Modeli i rritjes ekonomike dhe politika

Publikuar: 20.07.2011 - 19:51

Rritja ekonomike e furnizuar nga borxhi, në një kuptim të rëndësishëm nuk është bota reale, për arsye se në botën reale, rritja ekonomike varet nga faktorët realë siç janë cilësia dhe sasia e arsimit, etika e punës, profili i popullsisë, cilësia dhe sasia e biznesit, pajisjet ekzistuese, organizimi i biznesit, cilësia e lidershipit publik dhe cilësia (por jo sasia) e rregullave ekzistuese, si dhe shkalla e masave shtrënguese.

Zhvillimi i modelit që ka ndjekur Shqipëria është bazuar në integrimin politik, institucional dhe tregtar në BE, që është shoqëruar nga një lëvizje e rëndësishme e fuqisë punëtore në disa vende anëtare të BE (kryesisht Greqi dhe Itali). Asetet kryesore të parakrizës, si anëtarësimi në BE ose afërsia me BE-në, ndërtimi i institucioneve dhe hyrja në treg, niveli relativisht i lartë i masës së kapitalit njerëzor dhe fusha e veprimit në lidhje me rritjen e produktivitetit, vazhdojnë të jenë të përshtatshme si dhe të nxisin optimizmin rreth prospekteve të rritjes. Por megjithatë, ende nuk janë shfaqur disa prej dobësive të ashpra strukturore të Shqipërisë, gjë që vërteton se duhet të korrigjohen të metat që janë vënë re në politikën fiskale, monetare dhe financiare, me qëllim që të përmirësohet qëndrueshmëria e rritjes; fatkeqësisht, të tilla korrigjime tashmë duhen bërë në një mjedis më të rënduar të kushteve të jashtme dhe të brendshme.
Tashmë, rilansimi i rritjes ekonomike në Shqipëri do të kërkonte një përdorim më efikas të kursimeve në krahasim me të kaluarën. Instrumentet e politikës si mbështetja e kreditimit për SME–të, lehtësitë e kreditimit për të mbështetur marrjen e aftësive profesionale, ritrajnimi dhe adoptimi i teknologjisë së re, kontrollet mbi hipotekën e huadhënies, mund dhe duhet të përdoren për t’u siguruar se kursimet do të rrjedhin në drejtimin që mbështet rritjen e qëndrueshme dhe vë nën zgjedhë dobësitë në llogaritë e jashtme. Një gjë e tillë duhet të balancohet me nevojën për programe të stimulit fiskal në afate më të shkurtra për ngritjen e përqindjeve të kursimit në sektorin familjar, si dhe në kushtet e vështira të eksportit, në të cilat, me siguri, kërkohen përmirësime në strukturën e programeve të shpenzimeve dhe veçanërisht, ridrejtimi drejt çështjeve të tilla që kanë lidhje direkte me rritjen ekonomike si arsimi dhe infrastruktura.
Në qoftë se konsiderohet rëndësia e forcimit të sektorit të mallrave dhe shërbimeve të tregtueshëm, atëherë duhet të shfrytëzohet tërë hapësira e kapitalit njerëzor, teknologjia, politikat industriale dhe ato rajonale, me përshtatshmëri të veçantë për një ekonomi që deri tani nuk ka qenë në gjendje ta përmbysë që herët procesin e thellë të deindustrializimit, si dhe ku format e investimit nuk kanë favorizuar zgjerimin e sektorëve të mallrave dhe shërbimeve të tregtueshëm. Politika të tilla duhet të hartohen për të përgatitur bazën si dhe për ta bërë vendin tërheqës kur të rifillojë investimi i huaj, gjë që mund dhe duhet të procedojë përsëri me integrimin e prodhimit ndërkufitar, gjë që kërkon koordinimin e Shqipërisë me Komisionin Europian, në mënyrë të tillë që të mbështetet me kohë rilançimi si dhe të forcohet trajektorja e qëndrueshme e rritjes ekonomike.
Përfundimisht, politikat e drejtuara te rritja dhe te dobia e forcës punëtore në dispozicion si dhe te përmirësimi i cilësisë së saj nëpërmjet politikave të përmirësuara të kapitalit njerëzor, duhet të jenë çështja kryesore në agjendën e politikës shqiptare; Shqipëria mund dhe duhet të mësojë artin e politikës së suksesshme të migracionit (dhe përmirësimit të kapitalit njerëzor).
Në kohën e shfaqjes së tij, modeli ekzistues kishte kuptim të konsiderueshëm, për arsye se ankorimi institucional ishte një mënyrë për zvogëlimin e gjykimit dhe të gabimit në procesin e ndërtimit të institucioneve ekonomike nga hiçi; tregtia siguroi tregje për rritje dhe një kuadër për zbulimin e avantazhit krahasues; rrjedhat e kapitalit nga vendet e pasura ishin një përgjigje shkencore për mungesën e pajisjeve moderne dhe infrastrukturës; Investimi i Huaj Direkt zëvendësoi mungesën e përvojës së menaxhimit dhe ndihmoi për të adresuar prapavijën teknologjike; përfundimisht, lëvizja e fuqisë punëtore ndihmoi për të kufizuar koston sociale të transicionit.
