NATO-ja dhe Turqia e re

Sinan Ulgen Sinan Ulgen
Publikuar: 18.06.2011 - 20:09

Stamboll, 16 qershor – Turqia u anëtarësua në NATO në fillim të luftës së ftohtë, për ta siguruar mbrojtjen e SHBA-së në rast të ndonjë sulmi sovjetik. Atëbotë Turqia ishte në vijën e parë të frontit, derisa sot liderët e këtij shteti janë duke e ndjekur me vetëbesim një politikë të pavarur të jashtme dhe të sigurisë. Tani pikërisht ky vetëbesim turk është duke e vënë në sprovë kohezionin e Aleancës.

Ndërkohë bashkëpunimi midis NATO-s dhe Bashkimit Evropian ka stagnuar si rezultat i mospajtimeve me Turqinë rreth Qipros së ndarë. Për më tepër, për dallim prej shumicës së shteteve anëtare të NATO-s, Turqia insiston se Irani dhe Siria nuk duhet të konsiderohen kërcënime. Po ashtu, derisa kriza libiane rëndohej gjithnjë e më shumë, kryeministri i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, u shpreh kundër aksionit ushtarak.

Si rezultat i kësaj, ka shumë njerëz që pohojnë se Turqia është duke ia kthyer shpinën Perëndimit. Mirëpo, më mirë do të ishte të thuhej se Turqia është duke e shtrirë fushëveprimin. Turqia mund të shkaktojë tensione përbrenda NATO-s, mirëpo qëndrimi i saj paraqet një balancë të besnikërisë së saj ndaj aleancës dhe trajtimit të interesave të veta shtetërore.

Ndryshimet gjeopolitike, si përfundimi i luftës së ftohtë dhe nisma e kohëve të fundit për demokraci në Lindjen e Mesme, krahas dëshirës për të pasur “zero probleme” me fqinjët e vet, kanë krijuar objektiva të reja për strategët turq të politikës së jashtme.

Pasojë kryesore e kësaj politike të re të jashtme të Turqisë ka qenë ndryshimi i balancës së pushtetit midis qarqeve ushtarake dhe atyre civile të shtetit. Një pasojë më pak e rëndësishme është ndryshimi i raporteve midis Turqisë dhe Perëndimit.

Përgjatë viteve të kaluara, partneriteti në fushën e mbrojtjes përfaqësonte shtyllën në raportet e Turqisë me Perëndimin. Megjithatë raporti ishte asimetrik, në kuadër të të cilit Turqia, si konsumuese e sigurisë, varej në masë të madhe nga Perëndimi. Opsionet e Turqisë në fushën e politikës së jashtme ishin të ngushtuara, për shkak se ato duhej të përputheshin me qëndrimet e asaj që i ofronte siguri.

Megjithatë tani kjo perspektivë ka ndryshuar në masë të madhe, duke e ulur domosdoshmërinë që Turqia të veprojë në harmoni me Perëndimin. Për më tepër, ulja e preokupimit të Turqisë me integritetin territorial e ka ulur leverazhin e Perëndimit. Si rrjedhojë, ulja e rëndësisë së partneritetit në fushën e sigurisë ia ka hapur Turqisë duart në politikën e jashtme.

Megjithatë, do të ishte gabim të thuhej se Turqia po largohet nga NATO-ja. Turqia vazhdon të jetë anëtare aktive dhe me ndikim dhe shpreson që të përfitojë shumë nga anëtarësimi. Turqia i është përkushtuar NATO-s dhe buxheti i saj ushtarak pak a shumë përmbush kriterin e NATO-s për shpenzime në mbrojtje në masën prej dy për qind të GDP-së. Turqia po ashtu dërgon ushtarë në operacionet e NATO-s e këtu vlen të theksohet Afganistani. Roli i Turqisë përbrenda Aleancës është më aktiv sesa i pjesës më të madhe të shteteve të tjera anëtare.

Turqia është duke e shtyrë aleancën që t’u përshtatet sfidave të reja në fushën e sigurisë, ndonëse respekton në mënyrë strikte politikat e NATO-s për material bërthamor. Turqia është një nga gjashtë shtetet anëtare të NATO-s, në territorin e të cilës ndodhen armët taktike bërthamore të SHBA-së për më shumë se 40 vjet, përfshirë 90 bombat B61. Gatishmëria e armëve bërthamore në territorin e saj – brenda javësh apo muajsh, e jo orësh – i jep pak rëndësi strategjike. Megjithatë, Turqia gjithnjë ka argumentuar se armatimi bërthamor në duart e NATO-s ka rëndësi jetike në zmbrapsjen e kërcënimeve dhe sigurinë kolektive të aleancës.

Është e vërtetë se qëndrimi i Turqisë tani nuk përputhet me atë të tri shteteve të Evropës Perëndimore – Belgjikën, Gjermaninë dhe Holandën – të cilat kërkojnë tërheqjen e armatimit bërthamor amerikan prej territoreve të tyre. Turqia insiston se vendimet e tilla nuk mund të merren në mënyrë të njëanshme dhe se konsensusi në nivel të NATO-s është i domosdoshëm për ta ndryshuar këtë element kritik të politikave bërthamore të aleancës.

Turqia është po ashtu e përfshirë në mënyrë aktive në rishikimet e sigurisë të ndërmarra nga NATO-ja, të cilat synojnë arritjen e një balancimi midis kapaciteteve bërthamore dhe konvencionale të aleancës, duke e sqaruar po ashtu rolin e mbrojtjes raketore në këtë kontekst. Zyrtarët turq thonë se ata nuk do të kundërshtonin asnjë program që do ta përforconte sigurinë e NATO-s. Megjithatë, ata i druajnë vendosjes së një sistemi antiraketor që do të kishte në cak vetëm fqinjët e Turqisë.

Si rezultat i kësaj, liderët e Turqisë i kanë vënë tri kushte për pranimin e një programi të tillë. Së pari, sistemi do të duhej të merrte parasysh rreziqet aktuale në fushën e sigurisë, bazuar në kapacitetet ekzistuese të shteteve joanëtare të NATO-s. Së dyti, sistemi do të duhej të mbulonte tërë territorin e Turqisë. Në fund, për shkak se Turqia nuk dëshiron të bëhet shtet në vijën e parë të frontit në Lindjen e Mesme, ashtu si edhe gjatë luftës së ftohtë, ajo kundërshton fuqimisht identifikimin e Iranit dhe Sirisë si kërcënime të drejtpërdrejta.

Sot anëtarësimi në NATO paraqet për Turqinë vetëm një aspekt të politikës së saj të sigurisë. Qeveria turke është duke kërkuar rol më të madh në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe si rrjedhojë, politikat e saj jo gjithmonë përputhen me ato të shteteve dërrmuese të NATO-s. Megjithatë, liderët e Turqisë nuk kanë për qëllim të vënë në rrezik kohezionin dhe efektshmërinë e NATO-s. Në të kundërtën, synimi i tyre është që të përforcohet pozicioni i Turqisë në NATO, në mënyrë që aleanca të pasqyrojë më lehtë objektivat e veta.



(Autori, kryetar i Qendrës së Stambollit për Ekonomi dhe Studime të Politikës së Jashtme (EDAM), është bashkëpunëtor i “Carnegie Europe”. Ky vështrim është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore “Project Sindycate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)