BE-ja dhe rivaliteti serbo-kroat

Augustin Palokaj Augustin Palokaj
Publikuar: 26.03.2013 - 21:07

Të premten e shkuar skuadra kombëtare e Kroacisë në futboll ka fituar tri pikë të reja në kualifikimet për Botërorin 2014 në Brazil. Ka shënuar kështu fitoren e katërt me radhë në këto kualifikime. Për nga rëndësia këto tri pikë ishin njëlloj të rëndësishme sikur edhe ato 10 që kishte grumbulluar më herët apo edhe pikët që do t’i duhen në të ardhmen për të parë Copocabanën  dhe Marakanën në Brazil verën që vjen. Por të premten ishte një fitore që në Kroaci dhe nga kroatët anekënd botës u përjetua ndryshe. Ato tri pikë u kremtuan nga qindra mija njerëz nëpër sheshe jo vetëm në Kroaci, por edhe në Berlin, Toronto, Melburn e kudo ku jetojnë kroatët. Deri në orët e mëngjesit masa të mëdha njerëzish i gëzoheshin asaj fitoreje. Atmosfera ishte dhe më festive sesa kur Kroacia në futboll në vitin 1998 kishte dalë e treta në botë në Botërorin e zhvilluar në Francë. Kjo fitore e shënuar të premten në stadiumin Maksimir në kryeqytetin kroat, Zagreb, e thjeshtë dhe e rëndomtë, ishte shënuar kundër Serbisë, shtetit dhe kombit me të cilin kroatët ndienin deri vonë armiqësinë e tash rivalitetin më të madh. Ishte hera e parë që u ndeshen këto skuadra kombëtare si Kroaci dhe Serbi. Në vitin 1999 ishin ndeshur edhe një herë, duke luajtur baras edhe në Beograd, edhe në Zagreb, por atëherë në vend të Serbisë ishte Republika Federale e Jugosllavisë. Dhe për kroatët kjo ishte fitore historike. Lojtarët thoshin se këtë fitore ua dedikojnë qytetarëve. Gazetat shkruanin se lojtarët me këtë fitore ua dhanë respektin më të madh të gjitha viktimave të luftës. Nuk lanë pa përmendur edhe faktin se dy golashënuesit në këtë ndeshje, Mario Mangjukiq dhe Ivica Oliq, vijnë nga rajoni i Slavonisë, rajon i cili ishte më së shumti i goditur gjatë agresionit serb. Ndaj kësaj gjenerate, e cila të premten mposhti Serbinë me rezultat 2:0, u përkulen edhe legjendat kroate të futbollit evropian, si Davor Shuker, Zvonimir Boban e Robert Prosiniçki. Trajneri legjendar Qiro Blasheviq në eufori tha se „kjo skuadër e Kroacisë është më e mirë se Barcelona“. Euforia vazhdon në Kroaci dhe askush nuk flet për ndeshjen e radhës, të cilën Kroacia e luan me Wellsin të martën në Swansi, e tri pikat nga ajo janë njëlloj të vlefshme për të shkuar në botërore sikur edhe ato të fituara kundër Serbisë.Në Ballkan ka shumë rivalitetet mes popujve. Por asnjëri nuk është sikur ai mes serbëve dhe kroatëve. Ndaj popujve të tjerë ka animozitete në Serbi, sidomos ndaj shqiptarëve dhe boshnjakëve myslimanë, por nacionalistët serbë këto kombe nuk i  shohin si të barabarta dhe i nënçmojnë përderisa për kroatët, me gjithë urrejtjen, kanë edhe respekt.    Kjo ka qenë kështu edhe në kohën kur së bashku ishin pjesë e shtetit Jugosllav. Edhe pse vetë ideja për krijimin e Jugosllavisë kishte lindur nga kroatët, ata asnjëherë nuk kanë qenë të kënaqur me pozitën e tyre në shtetin e përbashkët. Kulmi i urrejtjes dhe rivalitetit ishte në luftën katërvjeçare në Kroaci gjatë së cilës agresorët serbë shkatërruan dhjetëra qytete, bënë krime të rënda dhe e gjitha përfundoi me fitoren e Kroacisë në verën e vitit 1994.

Nuk është vetëm futbolli ai ku Kroacia aktualisht është para Serbisë. Ajo që për jetën e përditshme të njerëzve është edhe më e rëndësishme, qëndron se Kroacia për tre muaj do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Serbia ndërkaq, ndonëse e ka statusin e vendit kandidat, nuk ka datë të caktuar për të nisur negociatat. Dhe tash situata është e tillë që Serbia nuk do të mund të bëjë asnjë hap pa pëlqimin e  Kroacisë, e cila si anëtare e BE-së do të ketë të drejtë vetoje. Nga aspekti psikologjik, për Serbinë nuk do të jetë lehtë të shohë Kroacinë para saj. Madje edhe  Mali i Zi, i vogël siç është. Është para Serbisë edhe në procesin e integrimeve evropiane, por edhe në futboll. “Na u është afruar Anglia në vetëm dy pikë!!!”, me përbuzje i porosiste lexuesit serbë një komentues nga Mali i Zi në faqet e internetit, kur serbët shprehnin mllefin për humbjen nga Kroacia. Mali i Zi në grupin e vet është i pari duke lënë prapa edhe Anglinë.