Krizat janë pikërisht momentet kur politikëbërësit dhe qytetarët mësojnë çfarë duhet të bëjnë dhe çfarë duhet të mos bëjnë, dhe ky është argumenti përse krizat e së kaluarës shpesh shikohen si arsye madhore të kthesave. Duke marrë në konsideratë faktin se ankorimi institucional në BE mbetet një udhërrëfyes i qartë për Shqipërinë, pavarësisht zhvillimeve të saj, nuk mbetet gjë tjetër veçse të ruhet modeli ekzistues i rritjes, duke përmirësuar kushtet e anës së kërkesës (veçanërisht sektorët e mallrave dhe shërbimeve të tregtueshëm), të krijohen kushte të përshtatshme për integrimin financiar, duke u fokusuar në një kuadër të fortë ligjor për mbikëqyrje, që përfshin ndarjen e përgjegjësisë ndërmjet vendit pritës dhe vendit amë si dhe të bihet në ujdi mbi mënyrat e kufizimit të kreditimit me tepri dhe ekspozimit të tejkaluar të riskut të përqindjes së këmbimit. Për sa i përket frontit të menaxhimit të ndikimit të krizës, mund të përdoren shumë mjete për të lehtësuar të drejtën e hyrjes në problemin e likuiditetit.
Në këtë kontekst shtrohet çështja, nëse duhet një model i ri i rritjes ekonomike apo i duhen bërë ndryshime modelit ekzistues?!
‘Gallup Balkan Monitor’: Zërat e Ballkanit, realizuar nga EFB dhe Gallup Europe – Gazeta ‘MAPO’, datë 1 mars, 2011, faqe 4, ndër të tjera vinte në dukje: “1/3 e të anketuarve, ose ndryshe 34 për qind e tyre, ndiejnë se situata ekonomike në Shqipëri është drejt përkeqësimit, vlerë kjo e cila ka pësuar rritje nga 2009-a, e cila ka qenë në nivelet 26 për qind. Mbështetja e shqiptarëve për integrimin europian mbetet ndër më lartat në rajon, me 81 për qind në krahasim me një vit më parë”.
Në vitin 2008, BE–ja ishte destinacioni i përmbi 50 për qind të eksporteve të shtatë prej tetë vendeve, si Shqipëria, Bosnje– Hercegovina, Kroacia, ish–Republika Jugosllave e Maqedonisë, Moldavia, Mali i Zi dhe Serbia dhe 47.8 për qind Kosova, gjë që tregon se BE–ja mbetet tregu më i madh i tyre. 79.7 për qind e eksporteve shqiptare iu adresuan BE–së dhe vetëm 13.9 për qind vendeve të tjera anëtare të CEFTA.
Modeli i brishtë i rritjes ekonomike i dhjetë viteve të fundit ka pasur karakteristikat që vijojnë: (i) u bazua në huamarrjen e huaj ekstreme që i çoi në deficite financiare; (ii) u udhëhoq nga konsumi; dhe (iii) tregu i punës (pavarësisht rritjes së PBB–së) u ndrydh në mënyrë domethënëse. Si strategji daljeje nga rënia ekonomike, nga studiues të shumtë theksohet nevoja për: (1) projekte ndër-rajonale të shkallës së madhe të infrastrukturës (pavarësisht kufizimeve të tanishme fiskale dhe mungesës së vullnetit ndërmjet elitave politike dhe ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor për kooperimin rajonal) dhe (2) joshja e Investimit të Huaj Direkt (IHD), veçanërisht nga Gjermania.
Pothuajse të gjithë studiuesit vënë në dukje se politika e ditëve të sotme është bërë një aset për rajonin, ndërkohë që ekonomia është bërë një detyrim, dhe megjithatë, ata nuk kanë dyshime se rënia ekonomike nuk do të ndikojë negativisht mbi progresin e bërë në sferën politike.
Por rritja e vogël e eksporteve përbrenda vendeve të Ballkanit Perëndimor (veçanërisht ndërmjet vendeve të ish–Jugosllavisë) ka ngjallur shpresa te studiuesit, të cilët sugjerojnë se ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të lëvizin drejt modelit ekonomik të udhëhequr nga eksporti duke joshur IHD, që do t’i ndihmonte kompanitë vendase të orientoheshin nga eksporti. Edhe pse është përsëritur ideja se ka shumë vend për rritjen e mëtejshme të kooperimit në rajon, veçanërisht për projektet ndër-rajonale të infrastrukturës lidhur me transportin (hekurudha, rrugë, linja ujore) dhe energji (rrjetet e shpërndarjes së naftës dhe gazit likuid), si parakusht të domosdoshëm, studiuesit shohin rregullat transparente të prokurimit.
Prospektet e ardhme demokratike të Shqipërisë varen gjerësisht nga gatishmëria dhe vullneti i forcave të saj kryesore politike për t’iu përmbajtur rregullave demokratike dhe për të shmangur luftën shkatërruese politike, si dhe duke rritur aftësinë për të prodhuar qeverisje të mirë, gjë që ndiqet nga një rritje ekonomike më e madhe, gjë që siguron shtetin ligjor dhe ndalon korrupsionin me më shumë gjallëri, në të kundërt rivaliteti i gjatë ndërmjet forcave politike, i udhëhequr më shumë nga interesa dhe ambicie personale, si dhe nga interesa të ngushta partie, por jo nga diferenca politike dhe ideologjike, do të pengojë përpjekjet për të vendosur një demokraci të plotë funksionale.