Trauma e ishullit të thesarit

Paul Krugman Paul Krugman
Publikuar: 25.03.2013 - 20:15

Para disa vjetësh, gazetari Nicholas Shaxson botoi një libër mahnitës dhe argëtues të titulluar “Treasure Islands” (“Ishujt e thesarit”), në të cilin shpjegonte parajsat ndërkombëtare të taksave - të cilat gjithashtu, siç vinte në pah autori, ishin “juridiksione sekrete”, nuk zbatonin shumë ligje - që nënvlerësonin ekonomitë e mbarë botës. Ato jo vetëm që shternin paratë e zyrtarëve të qeverive të korruptuara, por edhe e nxisnin korrupsionin; çrregullonin qarkullimin e kapitalit, duke ndihmuar kështu në thellimin dhe rritjen e krizës financiare.Një pyetje në të cilën nuk ishte thelluar fort zoti Shaxson, megjithatë është ajo se çfarë ndodh kur një juridiksion sekret në fund shpërthen. E kjo është tamam ajo çfarë po ndodh në Qipro. Dhe cilido qoftë rezultati për vetë Qipron (vini re: që nuk duket se do të ndodhë), lëmshi qipriot tregon pikërisht sesi po vazhdon të mos reformohet sistemi ndërkombëtar bankar, edhe pothuajse pesë vjet pas shpërthimit të krizës financiare globale.

E kur vjen puna te Qiproja: Dikush mund të thotë po çka kanë të gjithë që janë çuar në këmbë dhe shqetësohen për një shtet me një ekonomi të vogël, jo më e madhe sesa ajo e zonës metropolitane të Scrantonit. Sidoqoftë, Qiproja është një shtet anëtar i eurozonës, prandaj ngjarjet e atjeshme mund të shkaktojnë një derexhe më të madhe(për shembull në qarkullimin bankar) në vendet më të mëdha. Dhe duhet shtuar edhe diçka tjetër: Ekonomia qipriote mund të jetë e vogël, është për habi një lojtare e madhe financiare, me një sektor financiar katër apo pesë herë më të madh sesa do të mund ta merrnit me mend krahasuar me madhësinë e ekonomisë së vet.

Pse janë kaq të mëdha bankat qipriote? Sepse vendi është një parajsë taksash, ku korporatat dhe të huajt e kamur i ruajnë paratë e veta. Zyrtarisht, 37 për qind e depozitave në bankat e Qipros janë të klientëve jorezidentë, e numri i vërtetë, nëse merrni parasysh edhe ata të huaj të pasur që kanë deponuar para në Qipro, mund ta merrni me mend se numri është larg më i lartë. Realisht, Qiproja është një vend ku njerëzit, veçanërisht rusët dhe jo vetëm ata, fshehin pasurinë e tyre prej taksave dhe rregullatorëve financiarë. Sido mund t’i thoni, por kjo nuk ka tjetër emër, përpos shpëlarje parash.

Dhe e vërteta është se shumica e kësaj paraje nuk është zhvendosur aspak; vetëm se është bërë e padukshme. Në letër për shembull, Qiproja u bë një investitore e madhe në Rusi - më e madhe sesa Gjermania, ekonomia e së cilës është qindra herë më e madhe. Në realitet, afërmendsh, kjo kishte kuptimin “një udhëtimi poshtë e lart” të rusëve të kamur që shfrytëzonin shtetin ishullor si një strehim për shmangie prej taksash.

Fatkeqësisht për qipriotët, para e mjaftueshme buroi prej këtij hesapi për të financuar disa prej investimeve njëmend të këqija, në kohën kur bankat lokale kishin blerë hise të borxhit grek dhe ishin zhytur në një krizë patundshmërie. Herët a vonë, gjërat e ishin të shkruar të shkonin zi e më zi. Dhe tani e keqja ka ardhur.

Tani çka? Ka disa ngjashmëri të fuqishme ndërmjet Qipros së tanishme dhe Islandës (një ekonomi me përmasa të ngjashme) së para disa viteve. Sikur Qiproja tani, edhe Islanda kishte një sektor të madh bankar, që ishte përpirë prej depozitave të huaja, që thjesht ishin të larta për t’i shpëtuar. Kundërpërgjigjja e Islandës në realitet ishte gatishmëria për t’i lënë bankat të zhyteshin në krizë, duke i lënë t’ia bënin si të mundnin, e në të njëjtën kohë ofroi mbrojtje për islandezët - dhe rezultati nuk ishte fort i keq. Në të vërtetë, Islanda, me një shkallë larg më të ulët të papunësisë sesa shumica e Evropës, ia doli ta menaxhonte deri diku mirë krizën.

Fatkeqësisht, kundërpërgjigjja e Qipros ndaj krizës ka qenë një lëmsh. Pjesërisht për shkak se kjo reflekton faktin se tashmë nuk ka monedhë të veten kombëtare, gjë që e bën të varur prej vendimeve të Brukselit dhe Berlinit - vendimmarrës që nuk kanë qenë të gatshëm t’i lënë hapur bankat të falimentojnë.

Por gjithashtu reflekton hezitimin qipriot për ta pranuar dhënien fund të shpëlarjes së parave në bizneset qipriote; liderët e Qipros ende po mundohen t’i kufizojnë humbjet ndaj deponuesve të huaj me shpresë se do të ketë të ardhura prej bizneseve sikur në gjendje të zakonshme. Liderët gjithashtu janë munduar t’i mbrojnë deponuesit e mëdhenj të huaj duke shprehur gatishmëri për të rritur taksat në kurriz të deponuesve të vegjël të brendshëm. Sidoqoftë, sikur edhe u mor vesh, qipriotët e thjeshtë ishin zemëruar, plani u refuzua dhe në këtë pikë, askush nuk e di se çka do të ndodhë.

Mua ma ha mendja se në fund Qiproja do të pranojë një zgjidhje pak a shumë islandeze, por derisa nuk do të detyrohen në ditët e ardhshme të pranojnë. Qiproja fillimisht do të humbin shumë kohë duke u munduar të sfidojnë borxhet e shteteve më të pasura. Do të shohim.

Por merrni pak frymë për një moment dhe kijeni parasysh faktin e pazakonshëm se parajsa si Qiproja, Ishujt Cayman dhe shumë të tjera ende janë duke operuar në një formë pak a shumë të njëjtë sikur kanë vepruar përpara shpërthimit të krizës globale financiare. Të gjithë e kanë parë se çfarë sherri mund të nxisin bankierët që mund të ikin, megjithëse ende ka shumë juridiksione sekrete që mundësojnë operimin anash të disa bankierëve. Të gjithë po qahen për deficitet buxhetore, por ende korporatat dhe të kamurit po jetojnë të lirë në parajsat e taksave duke u taksuar po aq sa taksapaguesit e vegjël.

Prandaj, mos ia qani dertin Qipros, qanani hallin të gjithë neve, që po jetojmë në një botë liderët e së cilës duken të vendosur të mos marrin mësime prej katastrofës.



(Komenti është marrë prej gazetës amerikane “The New York Times”.)