Demokracia, vendet e punës dhe rritja në Evropë

Gerhard Schroeder dhe Jacques DelorsGerhard Schroeder dhe Jacques Delors
Publikuar: 26.05.2013 - 12:29

New York, maj - Kriza ekonomike e viteve të kaluara e ka shpënë Evropën drejt një integrimi më të madh, duke filluar me stabilizimin financiar dhe krijimin e një unioni bankar, procese këto ende të pakompletuara. Secili tani e ka kuptuar se një valutë e përbashkët pa një politikë të përbashkët fiskale shkakton krizë, gjë të cilën edhe e kemi përjetuar. Evropa e ka arritur këtë fazë me mundim dhe vështirësi të madhe, përmes marrëveshjeve midis krerëve të qeverisë, të cilat sipas shumicës kanë nënkuptuar që shtetet më të fuqishme ua kanë imponuar politikat e tyre të tjerëve. Posaçërisht në Itali, Greqi dhe Spanjë, ku pasojat sociale të përshtatjes kanë qenë të mëdha, kundërshtimi i idesë së Evropës është duke qenë gjithnjë e më i madh. Tani jemi duke e përjetuar një ngritje shqetësuese të partive politike dhe lëvizjeve, përkrahësit e të cilave duket se mendojnë që qëndrimet nacionaliste do t’i çlirojnë nga masat e domosdoshme për qeverisjen e Evropës, apo që besojnë se proteksionizmi do t’u mundësojë që të shpëtojnë nga trajtimi i çështjes së mungesës së konkurrencës në Evropë. E qartë është se qytetarët evropianë nuk do ta ndjekin rrugën e reformave dhe integrimit të mëtejmë, po qe se nuk dëgjohet zëri i tyre në përcaktimin e kursit – dhe po qe se nuk ka një program të përbashkët dhe emergjent për krijimin e vendeve të punës, që tregojnë se Evropa po funksionon.

Janë disa leksione që mund të nxirren nga përpjekjet për reforma, që i kemi parë deri më tani në Evropë.

Së pari: ekziston një hendek midis kohës së marrjes së vendimeve të dhimbshme dhe kohës kur reformat hyjnë në fuqi. Një gjë e tillë – si ndodhi në Gjermani – mund të zgjasë deri në pesë vjet. Një gjë e tillë mund t’iu shkaktojë probleme politikanëve, posaçërisht kur ka zgjedhje gjatë kësaj periudhe kohore, siç edhe e kemi parë në Itali.

Së dyti: reformat strukturore mund të funksionojnë vetëm në bashkërendim me rritjen. Në përgjithësi, debati aktual është përsëritje e atij që është zhvilluar më 2003 dhe 2004, sa i përket Paktit evropian të Stabilitetit dhe Rritjes. Gjatë reformimit të atij pakti, Franca dhe Gjermania nuk e kishin për qëllim që të zbusin kriteret. Në vend të kësaj, ne ishim të preokupuar rreth përforcimit të aspektit të rritjes në kuadër të paktit, për shkak se Gjermania nuk ishte në gjendje gjatë asaj kohe që të mbështesë kursimet në shumë prej miliarda eurosh, krahas politikave të reformave.

Gjermania tani duhet t’u japë partnerëve evropianë këtë mundësi të njëjtë. Greqia, Irlanda, Portugalia, Italia dhe Spanja kanë arritur progres në ristrukturimin e financave të tyre. Edhe Qiproja do të duhej të kalonte nëpër këtë rrugë.

Gjendja ekonomike dhe politike në këto shtete po ashtu dëshmon se vetëm kursimet nuk janë mënyrë për tejkalimin e krizës. Përkundrazi, ekziston rreziku se ekonomitë shtetërore do të jenë pothuajse të ngufatura nga politika strikte e kursimit. Ato po ashtu kanë nevojë për ndihmë, në atë shkallë në të cilën janë ndërmarrë reformat strukturore, siç është parë në rastin e këtyre shteteve.