Dhe tash në procesin e integrimeve evropiane nuk ka kush që t’ia heqë drojën Serbisë nga Kroacia. Edhe pse nga Zagrebi vijnë porosi në drejtim të kundërt, se Kroacia do t’i ndihmojë të gjithë fqinjët në rrugën e tyre evropiane, përfshirë edhe Serbinë, droja e Beogradit nuk hiqet. Edhe pse Kroacia në kohën kur përmbylli negociatat e anëtarësimit miratoi në Kuvend deklaratën me të cilën merr obligimin se, pasi të bëhet anëtare e BE-së nuk do të përdorë mospajtimet bilaterale për të paraqitur pengesa ndaj vendeve fqinjë në procesin e zgjerimit të BE-së, prapë ka mosbesim në Serbi. Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, kishte shkuar aq larg sa të thoshte se “më lehtë e ka të bashkëpunojë me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, sesa me atë të Kroacisë, Zoran Milanoviq”, duke pyetur veten se “a mos është kjo sjellje e Kroacisë për shkak se po bëhet së shpejti anëtare e BE-së“.

Është për t’u habitur se si në Bruksel ende ka diplomatë të cilët vërtet mendojnë se Kroacia do të pengojë Serbinë.  Serbia edhe pa hyrë Kroacia në BE ka mjaft pengesa dhe ato nuk kanë fare të bëjnë me Kroacinë. Pengesa kryesore e integrimit të Serbisë në BE do të jetë Kosova e jo Kroacia. Jo për shkak se Kosova do ta bllokojë Serbinë, por Kosova si temë. Madje udhëheqësit e Qeverisë së Kosovës citohen të kenë thënë në takime në Bruksel se “mbështesin fuqishëm përparimin e Serbisë drejt BE-së”, por të tjerët në BE do të kujdesen që Serbia, kur të ndryshojnë kushtet dhe të afrohet më shumë në rrugën e integrimit në BE, të njohë Kosovën. 

Nëse anëtarësimi i Kroacisë në BE do të ketë ndonjë rëndësi për vazhdimin e procesit të zgjerimit, atëherë është Kroacia si shembull. Siç do të shihet të martën, kur Komisioni Evropian do të nxjerrë edhe raportin final të monitorimit të Kroacisë, ky shtet tash është tërësisht i gatshëm për anëtarësim në BE dhe i ka përmbushur të gjitha kushtet. Kështu për BE-në tash e tutje, pas shembujve jo të mirë nga e kaluara, kur në anëtarësi u pranuan edhe vendet që nuk ishin tërësisht të gatshme, shembulli i Kroacisë do të shërbejë për të insistuar që edhe vendet që vijnë pas Kroacisë në procesin e zgjerimit të përmbushin të gjitha kushtet dhe ndaj tyre të mos ketë asnjë lëshim për shkaqe politike.

Serbia mund të xhelozojë pse tash e tutje për secilin hap të saj drejt BE-së duhet edhe pajtimi i Kroacisë. Por të gjitha vendet e Ballkanit që duan anëtarësim në BE duhet ta kenë parasysh se Kroacia nuk po bëhet anëtare e BE-së për shkak se është katolike, as për shkak se i ka Gjermaninë dhe Austrinë mike, as për shkak të bukurive natyrore, as për ndonjë arsye politike por, thjesht, për shkak se vërtet i ka përmbushur të gjitha kushtet. Në këtë shtet, me gjithë krizën ekonomike, vërtet funksionon ligji dhe luftohet korrupsioni.

E kur është në pyetje rivaliteti mes serbëve dhe kroatëve, ai do të vazhdoj dhe madje jo vetëm në futboll. Kroacia si shtet ndërkaq nuk ka probleme as me Serbinë e as me serbët në Kroaci. Në Qeverinë e Kroacisë ka ministra me kombësi serbe dhe ata nuk vijnë nga radhët e partive njëetnike serbe. Të drejtat e tyre mbrohen ndërsa sulmet, qoftë edhe verbale, sanksionohen. Serbët e Kroacisë janë integruar në shtetin e tyre, Kroaci, dhe do të jenë të parët serbë autoktonë në Ballkan që do të integrohen në BE, natyrisht si shtetas të Kroacisë.

 



 

Kastrati02.04.2013/19:44

Shkrim i qelluar.Komplimente

Gjakovari27.03.2013/20:17

Augustin je Njëshi i gazetarisë Kosovare.

naim saliu27.03.2013/14:29

te lumtë kaq kisha mi than kti gazetari dhe analisti te shquar

Driton Bakija Gjakove 27.03.2013/12:26

Shkrim i mire nga,Augustin Palokaj.