Berisha përballë zakonit

 Aleksandėr Ēipa Aleksandėr Ēipa
Publikuar: 29.05.2013 - 11:36

Një mosmarrëveshje, e cila në nisje të saj hante diskutim, në favor të PD-së së zotit Berisha. Për të vetmen arsye se pas largimit të LSI-së nga koalicioni qeverisës, sipas së thënës së analistit politik Zogaj: “Meta duhej t’i merrte plaçkat me vete”, duke “bërë dorëzimet e gjithçkaje” që gëzonte sa ishte në qeverisje. Mirëpo të drejtën e vet zoti Berisha e mbuloi me prepotencën dhe formën arbitrare të largimit të anëtarit lsi-ist të KQZ-së, zotit Ilirjan Muho.

Iu vërsul këtij përfaqësuesi, duke nxjerrë nga sirtari biografik i karrierës së tij një “dënim” të ish-presidentit Moisiu, i cili ligjërisht është parashkruar tashmë. U zbulua kjo masë e dikurshme e KLD-së, kur i duhej shumicës parlamentare të zotit Berisha dhe nuk u gjend dot në çastin kur ajo e votoi sapo e propozoi ish-aleati në qeverisje! Mjaftoi urdhri vetëvendosës i Kryeministrit, i pasuar bindshmërisht nga votat e shumicës së re të rikompozuar, që edhe pse u këmbëngul diplomatikisht nga ambasadorë dhe të huaj të rëndësishëm, të largohej anëtari lsi-st i KQZ-së. Në këtë mënyrë startoi kriza në këtë institucion. Opozita reagoi, duke deleguar jo zyrtarisht, reagimet individuale të anëtarëve të propozuar prej saj me aktet pasuese të dorëheqjes së dy anëtarëve të saj dhe më pas edhe të anëtarit minoritar të PBDNJ-së, minoritarit grek Jani Jani.

Kanë kaluar gati dy muaj dhe kjo krizë ka mbetur e patrazuar mes aktorëve dhe palëve, por mjaftueshmërisht një arsye alarmuese për reagimet ndërkombëtare dhe sidomos për interesimin amerikan në Tiranë. Drejtori për Çështjet e Europës Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, po e viziton deri në orët e sotme Tiranën për herë të dytë brenda një muaji. Një riardhje e shumëkomentuar jo vetëm në mediat shqiptare, por e shumëdiskutueshme në mjediset diplomatike dhe selitë e interesimit diplomatik për Shqipërinë.

Shtypi dhe mediat tona kanë rezervuar deri sot një raportim empirik për brendinë e bisedave të zhvilluara dhe për mesazhin konkret zyrtar. Ende nuk është formuluar zyrtarisht komunikata e rastit nga ambasada e SHBA-së në Tiranë. Ndërkaq, nënkuptohet interesimi eksplicit amerikan për “krizën e KQZ”-së, duke u parathënë, sipas raportimeve sipërmarrja e “tutorizmit” ndaj zgjedhjeve në tërësi.

Natyrisht diplomacia amerikane dhe sidomos rikthimet e zyrtarëve të lartë të linjës së saj në një vend, nuk mbesin në brendi kaq të vogla. Ndonëse është i pakapërcyeshëm interesimi për demokracinë dhe sidomos ligjshmërinë në vendet lindore. Ato janë arsye të çështjeve me interesim, të një peshe specifike të lartë dhe në shumë herë kanë të bëjnë me rezonime në perimetra, jo vetëm lokalë. Por kazusi shqiptar i KQZ-së, tashmë është formësuar si një “kopsë” në mos e rënë, së paku fillkëputur, në kostumin e procesit dhe demokracisë zgjedhore në vend.

Jo vetëm diplomatikisht, por së pari politikisht, procesi zgjedhor i 23 qershorit të pritshëm është tashmë seriozisht i kërcënuar. Ky kërcënim, që shfaqet së pari përmes anormalitetit në institucionin kryesor të administrimit dhe certifikimit të procesit, po e rikthen Kryeministrin Berisha në axhendën e udhëheqësit problematik për zgjedhje. Një lojë të tillë kaq komplekse, përveç në vitin 1996, Kryeministri Berisha nuk e ka sjellë ndonjëherë deri në këtë pikë.