Gjithnjë duhet të ketë korelacion midis gatishmërisë për të ndërmarrë reforma strukturore dhe gatishmërisë për të shfaqur solidaritet. Nuk ekziston “ose rritja, ose kursimi”. Jemi të bindur se këto dyja mund të kombinohen në mënyrën e duhur; kemi nevojë për reforma strukturore; por ne po ashtu duhet ta shtojmë komponentin e rritjes tek programi i kursimit.

Një element kryesor këtu është lufta kundër papunësisë së të rinjve në Evropë. Nuk mund ta pranojmë se një “gjeneratë e humbur” është duke u rritur në Evropë, për shkak se në shumë shtete, më shumë se gjysma e të rinjve janë të papunë. Liderët evropianë, që do të marrin pjesë në takimin në Paris në Institutit Berggruen, të martën, do ta trajtojnë këtë çështje me një “marrëveshje të re për Evropën”.

Pikërisht në këtë mes mund të hyjë përgjegjësia e Qeverisë gjermane. Në Gjermani, papunësia e të rinjve është më pak se tetë për qind. Shumë të rinj nga shtetet e Evropës Jugore janë duke kërkuar mundësi për punë në Gjermani. Megjithatë, migrimi i fuqisë së re dhe të arsimuar punëtore nuk mund të jetë zgjidhje e problemit. Të rinjtë dhe të rejat kështu e lënë pa njerëz të kualifikuar shtetin ku kanë lindur. Për këtë arsye na duhet një program i përgjithshëm për luftimin e papunësisë së të rinjve në Evropë. Shtetet e fuqishme të Evropës, posaçërisht Gjermania, mund ta dëshmojnë përgjegjësinë e tyre politike dhe financiare në këtë gjendje.

Krahas kësaj, zgjedhjet e majit të vitit 2014 për Parlamentin Evropian paraqesin mundësi për t’u dhënë tërë qytetarëve evropianë një zë në të ardhmen tonë të përbashkët. Për herë të parë që nga themelimi i Bashkimit Evropian, partitë më të fuqishme të parlamentit të ri do të jenë në gjendje ta zgjedhin udhëheqjen ekzekutive të Evropës – presidentin e Komisionit Evropian. Deri më tani presidenti është caktuar nga Këshilli i Evropës, që përfaqëson shtetet anëtare.

Po qe se qytetarët evropianë marrin pjesë në masë të madhe në këto zgjedhje, presidenti i ri i Komisionit do të ketë të njëjtin legjitimitet demokratik, ashtu siç ka secili lider shtetëror në një sistem parlamentar. Vakuumi që ka ekzistuar në nivelin evropian për shkak të mungesës së legjitimitetit – rrjedhimisht paaftësisë për të marrë aksione në emër të të gjithë qytetarëve evropianë – do të plotësohet.

Po qe se kandidatët konkurrojnë për ulëset parlamentare bazuar në vizionin e tyre për Evropën, zgjedhjet e vitit 2014 po ashtu mund të krijojnë hapësirë që Parlamenti i ri të vendosë me cilat kompetenca të kufizuara do të merret Brukseli – për shembull stabiliteti financiar, tregtia dhe imigrimi – dhe cilat duhet të merren në kompetenca të shteteve anëtare.

Evropa mund të funksionojë sërish po qe se qeveritë, sindikatat, bizneset dhe shoqëria civile bashkohen për të mbështetur një nismë të re për luftimin e papunësisë së të rinjve ashtu si edhe përpjekjet e vitit 2014 për të siguruar më shumë demokraci dhe legjitimitet për qeverinë evropiane.



(Gerhard Schroder është ish-kancelar i Gjermanisë. Jacques Delors është ish-president i Komisionit Evropian. Që të dytë janë anëtarë të Këshillit për të Ardhmen e Evropës në kuadër të Institutit Berggruen)