Lotët e Koresë së Veriut

Ian Buruma Ian Buruma
Publikuar: 17.01.2012 - 20:22

Ho Chi Minh, 9 janar – A mund të çmendet një popull i tërë? Nganjëherë duket se është ashtu.

Pamjet e qindra e mijëra verikoreanëve, që qanin me zë rreth vdekjes së Kim Jong-ilit të shpien në një konstatim tejet shqetësues. Mirëpo, për çfarë ishte fjala? Mos ishte ritual i mazohizmit kolektiv?

Kim ishte diktator brutal, që vetes i rinte gati me rakinë më të mira franceze (me një vlerë prej 500.000 dollarësh në vit), sushi të freskët që i vinte nga Tokio dhe kuzhinierët më të mirë që mund të bliheshin me para, derisa miliona bashkëvendës të tij vdisnin urie. Megjithatë, ja ku ishin ata, turmat e të nënshtruarve të tij, që qanin me zë për vdekjen e Kimit, sikur ta kishin humbur babanë e tyre.

Natyrisht se njerëzit që qanin publikisht në Fenian i takojnë klasës më të privilegjuar, derisa britmat janë mënyrë tradicionale koreane e shprehjes së pikëllimit. Megjithatë, transmetimet dramatike nga Koreja Veriore dukeshin shqetësuese. A mund të ketë sqarim të logjikshëm për një gjë të tillë?

Pikësëpari, verikoreanët nuk janë të vetmit. Asnjë shtet nuk hoqi më shumë se Polonia nga brutaliteti i Joseph Stalinit, mirëpo shumë polakë qanë publikisht pas vdekjes së tij. Natyrisht se është e mundur që një gjë e tillë ishte bërë me zor. Jo vetëm që njerëzit u desh të toleronin torturën, mirëpo edhe ta falënderonin torturuesin dhe të qanin për vdekjen e tij.

Natyrisht se verikoreanët që refuzojnë të shfaqin pikëllim të thellë rrezikojnë të futen në telashe të mëdha – dëbimin e fëmijëve të tyre nga shkolla, shkatërrimin e karrierës, e mbase edhe dërgimin në kampet e punës. Besimi në propagandë në një shtet totalitar mund të jetë formë e ekzistencës. Sa më shumë që dikush ndien dyshim, i cili nuk mund të shprehet haptas, aq më e vështirë i bëhet jeta.

Se a mundet një qenie inteligjente ta detyrojë veten që të besojë në çmenduri totale është pyetje interesante. A mund të shtypet skepticizmi njerëzor? Natyrisht se nuk ka fije dyshimi se ai mund të heshtet.

Megjithatë detyrimi, ndonëse faktor në skenat nga Feniani, mbase nuk është sqarimi i vetëm. Histeria masive mund të marrë shumë forma. Është shumë lehtë të supozohet se sjelljet e tilla të turpshme janë gjithnjë false, një formë aktrimi. Ta marrim, për shembull, një rast më të lehtë të histerisë publike: emocionet e jashtëzakonshme të shprehura nga shumë njerëz në Britani pas vdekjes së princeshës Diana. Burra dhe gra që e kishin njohur vetëm nga ballinat e revistave dhe pamjet televizive pohonin se vdekja e Dianas i kishte prekur më shumë sesa ajo e prindërve të tyre. Ata mbase nuk po gënjenin. Mund të tingëllojë groteske, mirëpo ndjenja dukej të ishte e sinqertë.

Ne shpesh e shtypim dhimbjen e vërtetë, si ajo e shkaktuar nga humbja e një familjari. Mpirja, e jo histeria, mbretëron në atë raste. Megjithatë ndjenjat tona duhen disi të shprehen dhe ato shfaqen kur vdes një i famshëm.

Të gjitha emocionet e grumbulluara të dhimbjes së vërtetë personale shpërthejnë në një rast publik. Njerëzit që qanë për princeshën Diana qanë në të vërtetë për më të dashurit e tyre.

Nganjëherë, vdekja e një figure publike na bën të qajmë për faktin se jeta po na kalon para syve. Nuk ka rëndësi nëse personi që ka vdekur është princeshë e adhuruar, këngëtar i popullarizuar apo diktator brutal. Ne u rritëm me ta; ata janë pjesë jona. Kur ata vdesin, një pjesë e jona vdes me ta.

Histeria masive mund të përhapet shumë shpejt. E vizitova Korenë Veriore vitin kur vdiq babai i Kim Jong-ilit, Kim Il-sung. Pjesë e programit tonë obligativ turistik ishte që t’i bënim nderime përmendores së tij – një statuje gjigante në qendër të Fenianit. Ne qëndronim para statujës së Liderit të Madh, e rrethuar me lule, derisa vaji i grave jehonte përmes altoparlanteve të mëdha.

Shikoja radhët e nxënësve të uniformuar, që dërgoheshin tek monumenti nga mësuesit e tyre. Ata nuk shfaqnin emocione fillimisht, me fytyra të njerëzve të mësuar që autoritetet t’u tregojnë si të sjellen. Pastaj mësueset filluan të qanin me zë, duke bërtitur “Baba, baba, përse na braktise?” Pak nga pak, fëmijët ndoqën shembullin e mësueseve, duke qarë me zemër. Ata qanin sapo shihnin mësueset duke qarë.

A ishte kjo një shprehje e sinqertë pikëllimi? Kush mund ta dijë? Lotët dukeshin të vërteta. Mësuesit dhe nxënësit mbase kanë ndier diçka, kanë mundur të ndienin madje edhe zemërim të thellë. Disa mbase kanë qenë aq të indoktrinuar sa të ndiejnë se Lideri i Madh ishte babai i vërtetë, të cilit i kishin borxh gjithçka.

Të tjerët natyrisht se shfaqën emocionet e vërteta që rridhnin prej problemeve të tyre personale. Edhe ashtu, verikoreanët e varfër kanë arsye për të qarë. Jeta në një diktaturë totalitare është mizerje e përditshme. Prandaj, ata qajnë për njerëzit që janë përgjegjësit më të mëdhenj për këtë gjë.



(Autori është profesor i Demokracisë dhe të Drejtave të Njeriut në kolegjin Bard. Ky vështrim është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore, “Project Sindycate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)