Dekada e humbur dhe e gjetur e Evropës

Barry EichengreenBarry Eichengreen
Publikuar: 25.03.2013 - 20:22

Bruksel – Njësia në tregjet financiare të Evropës është kthyer. Për momentin, mundësia e daljes së Greqisë nga eurozona është jashtë diskutimit.Nëse përhapja e normave të interesit në obligacionet e qeverive në Spanjë dhe Italia është ndonjë udhëzues, atëherë poseduesit e obligacioneve nuk bëjnë më baste për shpërbërjen e eurozonës. Rezervat evropiane madje shënuan rritje në javët e pas zgjedhjeve të paqarta italiane, të muajit të kaluar.

Investuesit qartazi besojnë se liderët e Evropës do të bëjnë mjaftueshëm shumë për ta mbajtur unionin e tyre monetar të bashkuar. Mirëpo, në të njëjtën kohë, nuk duket se edhe ekonomia e Evropës do ta ndjekë këtë shtet për krizat e tregjeve në lulëzim dhe të ngrihet, sikurse feniksi, nga hiri. Më saktësisht, skenari më i mundshëm shfaqet ai i dekadës së humbur japoneze të ngadalësimit apo rritjes së munguar.

Pengesa e parë për një “mrekulli feniksi” është ajo se qeveritë mbesin në modulin e kursimit. Po, ka pëshpërima se ritmi i konsolidimit fiskal mund të ngadalësohet; në të vërtetë, Francës tanimë i është dhënë ekstra kohë për të përmbushur cakun e vet për deficitin. Mirëpo i gjithë skenari i ngjanë më shumë rastit të Japonisë, ku tapa fiskale paraprakisht ishte hapur dhe mbyllur. Konsumatorët japonezë e dinin se rritjet e shpenzimeve publike ishin të përkohshme, kështu që nuk i ndryshuan shprehitë e tyre të shpenzimit, duke e bërë kështu politikën të jetë joefektive.

Banka Qendrore Evropiane, nga ana e saj, është ngurruese që të ndërmarrë ndonjë gjë për ta startuar rritjen. Sikurse Banka e Japonisë në vitet 90, ajo e interpreton mandatin e vet në një koncept të ngushtë.

Mbetet një forcë e papërfshirë në luftërat globale të valutës. Mirëpo, me Bankën e Japonisë që iu bashkua Rezervës Federale Amerikane dhe Bankës së Anglisë në zbutjen e politikave monetare, presioni mbi euron do të shënojë ngritje. Dhe një euro e fortë është gjëja e fundit që i duhet një Evrope të dobët.

Parashikimet e vakëta për rritjen amerikane dhe globale po i përforcojnë këto droja. Ato të pakta shtete që ia kanë dalë të korrin sukses me rritjen, m gjithë kursimet, e kanë arritur këtë falë eksportimit. Mirëpo, me rritjen globale ende nën nivelin e shpresuar, matja e tyre do të ishte e vështirë. Njësoj kështu, recesioni i fillimviteve 90 në SHBA kishte zhytur në depresion eksportet e Japonisë dhe kishte ndihmuar në inicimin e dekadës së saj të humbur.

Në fund, problemet e Evropës me tregjet e patundshmërive dhe sistemin bankar e nxorën në pah rrezikun e një skenari japonez. Bankat e Japonisë investuan majmë në pasuritë e patundshme komerciale dhe janë tërhequr teposhtë, kur bumi i tregut të patundshmërive dështoi në vitet ‘80.

Bankat spanjolle i ekspozohen ngjashëm sektorit të patundshmërive dhe nuk i kanë pranuar ende humbjet e tyre, ndërsa Evropa, për shumë gjëra ngjashëm sikurse Japonia e para 20 vjetëve, ka bërë shumë pak për të forcuar sistemin e vet financiar.

Prandaj, tani në Evropë, sikurse atëherë në Japoni, copëzat janë vënë në vend për një dekadë të humbur: bankat e dobëta i dobësojnë financat qeveritare, të cilat më pastaj e dobësojnë rritjen dhe i dobësojnë edhe më shumë bankat, me mungesën e mbështetjes monetare dhe fiskale që e bën të pamundshëm ikjen nga ky qark vicioz.

