në Kosovë, së paku për një kohë, është i paqëlluar dhe i dëmshëm për procesin. Kjo veçanërisht qëndron nëse ruhet sistemi me disa vota preferenciale dhe nëse nuk arrihet tek një ligj që mbyll zbrazësitë për keqpërdorime.

Ka indikacione se organizimi i më shumë se një palë zgjedhjeve në një ditë ka shkuar në favor të manipuluesve të zgjedhjeve. Duke shfrytëzuar ngarkesën e sistemit dhe ndërlikimet e tri fletëvotimeve për të vjetrit dhe gjysmanalfabetët, ka mundësuar ndikim të theksuar nga komisionerët dhe të tjerët. Guzhma e krijuar ka mundësuar votim si në emër të tjetrit, presion të dhunshëm, shënime shtesë gjatë numërimit, ‘ndihmë’ votuesve që kanë nevojë, etj.

Lirimi në kosto që e fitojmë na ka dalë të jetë kosto me kamatë për demokracinë tonë të brishtë. Tani buxhetin mbi një miliardësh e shpenzojnë deputetët e zgjedhur nga komisionerët e jo nga votuesit. Për më tepër, legjitimiteti i brishtë dhe i cunguar i autoriteteve do të vazhdojë të krijojë dëm si financiar, ashtu edhe politik, brenda vendit, si dhe për imazhin tonë jashtë, përfshirë edhe pasojat për bisedimet për konsolidimin e shtetësisë tonë.

Siç duket, këtë vit nuk do të kemi zgjedhje në Kosovë. Në njërën anë kjo është mirë sepse u mundëson institucioneve e drejtësisë që të përfundojnë me rastet e keqpërdoruesve të zgjedhjeve të kaluara. Komisioni për reformë zgjedhore do të duhej t’i kthehej ligjit sërish dhe të mos thotë që ligji nuk ndikon në keqpërdorime por të kufizojë mundësitë për to. KQZ-ja do të mund të shfrytëzonte këtë vit për ngritje të kapaciteteve dhe pavarësi më të madhe si nga bashkësia ndërkombëtare ashtu edhe nga partitë, siç edhe parashihet me kushtetutën tonë ashtu kështu të shkelur.

Por, ky komfor mund të na rikthehet rrufeshëm vitin tjetër i cili mund të shohë organizimin e zgjedhjeve për president të vendit, asamble komunale, kryetarë komunash dhe, sipas të gjitha gjasave, edhe për Kuvend të Republikës së Kosovës. Përveç kësaj, legjislacioni i ri zgjedhor do të hynte në fuqi (ndoshta edhe zonat zgjedhore).  Nga përvoja me zgjedhjet e kaluara, është pothuajse e garantuar që KQZ-ja nuk mund të ballafaqohet me këtë sfidë. Zgjedhjet e lira dhe të drejta do të mbesin një dëshirë jona. Gjithashtu, këto me gjasë mund të ndodhin në dimër (kur bëhen 4 vite).

Fletëvotimet e pavlefshme, si dhe ato me ‘telekomandë’ do të rriten tej mase. Keqpërdorimi i tyre do të bëhej jashtëzakonisht më i lehtë dhe më i lirë. Agjendat e niveleve të ndryshme qeverisëse do të bëheshin një, dhe dallimet brenda shoqërisë do të rriteshin. Pak votues do të votonin ndryshe për lokale, ndryshe për Kuvend dhe ndryshe për president. Demokracia kërkon që vlerësimi të jetë i veçantë për secilin nivel, por kjo do të pamundësohej dhe politizimi do të ishte i skajshëm.

Me vetëdije apo pa të, ngadalë jemi duke rrëshqitur në të njëjtin skenar si të zgjedhjeve të kaluara, me shumë palë zgjedhje, në një ditë dimri dhe me institucione hiq më mirë të organizuara. Një debat publik për këtë çështje është i nevojshëm, e ky debat nuk mund të zhvillohet askund tjetër më mirë se në Kuvendin e Kosovës, aty ku duhen marrë vendimet, e jo vulosur ato!

Nga ajo që mund të shihet deri tani, përbërësit e brumit zgjedhor të ardhshëm nuk do të jenë ndryshe nga ato që kishim më parë, dhe rrjedhimisht edhe gjella nuk do të dalë më e mirë. Ndoshta është përfundim ironik, por nëse Kuvendi nuk merr përgjegjësi siç i takon, propozojmë që të lusim ata që vendosën në zgjedhjet e kaluara dhe do të vendosin sërish, komisionerët, që vetëm ata të votojnë në atë ditë, dhe të kemi zgjedhje me lirim 70% si asnjëherë deri më tani.



(Autorët janë analistë pranë Institutit D4D)