Mekanizëm mbrojtës për regjimin pa viza

Tanja FajonTanja Fajon
Publikuar: 30.05.2013 - 09:24

 Kur të miratohet ky mekanizëm, atëherë kërcënimi për pezullimin e regjimit të lëvizjes pa viza do të jetë vërtet real. Prandaj, pushteti dhe qytetarët duhet të bëjnë çmos që të respektohen rregullat, të shmangen abuzimet dhe të zvogëlohet numri i azilkërkuesve të rremë, të cilët vijnë në Gjermani, Zvicër, Belgjikë, Holandë dhe Suedi.

Kaluan dy vjet që kur propozimi i Komisionit është në tryezë. Ky mekanizëm nuk është vetëm për Ballkanin Perëndimor, por për të gjitha shtetet e tjera për të cilat vlen regjimi pa viza. Problemi qëndron në faktin se kemi disa çështje të hapura dhe Parlamenti kërkon të ketë rol më të madh në vendimmarrje. Ideja është se kur një vend anëtar i Unionit kërkon suspendimin e regjimit pa viza, e tërë procedura duhet të shkojë përmes Parlamentit Europian, që të mos ndodhë që kjo të shfrytëzohet si motiv politik, qoftë në fushatë parazgjedhore, qoftë në situata të pazakonshme me emigrantët, e qoftë në ekonomi. Duhet të kemi mekanizma të fortë mbrojtës, me të cilët Parlamenti Europian do të ketë forcë për t’i penguar kërkesat për suspendim. Trysnia e vendeve të Unionit është shumë e madhe për arsye të gjendjes së përgjithshme në Europë: asaj financiare, ekonomike, sociale, morale. Njerëzit nuk kanë punë dhe qeveritë druhen nga trysnia që vjen nga jashtë. Mendoj se ky mekanizëm do të miratohet së shpejti edhe për shkaqe të tjera. Ka shumë shtete që kërkojnë regjimin pa viza dhe qeveritë në Bashkimin Europian nuk dëshirojnë ta hapin përsëri derën pa e pasur mekanizmin mbrojtës. Prandaj miratimin e mekanizmit mbrojtës e pres ndoshta jo para pushimeve verore, por shumë-shumë shpejt. Dhe atëherë kërcënimi bëhet real për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në veçanti për Serbinë dhe Maqedoninë, të cilat kanë numrin më të madh të azilkërkueseve gjatë periudhës së kaluar.

Procedura është si më poshtë, p.sh. nëse në Gjermani ka situatë alarmante, sepse papritur rritet numri i azilkërkuesve nga një shtet, atëherë Gjermania do të kërkojë nga Komisioni Europian të shqyrtohet situata. Më pas vendimi varet nga shumica në Këshillin e Europës. Shumica e thjeshtë do të japë miratimin e vendimit për suspendimin e përkohshëm të regjimit pa viza, për një ose më shumë shtete të Ballkanit Perëndimor. Do të ndodhë kështu vetëm nëse miratohet mekanizmi, i cili jep të drejtën për të vendosur në lidhje me këtë. Në këtë rast vendimi i Këshillit të Europës do të mund të ishte shumë i shpejtë. Suspendimi do të ishte vetëm për disa javë. Prandaj vlerësoj se është shumë me rëndësi që për këtë çështje, Parlamenti Europian të ketë më shumë ndikim. Por, sinqerisht kam frikë se edhe sot ekziston kjo shumicë në vendet e BE-së, të cilat menjëherë do të kërkonin suspendimin e regjimit të vizave për një apo më shumë vende të tjera. Me siguri që ju kujtohet se në të kaluarën ka pasur shumë letra nga Franca, Holanda, Gjermania, Luksemburgu dhe tani para një jave përsëri nga Gjermania, Holanda, Austria. Kështu që kam frikë se shumica e duhur ekziston edhe tani!

Pezullimi fillimisht vlen për gjashtë muaj, me mundësinë për zgjatjen edhe për nëntë muaj të tjerë. Po më pas çfarë? Pyetje e drejtë kjo. Si do të rikthehet vendi përsëri në regjimin pa viza? Kush do ta bëjë atë? Frikësohem se nga këto raste ekziston rrezik i madh që BE-ja të mos kërkojë vetëm suspendim të përkohshëm të regjimit pa viza, por edhe vendosjen e vendit në të ashtuquajturën “lista e zezë e Shengenit”. Ky është skenari më i keq. Shpresoj se realiteti do të jetë i tillë siç do të thotë Komisioni Europian – se asnjëherë nuk do ta shfrytëzojmë këtë mekanizëm, por situata objektive në Europë sot është kjo që është. Për fat të keq! Prandaj njerëzit duhet ta dinë se është e rrezikshme. Se duhet të respektohen rregullat për lëvizjen e lirë, sepse ky është argument i vetëm, të cilin duhet ta kemi parasysh.

FRONTEX na raporton me shifra të sakta dhe këtu Serbia dhe Maqedonia ishin në krye të listave sa i përket numrit të azilantëve të rremë. Gjatë dimrit njerëzit kërkonin ndonjë strehim dhe më shpesh në Gjermani e në shtetet ku sistemi për azilim është më i “butë”, ku mund të rrinë edhe gjysmë viti, ku marrin të holla dhe më pas kthehen në shtëpitë e tyre më të pasur se kur kanë ardhur. Është e rëndë t’i penalizosh njerëzit, por ata duhet ta dinë se regjimi pa viza nuk do të thotë e drejtë për punë dhe qëndrim. Nga ana tjetër, Bashkimi Europian duhet të bëjë më shumë. Nuk ka sistem të përbashkët për azilim. Ka vende të cilat kanë procedura të gjata, në veçanti për Ballkanin Perëndimor. Duhet që këto procedura të shkurtohen. Kështu vepruan Austria, Belgjika dhe Luksemburgu, të cilat shkurtuan proceduarat për azil nga Ballkani Perëndimor. Disa i vendosën shtetet në listat e vendeve të sigurta, sepse janë në procesin e afrimit në Bashkimin Europian dhe prandaj procedurat janë shkurtuar, por njerëzit thjesht nuk shkojnë atje! Kjo është një nga zgjidhjet dhe rekomandimet që japim.

Me të vërtetë është çështje e rëndësishme se përse njerëzit largohen! Me siguri largohen sepse në të shumtën e rasteve janë të detyruar, kërkojnë ndonjë punë dhe jetesë më të mirë. Kur flasim për azilkërkuesit, kemi të bëjmë më shpesh me përfaqësues të minoriteteve dhe më shpesh janë romë. Pushtetet në rajon duhet të krijojnë kushte për jetesë normale, për çdo individ. Këtë proces as Bashkimi Europian nuk mund ta zgjidhë brenda natës. Duhen projekte afatgjata, ku do të investoheshin para, ku do të krijoheshin kushte me të cilat qytetarët do të kishin jetë normale dhe me dinjitet. Kjo vlen edhe për Maqedoninë.

*Eurodeputete në Parlamentin Europian

LECI31.05.2013/10:19

GABIMI ME I MADHE ESHTE SE TE PASURIT PO IKIN NE BOTEN E JASHTME SEPSE KANE VJEDHE SHUME DHE PO DOJNE ME JETUE NE LUKSOS. TE VARFERIT NUK MUJNE ME IK SE NUK KANE PARE.