Kejnesianët e humbur të Evropës

Kenneth Rogoff Kenneth Rogoff
Publikuar: 31.05.2013 - 22:14

Për telashet me të cilat po përballet eurozona nuk ka ndonjë fishek magjik kejnesian. Por, argumenti që po përdoret me të madhe kohët e fundit është se masat e tepërta të kursimit po e ngufasin Evropën, gjë që nuk paraqet edhe befasi të madhe. Komentuesit  janë të konsumuar nga politika, derisa masat “kundër kursimit” me sa duket besojnë se ekzistojnë zgjidhje të shpejta ciklike ndaj problemeve të rënda strukturore.

Vështirësitë e eurozonës, siç kam thënë tashmë një kohë të gjatë, rrjedhin nga integrimet financiare dhe monetare evropiane, të cilat i kanë lënë shumë prapa vetes unionet politike, fiskale dhe bankare. Ky nuk është një problem me të cilin Kejnesi ishte marrë dhe që ishte munduar ta adresojë.

Mbi të gjitha, çfarëdo strategjie reale për trajtimin e krizës së eurozonës duhet të përfshijë falje të mëdha borxhesh të shteteve periferike. Këto borxhe të mëdha të shteteve e bën ëndërr rritjen e qëndrueshme.

Kjo nuk është hera e parë që e kam theksuar domosdoshmërinë për shlyerjen e madhe të borxheve. Dy vjet më parë, në një koment pata shkruar se “Evropa ndodhet në krizë kushtetuese. Askush nuk duhet se e ka fuqinë për të imponuar një zgjidhje të arsyeshme të krizës së borxheve me të cilat përballen shtetet periferike. Në vend të ristrukturimit të borxheve të paqëndrueshme të Portugalisë, Irlandës dhe Greqisë, politikanët janë duke u munduar që të miratojnë pako gjithnjë e më të mëdha shpëtimi me kushte gjithnjë e më strikte”.

Bashkautorja ime e dikurshme, Carmen Reinhart, e ka paraqitur të njëjtin qëndrim, mbase në mënyrë edhe më të qartë. Në një editorial të botuar në maj të 2010-ës në “The Washington Post”, ajo ka përshkruar “Pesë mitet rreth krizës evropiane të borxheve”. Në mesin e tyre është miti i tretë se “Masat strikte fiskale do të zgjidhin krizën evropiane të borxheve”. Ne e kemi përsëritur këtë gjë dhjetëra herë në raste të ndryshme.

Në rast të një ristrukturimi borxhesh, shtetet veriore të eurozonës (përfshirë Francën) do të shohin humbjen e qindra miliarda eurosh. Tatimpaguesit veriorë do të jenë të detyruar të injektojnë sasi të mëdha kapitali në banka. Këto qindra miliarda euro tashmë janë të humbura dhe nuk mund të shtiremi pafundësisht se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

Çfarë tjetër duhet të ndodhë? Në mesin e hapave të tjerë janë ristrukturimi ekonomik në nivel shtetëror dhe integrimi politik i eurozonës. Në një koment tjetër unë pata konstatuar se “pa integrim më të thellë politik dhe ekonomik – i cili mund të përfundojë duke mos përfshirë të gjitha shtetet aktuale anëtare të eurozonës – euroja mund të mos mbijetojë deri në fund të këtij dhjetëvjeçari”.

Këtu sytë mund të jenë të drejtuar kah Gjermania, por sot është Franca ajo që do ta luajë rolin kryesor në vendosjen e fatit të euros. Gjermania nuk mund ta bartë e vetme barrën e euros. Franca duhet të bëhet pika e dytë e rritjes dhe stabilitetit.

Masat e përkohshme kejnesiane të kërkesës mund të ndihmojnë rritjen e kërkesës afatshkurtër të brendshme, por ato nuk mund të zgjidhin problemet afatgjata franceze me konkurrencën. Në të njëjtën kohë, Franca dhe Gjermania duhet që të arrijnë marrëveshje për një qasje që nxit union shumë më të madh politik brenda disa dhjetëvjeçarëve. Përndryshe, unioni i ardhshëm bankar dhe transferet fiskale do të kenë mungesë të legjitimitetit të domosdoshëm politik.

Siç ka thënë kolegu im, Jeffrey Frankel, elitat gjermane për më shumë se njëzet vjet kanë insistuar se eurozona nuk do të jetë union transferesh. Por, në fund, gjermanët e zakonshëm kanë dalë të kenë të drejtë dhe elitat gabim. Në të vërtetë, po qe se duam që eurozona të mbijetojë, shtetet veriore do të duhet të vazhdojnë ndihmën te periferia me hua të reja, derisa të mos kthehet qasja te tregjet private.

Pra, duke pasur parasysh se Gjermania do të vazhdojë të barttë humbjet (pa marrë parasysh se a mbijeton eurozona apo jo), si mund ta përdorë ajo bilancin e saj të suksesshëm të gjendjes për të lehtësuar problemet evropiane me rritjen? Natyrisht se Gjermania duhet të vazhdojë të kërkojë rol edhe më të madh për Bankën Qendrore Evropiane, me gjithë rreziqet e nënkuptuara fiskale. Nuk ka një rrugë të sigurt përpara.

Shlyerjet e borxheve dhe garancive në mënyrë të pashmangshme do ta rrisin borxhin shtetëror gjerman, pasi që autoritetet do të jenë të detyruara të nxjerrin nga kriza bankat gjermane (dhe mbase edhe bankat e disa shteteve fqinje). Por sa më shpejt të bëhet transparent autoriteti, aq më të ulëta do të jenë kostot afatgjata.

Sipas mendimit tim, përdorimi i bilancit gjerman të gjendjes për t’i ndihmuar shtetet fqinje drejtpërsëdrejti është shumë më funksional sesa efekti i ekspansionit fiskal.

Kjo fatkeqësisht nuk është përmendur gjatë debatit për Evropën. Megjithatë, sa më e zëshme dhe këmbëngulëse të bëhet lëvizja kundër masave të shkurtimit, nuk do të ketë kurth kejnesiane për borxhin dhe telashet e valutës së përbashkët.

   

(Autori, profesor i ekonomisë dhe politikave publike në Universitetin e Harvardit, ka qenë kryeekonomist i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ky vështrim është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)