Shtegu i shkurtër i makinave elektrike

Bjorn Lomborg
Publikuar: 15.04.2013 - 22:22

Pragë - Për dekada me radhë, ideja për makinë elektrike ka rrëmbyer imagjinatën e shpikësve - përfshirë Henry Fordin dhe Thomas Edisonin para më shumë se një shekulli. Fytyra të njohura, ekspertë dhe liderë politikë i kanë konsideruar këto makina si hyjnizim për një të ardhme me ambient të pastër. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka proklamuar se do të jenë një milion makina elektrike në “Autobahn” deri më 2020. Presidenti amerikan, Barack Obama, ngjashëm ka premtuar një milion makina elektrike - pesë vjet më herët.Ndonjë ditë, makina elektrike në të vërtetë do të jetë një produkt i madh - ama jo edhe tani. Kushton alamet shtrenjtë; nuk është e përshtatshme; dobitë ambientale janë të papërfillshme (madje në disa raste edhe joekzistente).

Shumë shtete të zhvilluara kanë dhënë subvencione zemërgjera për makinat elektrike: shuma deri në shtatë mijë e pesëqind dollarë amerikanë në SHBA, tetë mijë e pesëqind në Kanada, nëntë mijë në Belgjikë, dhe deri në gjashtë mijë në dorë në Spanjë. Danimarka ofron subvencione më të majme se të gjitha shtetet tjera, duke i lehtësuar makinat elektrike deri më 180 për qind të taksave për regjistrim. Lehtësim prej taksave janë bërë edhe ndaj makinës më të njohur elektrike “Nissan Leaf”.

Prapëseprapë, kjo nuk është e mjaftueshme. Në Danimarkë ende janë vetëm 1.224 makina elektrike. Në Gjermani shitja e përgjithshme e tyre në vitin 2011 arriti vetëm në 3.2 milionë, por vetëm 2.154 prej tyre ishin elektrike.

Numrat kanë detyruar Obaman dhe Merkelin t’i bëjnë projeksionet në pajtim me realitetin. Departamenti amerikan i Energjisë ka bërë të ditur se deri më 2015 pret që numri i makinave elektrike të mos e kalojë mbi 250 mijë copë - apo vetëm një për qind e të gjitha makinave në rrugët amerikane. Edhe Merkel së fundi e ka pranuar se Gjermania nuk do të jetë as afër arritjes së një milionë makinave elektrike deri më 2020.

Askush nuk duhet të habitet. Sipas një analize të Zyrës së buxhetit të Kongresit amerikan, një makinë tipike elektrike kushton së paku 12 mijë dollarë më shtrenjtë sesa një makinë me benzen. Studimi i fundit sinjalizon se makinat elektrike mund të pësojnë një rënie çmimi me hibride vetëm në vitin 2026, dhe me makina konvencionale në vitin 2032, pasi qeveritë t’i kenë shpenzuar ndërmjet 100 dhe 150 miliardë dollarë në subvencione.

Hiq kostot dhe subvencionet, makinat elektrike deri tash kanë dalë se janë jashtëzakonisht të papërshtatshme. Një reporter i BBC-së voziti një makinë elektrike “Mini 778” kilometra prej Londrës në Edinburg, dhe u detyrua të ndalej tetë herë për ta rimbushur me bateri - shpeshherë duke pritur deri në gjashtë apo më shumë orë. Në përgjithësi, i humbi mbi tetëdhjetë orë duke pritur ose vozitur, me një mesatare prej rreth dhjetë kilometrash në orë - një shpejtësi që nuk përkon as me kohën përpara shpikjes së makinës së avullit.

Makinat elektrike gjithashtu nuk janë të vlefshme edhe sa i përket faturave të ambientit. Ato shpeshherë shiten si makina me “emetim zero”, por kjo është e vërtetë vetëm kur janë në lëvizje.

Për ata që s’kanë haber në këtë punë, procesi i fabrikimit që i prodhon makinat elektrike - veçanërisht bateritë e tyre - kërkon një sasi të madhe energjie, pjesa më e madhe e së cilës gjenerohet me vajra fosilesh. Një analizë për ciklin e jetës ka treguar se pothuajse gjysma e gjithë emetimit të dyoksidit të karbonit të makinave elektrike rezulton prej prodhimit të tyre, më shumë se dy herë krahasuar me emetimet që rezultojnë prej prodhimit të një makine me benzen.

