Ekonomia - çelësi i së ardhmes së Kosovës

Ethem Çeku Ethem Çeku
Publikuar: 14.02.2012 - 20:11

Jeffrey  Sachs  është një fenomen i rrallë prej ekonomisti akademik, i famshëm për teoritë e tij mbi arsyet pse disa vende janë të varfra dhe disa të pasura dhe, gjithashtu, ai është i famshëm edhe për punën e tij praktike e të suksesshme për të ndihmuar vendet e varfra që të bëhen me të pasura.[Jared Diamond]. Si mundet të kapërcehet kurthi i varfërisë? Rritja ekonomike e Kosovës është sfiduese për klasën politike dhe për institucionet tona në përgjithësi. Thomas Jefferson theksonte se institucionet politike janë ndërtesa njerëzore që duhet të veprojnë me ndërgjegje për të plotësuar nevojat e shoqërisë. ”Qeveritë ngrihen në mes njerëzve”, theksoi Jefferson maksimën, e cila ka bërë jehonë që nga ajo kohë për të siguruar të drejtat e jetës, lirisë dhe kërkimit të lumturisë. Qeveritë gjithnjë më shumë duhet të kalojnë një provim, pra të dëshmojnë nëse mundin ose jo t’i përmirësojnë kushtet njerëzore. Siç theksoi Jeffersoni: nëse çfarëdo lloji qeverie bëhet shkatërrimtare e këtyre qëllimeve, është e drejtë e popullit ta ndryshojë atë. Ndërkaq, Adam Smith besonte se sistemi ekonomik duhet të marrë po në këtë mënyrë formën e shërbimit për nevojat e njeriut. Këndvështrimi i tij ekonomik ecën paralelisht me kuadrin politik të Jeffersonit.  

Immanuel Kanti, filozof vigan i iluminizmit gjerman, theksonte se tregtia ndërkombëtare mund të luajë një rol parandalues në çështjen ndërkombëtare: “Shpirti i tregtisë, i cili është i papajtueshëm me luftën, herët a vonë do të fitojë përparësinë në të gjitha shtetet. “Duke qenë se fuqia e parasë është siguria e të gjitha fuqive, përfshirë edhe fuqinë e shtetit, shtetet do të shohin veten të detyruar, pa asnjë përkufizim moral, të promovojnë paqe të ndershme dhe përmes ndërmjetësimit të parandalojnë luftën sa herë ajo kërcënon të shpërthejë”. Vlera dhe fuqi a e një shteti në kontekstin ndërkombëtar po ashtu matet me forcën e tij prodhuese dhe me aftësitë për të konkurruar në tregjet ndërkombëtare. Janë të njohura faktet se vendi ynë është i pasur me rezervat e mëdha të linjitit, plumbit, zinkut dhe mineraleve të tjera, të cilat japin kredibilitet shumë të fuqishëm në arenën ndërkombëtare. Xhozef Stiglitz, ish-zëvendës president i Bankës Botërore dhe fitues i çmimit “Nobel” për ekonomi thekson në librin e tij “Globalizimi dhe pakënaqësitë e shkaktuara prej tij”  se resurset natyrore mund të kthehen në faktor jozhvillues, në qoftë se klasa politike e një vendi nuk arrin të bëjë marrëveshje të mira me investitorët”. Ai vë në pah se shumë ekipe këshillëdhënëse të institucioneve me renome ndërkombëtare nuk u kanë afruar këshillime të mira qeverive të vendeve të varfra dhe atyre në zhvillim. Dhe si rezultat i këshillimeve jo të mira këto vende u përballen edhe më tej me varfëri ekstreme dhe u rritën në masë të madhe kontradiktat e brendshme të këtyre shoqërive. Marrëveshjet e këqija të bëra, reflektuan që e ardhmja e këtyre shteteve të jetë e paqëndrueshme dhe me tensione të brendshme dhe të jashtme. “Mallkimi i resurseve”, sipas Stiglitz-it, ka ndodhur kryesisht në vendet afrikane, të cilat nuk arritën t’i valorizojnë resurset natyrore për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për arritjen e mirëqenies njerëzore.

 Historiku i zhvillimit ekonomik të Kosovës ka treguar se pasuria natyrore e saj nuk po reflekton në progresin ekonomik. Po e përsërisim historinë!

- A mori Komiteti Drejtues i Projektit Kosova e Re këshillime të mira për pakon tenderuese?

- A do të arrijë ky projekt që t’i sjellë benefite ekonomisë kosovare?

- A do të respektohen objektivat e vendosura në Strategjinë e energjisë 2009-2018, të miratuara në Parlamentin e Kosovës?

- A do të bartë konsekuenca financiare qytetari ynë dhe shteti i Kosovës nga kjo pako?

Ne kemi theksuar se kjo pako tenderuese, ashtu siç është sot, do të vendosë për një kohë të gjatë monopolin energjetik, do të rrisë tarifat në një ambient monopolist dhe do të ngarkojë shtetin e Kosovës me  garancinë e kontratës për shitblerjen e energjisë elektrike. E kuptojmë se kjo Qeveri dëshiron të bëjë hapa të shpejtë në këtë sektor për të siguruar furnizim të rregullt me energji elektrike dhe për të arritur kohën e madhe të humbur. Por duhet të kemi kujdes të jashtëzakonshëm në hapat që duhet bërë me pakon tenderuese, sepse implikimet e gabuara janë me pasoja afatgjate në ekonominë tonë. 

Pse nuk duhen të jenë blloqet e “Kosovës B” në një pako tenderuese me projektin “Kosova e Re”

Të gjitha analizat e bëra kanë rezultuar me idenë se në blloqet e Kosovës B duhet të bëhen investime: në elektrofiltra dhe në disa pjesë të tjera. Këto investime të bëra, që mund të kushtojnë rreth 60 milionë euro, do të bëjnë që një bllok i Kosovës B të prodhojë rreth 1 milion e 800 mijë MGW/h në vit. Duke parë se çmimet e energjisë po rriten, dy  blloqet e Kosovës B janë shumë të qëndrueshme financiarisht dhe shumë profitabile. Aksionet, të cilat iu kanë afruar shtetit tonë në  projektin e Kosovës së Re, në emër të futjes së këtyre dy blloqeve të Kosovës B në pakon tenderuese janë minimale. Blloqet e Kosovës B do të ruajnë konkurrencën, do t’i ruajnë vendet e punës dhe njëkohësisht do të sigurojnë energji me tarifa të konkurruese. Energjia e prodhuar nga këto blloqe do të ndikojë drejtpërdrejt në stimulimin e prodhimeve tona nga bujqësia, infrastruktura dhe shërbimet e tjera dhe do të ndikojë në progresin e përgjithshëm ekonomik të vendit. Sot është e domosdoshme që të arrijmë një konsensus në shoqërinë tonë për të ardhmen energjetike dhe për politikat zhvilluese të vendit, duke minimizuar inatet politike, duke larguar feudet politike dhe duke vepruar si qytetar që e duam atdheun tonë!

 (Autori ka qenë ministër i Energjisë dhe i Minierave të Kosovës)