Ndotja nga mbetjet e plastikës

Marino XanthosMarino Xanthos
Publikuar: 10.03.2013 - 17:43

Newark, NJ – Plastika ndodhet çdokund. Pa marrë parasysh nëse përdoret për të ruajtur mbeturina, mbajtur pajisjet spitalore sterile apo për ta izoluar një shtëpi, plastika është e pakrahasueshme për sa i përket përshtatshmërisë, qëndrueshmërisë dhe çmimit të ulët. Duke i pasur parasysh përfitimet dukshëm të pafundme të saj, nuk është aspak befasi që plastika tani i ka zëvendësuar materialet tradicionale në shumë sektorë – për shembull, çelikun në vetura, letrat dhe shishet në pako dhe drurin në mobile. Si rezultat i kësaj, konsumi vjetor i plastikës në të gjithë botën është rritur nga pesë milionë tonë sa ishte në vitet 50 në rreth 280 milionë tonë në ditët e sotme. Përafërsisht gjysma e prodhimeve të plastikës, siç janë ambalazhet, synohet të përdoren një herë dhe për një afat të shkurtër (më pak se gjashtë muaj) përpara se të hidhen. Duke e pasur parasysh faktin se shumica e këtyre mjeteve nuk janë biologjike dhe nuk mund të riciklohen, të mbeturat plastike po mblidhen – duke shkaktuar pasoja serioze ambientale. Derisa qeveritë tashmë kanë filluar të implementojnë rregulla të reja (dhe shpesh herë tejet strikte) për menaxhimin e të mbeturave plastike – për shembull, Kina ka ndaluar qeset e lehta plastike nëpër dyqane që në vitin 2008 – ato nuk kanë një mënyrë adekuate për të adresuar si duhet problemin në rritje të të mbeturave të plastikës në të gjithë botën.

Për më tepër, shumica e prodhimeve të plastikës bëhen nga e ashtuquajtura “termoplastikë me bazë petrolin”. Duke qenë se një masë jo e ripërtëritshme përbën bazën për shumicën e prodhimeve të plastikës – shumica e të cilave nuk do të zgjasin edhe shumë gjatë – modelet aktuale të përdorimit të plastikës nuk janë të qëndrueshme.

Riciklimi, gjatë të cilit mbeturinat e plastikës përdoren për të bërë një produkt të ri, i sjell përfitime të rëndësishme ambientit, siç është reduktimi i konsumit të energjisë dhe naftës. Mirëpo procesi i ndarjes së plastikës së riciklueshme me bazë petrolin nga llojet e tjera të plastikës dhe mbeturinave solide është i vështirë, i kushtueshëm dhe kërkon numër të madh punëtorësh, kështu që vetëm një pjesë e vogël e tyre është e riciklueshme.

Në vitin 1998, Shoqëria amerikane e industrisë së plastikës (SPI) zhvilloi një sistem kodimi, në të cilin çdo lloj rrëshire etiketohet me një numër, prej 1 deri në 7, për të lehtësuar klasifikimin. Sistemi është përdorur edhe në vende të tjera, përfshirë Kanadanë dhe Zvicrën, mirëpo nuk është adoptuar në të gjithë botën dhe është ende shumë kundërthënës për disa konsumatorë. Nëse konsumatorët dinë të grumbullojnë dhe të ndajnë plastikën për përdorim familjar bazuar në numrat e tyre, rritja rezultuese e përpjekjeve të riciklimit do t’ua demonstronte qeverisë dhe industrisë zbatueshmërinë e një afrimi më të qëndrueshëm, reduktimin e ekspozimit ndaj rritjes së çmimeve të naftës dhe mbështetjen e kërkesës në rritje për plastikë në të gjithë globin.

Ekzistojnë katër kategori të riciklimit të plastikës: riciklimi fillestar, gjatë të cilit plastika ripërdoret për të njëjtin qëllim; riciklimi sekondar, në të cilin materiali (i përzier apo i kontaminuar) përdoret për gjëra më pak të kërkuara; riciklimi terciar, në të cilin plastika konvertohet në kemikate dhe riciklimi katërsor, gjatë të cilit energjia përfitohet nga djegia.

Secila prej këtyre metodave prodhon sasi të ndryshme të energjisë së mishëruar me artikullin prej plastike. (E gjithë energjia e mishëruar humbet, nëse plastika groposet, një mënyrë e zakonshme e asgjësimit në të gjithë botën).