Me fjalë të tjera, energjia e nevojshme elektrike për ta mbushur një makinë elektrike kryesisht prodhohet me vajra fosilesh. Prapëseprapë energjia emeton rreth gjysmën e dyoksidit të karbonit të makinës konvencionale për çdo kilometër të bërë (duke përdorur energjinë elektrike evropiane).

Ithtarët me krenari proklamojnë se nëse një makinë elektrike vozitet treqind mijë kilometra, do të emetojë përgjysmë më pak dyoksid karboni se një makinë me benzen. Por bateria e saj sigurisht se duhet të rimbushet lara para arritjes së këtij caku, që tregon se do të ketë edhe më shumë tonelata emetimesh të dyoksidit të karbonit.

Në fakt, distanca të tilla duken të papërshtatshme, marrë parasysh rrezen e shkurtër të veprimit të makinave elektrike: për shembull, “Nissan Leaf”, mund të vozitet 117 kilometra me një mbushje baterie. Prandaj, kjo është arsyeja se pse shumica e njerëzve blejnë një makinë elektrike si makinë të dytë, për shtigje të shkurtra. Nëse makina vozitet më pak se pesëdhjetë mijë kilometra me energjinë elektrike evropiane, do të ketë emetuar më shumë dyoksid karboni se një makinë konvencionale.

Madje edhe nëse e vozitni më gjatë, 150 mijë kilometra, emetimi i dyoksidit të karbonit të një makine elektrike do të jenë vetëm 28 për qind se të atyre me benzen. Në jetëgjatësinë e makinës, kjo do të parandalonte 11 tonelata të emetimeve të dyoksidit të karbonit, ose rreth 44 euro dëm klimatik.

Marrë parasysh madhësinë e subvencioneve të ofertës, kjo është një vlerë ekstremist e vlefshme. Subvencionet e Danimarkës, për shembull, paguajnë pothuajse gjashtë mijë euro për të shmangur një tonelatë të emetimeve të dyoksidit të karbonit. Shitja e një sasie të ngjashme në Sistemin Evropian të Tregtimit të Emetimeve do të kushtonte pesë euro.

Për më keq, makinat elektrike të blera në Bashkimin Evropian do të rrisnin aktualisht emetimet globale të dyoksidit të karbonit. Meqë BE-ja ka një cak fiks të emetimeve për 2020-ën, do të kishte emetime në vende të tjera, varësisht prej tipit të shitjes së makinës: 38.75 tonelata të dyoksidit të karbonit prej një makine me benzen, dhe 16 tonelata energji elektrike të prodhuara për një makinë elektrike. Por derisa do të kishte nivele të njëjta në BE, shumica e baterive elektrike vijnë nga Azia, kështu 11.5 tonelata ekstra të emetimeve nuk do të mund të shmangeshin.

Dëmet ambientale të makinave elektrike janë edhe më të këqija në Kinë, ku shumica e energjisë prodhohet nga qymyri. Një makinë e tillë do të emetonte 21 për qind më shumë dyoksid karboni sesa një me benzen. Dhe sikur e dëshmon edhe një studim i ditëve të fundit, meqë minierat kineze të energjisë elektrike janë aq të pista, makinat elektrike vetëm sa do ta përkeqësonin ajrin. Në Shanghai, ndotja e ajrit prej një milionë të tjera me benzen do të shkaktonin vdekjen mesatarisht të nëntë personave në vit. Por një milion makina të tjera elektrike do ta çonin këtë numër 26, krejt për shkak të rritjes së shkallës së ndotjes nga minierat e qymyrit.

Mantra e makinave elektrike devijon vëmendjen prej asaj që njëmend ka peshë: një transicion me çmim efektiv prej vajrave të fosileve në energji më të lirë të gjelbër, që kërkon hulumtim dhe inovacion. Makinat elektrike mund të jenë një avancim i madh për këtë qëllim në dekadat e ardhshme. Por subvencionet e sotme vetëm nxisin një teknologji të papërshtatshme dhe ambientalisht negative.



(Autori është profesor në Shkollën e Biznesit në Kopenhagë, të financuar dhe drejtuar nga Qendra e Konsensusit të Kopenhagës. Është autor i librit “The Skeptcial Environmentalist and Cool It”.

Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)