Mirëpo, ekziston një dallim i rëndësishëm. Madje edhe në periudhat më të këqija të saj, papunësia në Japoni rrallë herë kalonte 4 përqindëshin, falë një kombinimi të pensionimit të mëhershëm, programeve sociale, ndarjes së punës dhe presionit politik mbi punëdhënësit e mëdhenj. Në eurozonë, për dallim, papunësia dalëngadalë po e kalon shkallën katastrofike prej 12 për qind dhe po vazhdon të rritet. Në Spanjë dhe në Greqi, papunësia po i afrohet 30-përqindëshit, me shkallën e të papunëve nga radhët e të rinjve që arrin madje deri në 60 për qind.

Kjo gjë bën që rreziku nga përmbysja sociale e Evropës sot të jetë shumë më i madh se sa ishte në Japoni dy dekada më parë. Nuk mund të parashikojmë kur apo ku, mirëpo herët apo vonë do të ketë një shpërthim proteste, qoftë e dhunshme apo e tillë që të organizojë mbështetje për partitë politike që përkrahin politika radikalisht më ndryshe.

Në cilëndo mënyrë, Plani A, sipas të cilit qeveritë bëjnë aq sa duhet për të shmangur kolapsin por dështojnë të stimulojnë nisjen e rritjes, nuk do të jetë më i zbatueshëm.

Pyetja e vetme që shtrohet në këtë situatë është nëse votuesit e pakënaqur do të vendosin për komedianin e padëmshëm, si Beppe Grillo, apo për një kandidat më të rrezikshëm proto-fashist, që do të emërohet më vonë.

Në rastin e parë, rezultati do të ishte kaosi ekonomik. Do të kishte përplasje ndërmjet qeverisë së re populliste dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, (dhe BQE-ja), e cila do të krijonte paqartësi të mëdha rreth asaj se çfarë do të vijë më pas.

Në rastin e dytë, një luftë fjalësh dhe politikave të qeverisë së re do të zhvillohet jo vetëm me qeverinë gjermane në Berlin dhe BQE-në në Frankfurt, por po ashtu edhe kundër grupeve minoritare dhe emigruese në vend. kërcënimi ekonomik mund të jetë shqetësimi i fundit i Evropës.

Liderët evropianë duhet t’i adresojnë këto rreziqe. Në rast se zgjedhin politikat e status quo-së, pushteti i tyre në fund të fundit do të hapë rrugën për një periudhë të stërzgjatur të kaosit ekonomik të inspiruar nga popullistët dhe viktimizimi i minoriteteve. Në mënyrë alternative, liderët mund t’i dëgjojnë kritikët e tyre dhe të adoptojnë me dy duar një afrim të balancuar, i cili i aplikon si reformat ashtu edhe masat mbështetëse për të sfiduar pafuqinë e Evropës.

Për të mirë apo për të keq, vetë fakti se turbulenca më e rëndë politike dhe sociale pritet të vijnë akoma nënkupton të paktën se Evropa do të jenë e paaftë që t’ia ofrojë vetes masat ngurruese dhe gjysmake që ia prodhuan Japonisë dekadën e humbur. “Nëse diçka nuk mund të zgjasë përgjithmonë”, siç kishte thënë ekonomisti, Herbert Steun, “atëherë do të ndalojë”. 



(Barry Eichengreen është profesor i ekonomisë dhe i shkencave politike në Universitetin e Kalifornia, Berkeley, dhe një ish-këshilltar i lartë politik në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Libri i tij i fundit është “Privilegji i tepruar: Ngritja dhe rënia e dollarit dhe e ardhmja e sistemit ndërkombëtar monetar”. Ai e ka shkruar këtë kolumne ekskluzivisht për “Këndin evropian të Kohës”. Kjo rubrikë është produkt i bashkëpunimit të “Kohës Ditore” me Zyrën e BE-së në Kosovë, me qëllim të stimulimit të debatit rreth BE-së dhe perspektivës së Kosovës në BE).