Vëmendje palaçove

Ian BurumaIan Buruma
Publikuar: 07.03.2013 - 20:29

New York – Kur shumë italianë muajin e kaluar votuan për një louche apo për një magnat të diskredituar apo një komik, pati një rënie të madhe në stokun e tregjeve. Pa besim publik në klasën politike, Italia mund të bëhet një vend i paqeverisur.

Por italianët nuk janë të vetmuar. Zemërimi kundër establishmentit politik është një fenomen global. Blogerët kinezë, aktivistët amerikanë të Tea Partyt, eurofobët britanikë, egjiptianët islamikë, populistët holandezë dhe “këmishët e kuqe” tajlandeze, të gjitha kanë diçka të përbashkët: urrejtje të status-quos dhe mospërfillje të elitave të shteteve të tyre. Po jetojmë në një kohë të populizmit. Po rrëshqet me shpejtësi autoriteti i politikanëve konvencionalë dhe medieve tradicionale.

Populizmi mund të jetë një korrektues i nevojshëm kur partitë politike bëhen me të madhe sklerotike, masmediat bëhen shumë bashkëpunuese (ose të afërta me pushtetin), dhe burokracitë janë të papërgjegjshme ndaj nevojave të popullit. Në një botë të globalizuar të menaxhuar nga bankierët dhe teknokratët, shumëkush ndien se nuk po i jepet fjala për çështje publike: njerëzit ndihen të lënë pas dore.

Politikanët tanë kombëtarë, kryesisht të paaftë për t’ia dalë me krizat serioze po dyshohen, madje shpeshherë me arsye të besueshme, se po këqyrin vetëm interesat e tyre personale. Krejt çfarë na ka mbetur është t’i votojmë kopukët, nganjëherë duke i votuar kandidatët që nuk do t’i merrnim seriozisht në kohë më normale.

Elitat italiane nuk janë të vetmet që duhet të shkunden. Por problemi me populizmin është se rrallëherë është beninj. Në vitet tridhjetë, populizmi rezultoi në lëvizje të dhunshme të prira nga njerëz të rrezikshëm në uniforma. Populistët e sotëm janë ndryshe. Ata, ose jo të gjithë, nuk proklamojnë dhunë. Disa gjëmojnë se myslimanët po e shkatërrojnë civilizimin perëndimor. Të tjerët mendojnë se presidenti Barack Obama është një lloj nxjerrje komunisti për ta shkatërruar Amerikën.

Dy lloje moderne të populistit megjithatë mund të dallohen: magnati super i pasur dhe palaço. Në botën e medieve anglosaksone, Rubpert Murdoch, pronar i shumë gazetave, stacioneve televizive dhe studiove filmike, është një magnat tipik populist. Por ai kurrë nuk ka pasur aspirata për t’i prirë një vendi. Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi, dhe ish-kryeministri tajlandez, Thaksin Shinavatra, morën drejtimin e vendeve - dhe vazhdojnë të aspirojnë.

As magnati e as palaço nuk është i përshtatshëm si një lider demokratik. Por pyetja është se cili është më i keq.

Palaçot gjithnjë kanë luajtur një rol në politikë. Lolot e mesjetës shpeshherë ishin njerëzit e vetëm që guxonin t’ua thoshin të vërtetën mbretërve despotikë. Sot janë komikët që shpeshherë pretendojnë që ia thonë të vërtetën pushtetit - dhe publikut.

Në Amerikë liberalët u kërkojnë komente politike komikëve të televizionit si Jon Stewart dhe Stephen Colbert, të cilët tani janë më të besueshëm sesa emetuesit tradicionalë të lajmeve. Dhe figurat komike të së djathtës janë ata që nëpërmjet emisioneve të tyre nëpër radiostacione që kanë një ndikim të madh në mesin e shumë votuesve amerikanë konservatorë, sesa gazetarët me qëndrim të butë të medieve kryesore.

Para disa vjetësh, një palaço i quajtur Brozi, me një hundë të madhe të kuqe dhe me një maskë të gjelbër derrkuci, ishte bërë komentatori më i njohur politik në televizionet meksikane, duke u tallur me të gjithë kandidatët që po kërkonin poste publike. Në vitin 1980, palaçoja franceze Coluche hoqi dorë prej garës presidenciale kur një gazetë publikoi përkrahjen prej 16 për qind, që e kishte frikësuar atë se do të mund të ndikonte tepër në rezultatin e zgjedhjeve.