Nuk ka përballë kundërshtarin e dikurshëm socialist, por ka një kundërshtar, të cilin e ka lënë në fatin e opozitë-gjatit herë me të drejtë e herë me hile, edhe pse ky, pra Rama, ka qenë po kaq pozitë-gjatë në krye të Bashkisë së Tiranës. Me opozitë-gjatin Rama së fundi është rikthyer në koalicion edhe ortak-lëvizësi i njohur Ilir Meta. Në këtë përballje, zoti Berisha seriozisht nuk e ka të lehtë, jo për shkak të programeve, por për arsye të kohës dhe gjendjes të cilat nuk i ka më aleatë. Sikundër edhe për shkak të kësaj arsyeje të ndërkombëtarizuar, që ka emrin “KQZ”.

Pas takimit, herët në mëngjesin e ditës së djeshme, me udhëheqësin e opozitës Rama, zyrtari i lartë amerikan Moore shmangu komentet, duke respektuar së pari parimin e informimit të balancuar: “Ne duam të sigurohemi se shqiptarët do të kenë besim te procesi zgjedhor, tek institucionet dhe te rezultatet e zgjedhjeve që do të dalin pas 23 qershorit, por unë sapo fillova vizitën time dhe do të kem më shumë për të thënë nesër në mbrëmje në përfundim të vizitës sime”, ka deklaruar Moore.

Në orët e pasdites, duke vijuar turin e takimeve elektorale në juglindje të vendit, zoti Rama ka qenë më ironizues ndaj Kryeministrit Berisha, të cilit për herë të parë i ka rikujtuar kujdesin e lëvizjes së tij me antiplumb dhe trupë sigurie të pakrahasueshme: “Saliu merret përditë me autobusin tonë, dhe e përgojon autobusin. Nuk e di pse.

Më mirë me autobus si gjithë qytetarët se me antiplumb si Saliu. Më mirë me autobus me vajza dhe djem që bashkë me ne udhëtojmë në të gjithë Shqipërinë, sesa me një çetë me 200 roja. Antpiplumb po, çetë me 200 roja po, çfarë ke bërë që të ruajnë kaq shumë Sali? Është koha që Saliu ta heqë antiplumbin dhe ta shpërndajë atë çetën e 200 rojave dhe të shkojë e të bëjë gjyshin me kohë të plotë. Shqipërisë nuk i duhet një gjysh me antiplumb, por Rilindje”.

Një ironi që pasoi me drekën e punës së Kryeministrit me zotin Moore. Ndërkohë që kjo u parapri nga takimi me të sapokthyerin në PD, emigratorin Selami. Axhendë me një regji tipike për ta mirëmbuluar thelbin e qëllimit konkret të vizitës amerikane në Tiranë. Gjithçka e lidhur me procesin në dukje, por në të vërtetë që ka marrëdhënie me udhëheqësin problematik të këtij vendi.

Është rishfaqja besnike e tij në regjinë e njohur të proceseve të vështira zgjedhore, jo për shkak të votimit apo të sjelljes së qytetarëve votues, por për arsye ngërçesh dhe refuzimesh që shfaqen si gjithnjë befas. Në këta 23 vjet, si protagonist kryesor, por jo i vetëm, zoti Berisha rikthen edhe një herë një krizë të njohur parazgjedhore.

Në skenë, si aktor i vjetër, po bën lojën e vet, por përballë nuk ka vetëm opozitë-gjatin, por edhe diplomacinë, aq më tepër atë amerikane. Udhëheqësi problematik i zgjedhjeve rigjendet në prag të recidivizmit (marrë nga “Shqip”).

 

TAFA31.05.2013/10:07

ME SHARJET QE BERISHA IA BENE OPOZITES E KA HASMUE POPULLIN SHUME.PYES ,QVAR MINISTRA DHE KESHILLTAR JANE NJERZIT QE E PERKRAHIN SALIUN DUKE SHARE PERDIT OPOZITEN DHE PERQARJEN E POPULLIT.MENDOJ QE KY NJERI MERITON ME JA SHKUL VESHIN SEPSE PO FOLE SHUM GJERA TE PAVERTETA PER SHKAK SE NUK KA PROGRAM TE ZHVILLIMIT.

LECI 31.05.2013/10:00

AS 2OOO TRUP ROJA NUK MUNDEN ME TE RUJTE KUR TE RRITSH KORUPCIONIN PERDIT DHE GJITHASHTU SHARJET PERDITE.ME 23 QERSHOR SHQIPRIJA DO TE LIROHET NGA NJI NJERI I DOBET QE NUK E KA PASE SHQIPRIJA KURR.