Duke e pasur parasysh vështirësinë dhe shpenzimet e ndarjes së plastikës, opsioni më i mundshëm ekonomik është të shpeshtën e rasteve riciklimi sekondar i termoplastikës – kryesisht në shishe, për të cilën infrastruktura e grumbullimit tashmë është në përdorim. Metodat më ekonomike të ndarjes janë të domosdoshme për zgjerimin e shtrirjes së riciklimit të plastikës, siç është dhe identifikimi i tregjeve të reja potenciale për riciklim.

Zhvillimet e tilla do të inkurajonin industrinë të ripërdorë apo riciklon më shumë pjesë. Edhe pse të gjitha 40 llojet e plastikës të përdorshme në një veturë në Amerikën Veriore mund të riciklohen, nevoja për t’i ndarë dhe pastruar ato e bën përdorimin e tyre më të kushtueshëm se sa përdorimin e mallrave të virgjëra plastike. Kjo gjë përkthehet me një proporcion më të lartë të plastikës në mbeturinat e automobilave – një përzierje e kontaminuar e plastikës dhe joplastikës që zakonisht asgjësohet nëpërmjet kombinimit të groposjes, djegies dhe riciklimit sekondar.

Rritja e proporcionit të plastikës së ripërdorshme paraqet një hap të rëndësishëm drejt konsumimit më të qëndrueshëm të plastikës. Për këtë qëllim, disa prodhues të veturave kanë përshtatur dizajnet e tyre për të lejuar montimin e pjesëve të bëra nga plastika, ndërsa qeveritë kanë caktuar caqe riciklimi. Përpjekje të tilla do të duhej intensifikuar.

Për më tepër, industria duhet të kërkojë përdorime të reja për materialet e ricikluara, duke e minimizuar sasinë e përdorimit të materialeve të virgjëra. Dhe, kudo që të jetë e mundur, prodhuesit do të duhej t’i tëhollonin materialet.

Legjislacione qeveritare do të mund të miratoheshin për të mbështetur masa të tilla, si dhe t’u kërkonte prodhuesve të plastikës përfshirjen në asgjësimin e mallrave të plastikës – një përgjegjësi kjo e imponuar kohë më parë te prodhuesit e pakove plastike në Evropë.

Një shembull i menaxhimit të suksesshëm të mbeturinave është riprocesimi i shisheve PET (të bëra nga polietileni) në fibra poliesteri. Gjatë dekadës së fundit, Japonia ka miratuar disa ligje që i obligojnë si bizneset ashtu edhe individët që t’i ndajnë të mbeturat e plastikës. Kjo gjë, e kombinuar me mungesën e vendit për groposje dhe popullatën në rritje, ka zgjeruar përpjekjet e riciklimit të plastikës. Si rezultat i kësaj, në vitin 2010, Japonia ka ricikluar 72 për qind të shisheve PET, krahasuar me përafërsisht 30 për qind sa janë ricikluar në SHBA dhe 48 për qind në Evropë. Derisa djegia dhe groposja aplikohen ende, niveli kaq i lartë i riciklimit shënon një ndikim pozitiv në përmbushjen e politikave të synuara.

Një tjetër zhvillim premtues është plastika biologjike, e cila ka nisur të konkurrojë me prodhimet e plastikës me bazë petrolin – në pako dhe në bujqësi – gjatë dy dekadave të fundit. Duke e pasur parasysh se plastika biologjike prodhohet nga burimet e ripërtëritshme dhe biologjike (celuloza, niseshteja dhe glukoza) – dhe në disa raste nëpërmjet fermentimit mikrobial – ato kanë gjurmë më të ulëta të karbonit, i kontribuojnë më pak ngrohjes globale dhe shpërbëhen në molekula të vogla.

Mirëpo plastika biologjike nuk është një top i artë për menaxhimin e mbeturinave plastike. Në të vërtetë, ajo mund të kërcënojë riciklimin sekondar të plastikës me bazë petrolin, falë kontaminimit të  mundshëm gjatë klasifikimit. Kritikët tashmë kanë shprehur shqetësime rreth ndikimit në ambient të misrit dhe kulturave të tjera të kultivuara për synime industriale, siç është prodhimi i plastikës dhe metanolit, e të mos përmendim ndikimet potenciale në çmimet globale të ushqimit.

Në një botë të varur nga plastika, prodhimi, konsumimi dhe asgjësimi më i qëndrueshëm i prodhimeve plastike është i rëndësishëm. Shoqëria civile, industria dhe qeveria duhen punuar së bashku për të rritur sasinë e plastikës së ricikluar, duke siguruar në këtë mënyrë që kostot e plastikës të mos i tejkalojnë përfitimet e tyre.



(Marino Xanthos është profesor i inxhinierisë kimike, biologjike dhe farmaceutike në Institutin e Teknologjisë në New Jersey. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).