Prototipi i populizmit evropian ishte politikani i zjarrtë holandez, Pim Fortuyn, që ishte vrarë në vitin 2002 prej një kundërshtari fanatik. Qasja e Fortuyn ishte gjithnjë provokuese dhe shpeshherë argëtuese. Qëndrimet e tij kundër elitave nganjëherë ishin konfuze, por ishte shakaxhi, duke i bërë politikanët ta akuzonin atë për politika të dalë mode - e në fakt shumë prej tyre ushtronin politika të tilla.

Dhe tani Italia e ka Beppe Grillon, suksesi i të cilit në zgjedhjet e fundit të vendit e ka bërë atë komikun e parë në Evropë që i prin një partie të madhe.

Puna për palaçot, megjithatë, është se shumë pak prej tyre kanë aspirata për t’u prirë shteteve të tyre. Përpara vdekjes së tij Fortuyn është thënë se ishte tmerruar prej prospektit të zgjedhjes kryeministër. Dhe Grillo madje nuk mund të aspirojë këtë detyrë në Itali për shkak të të dhënave të tij kriminale.

Palaçot kryesisht kërkojnë të provokojnë dhe kjo mund të jetë e shëndetshme. Ata më pak se anëtarët e klasës politike profesionale të lejojnë kalkulimet politike për të ndikuar me mendimet e veta. Dhe, nganjëherë, ata aktualisht thonë gjëra që janë të vërteta, që dikujt nuk i përshtatet të thuhen, por duhet të thuhen.

Magnatët e bizneseve në anën tjetër kanë ambicie të ndryshme. Ata i sulmojnë elitat e vjetra jo për t’i dridhur, por për të marrë pushtetin. Duke premtuar se do ta shpërndajnë pasurinë e tyre, ata keqpërdorin fantazitë e disa prej nesh që kemi pak e duam më shumë. Berlusconi i kupton shumë mirë ëndrrat e shumë italianëve. Ekstravaganca, palaçeria dhe madje bukuroshet e tij ishin pjesë e kërkesës së tij popullore për vota.

Në Tajlandë miliarderi i vetëshpallur kinez i botës së medieve, Thaksin Shinavatra ishte veçanërisht i adhuruar prej njerëzve të varfër. Si një mbret përfitues, ai do t’u jepte atyre para, dhe premtoi të sfidonte elitat e vjetra në Bangkok - bankierët, gjeneralët, gjykatësit dhe madje edhe ata që silleshin në oborrin e mbretit tajlandez.

Por magnatët nuk janë më natyralë se demokratët. Interesi i tyre kryesor është në biznesin e tyre personal. Dhe ata nuk mendojnë dy herë të nënvlerësojnë pavarësinë mediale ose të drejtësisë kur kërcënohet interesat e bizneseve të tyre. Madje edhe tani kur motra e tij, Yinggkluck Shinavatra, ka marrë pushtetin, Thaksin ende po mundohet t’u shmanget gjykimeve në Tajlandë për një sërë akuzash për shmangie të taksave financiare.

Sikurse dihet, Thaksin ishte rrëzuar në vitin 2006 me një grusht shtet ushtarak që me të madhe ishte mbështetur nga elitat e Bangkokut. Berlusconi ishte zëvendësuar nga një qeveri e drejtuar nga teknokratë të elitës, politikat e të cilave duhej të aprovoheshin nga bankierët evropianë dhe burokratët e Bashkimit Evropian.

Asnjëra prej këtyre përgjigjeve të populizmit nuk ka gjasa të nxisë demokraci. Përkundrazi, ata vetëm sa i përkeqësojnë gjërat. Çka kërkohet janë politikanë të rrymës kryesore që kuptojnë dhe i kundërpërgjigjen asaj që po i jep zjarr zemërimit popullor. Mbase mund të jetë e dobishme t’u kushtohet vëmendje atyre që po thonë palaçot.



(Autori është profesor i demokracisë, të drejtave të njeriut dhe gazetarisë në Kolegjin Bard. Është autor i shumë librave, përfshirë më të fundit, “Murder in Amsterdam: The Death of Theo Van Gogh and dhe Limits of Tolerance and Taming the Gods: Religion and Democracy on Three Continents”.

Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)