Mitrovica kundër qytetarit Spahiu

Halil Matoshi Halil Matoshi
Publikuar: 07.03.2013 - 20:27

Gjykata Komunale e Mitrovicës ia njeh të drejtën publicistit Nexhmedin Spahiu që ta shfrytëzojë një hapësirë kontestuese për televizionin e tij, ndërsa Komuna e Mitrovicës ia uzurpon këtë të drejtë të fituar me vendim gjykate, vetëm pse ai ka bërë shumë kritika në adresë të Komunës dhe përgjithësisht Qeverisë.

Komuna e Mitrovicës me këtë veprim ka dhënë mesazhin drastik se të gjithë njerëzit që nuk i shkojnë për hatër politikës së partisë në pushtet do të ndëshkohen, madje do t’u cenohen të drejtat kushtetuese.

E në këtë rast qytetarit Spahiut i është dhunuar liria ekonomike, e drejta e ushtrimit të profesionit dhe e drejta e shprehjes së lirë…

Se në Kosovë nuk ekziston pushteti i tretë, gjyqësori i pavarur, por ai është zaptuar nga politika, dëshmon edhe rasti i Spahiut, i cili, sipas një vendimi të Gjykatës, e ka fituar të drejtën për shfrytëzimin e një lokali kontestues për televizionin e tij RTV Mitrovica, ndërkohë që, Komuna nxjerr një vendim tjetër që bie ndesh me atë të Gjykatës, e më të cilin Spahiu kërcënohet se do të nxirret në rrugë me mjete detyrimi…

Ky është vetëm një rast, por shumë ilustrues, kur organet e pushtetit politik shkelin vendimet e pushtetit të gjyqësorit, pra një organ shtetëror (komuna) nuk e njeh vendimin e një organi tjetër shtetëror (gjykatës) dhe kjo sipas të gjitha parametrave është jo vetëm ndërhyrje politike në pavarësinë e gjyqësorit, por edhe puç ndaj Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Me këso ndërhyrjesh Komuna e Mitrovicës ka shkelur me të dyja këmbët të drejtat ekonomike dhe ato të njeriut, të drejtat e ushtrimit të lirë të një profesioni, të drejtat e punës dhe e ka rrezikuar lirinë e shprehjes.

Nuk është problem këtu një pronë që e ka historinë e vet krejtësisht politike, por zëri disonant me pushtetin i Spahiut në RTV Mitrovica, i cili e ka marrë guximin që të shtrojë për debat teza që bien ndesh me mendësinë kolektiviste në vend, lidhur me shumë procese të shtetndërtimit dhe kombkrijimit, si dhe ndërtimit të një shoqërie të lirë politike dhe të kritikojë në mënyrë konstante Qeverinë e Kosovës për keqqeverisje, prandaj kjo hapësirë publike duhet t’i merret atij dhe t’i jepet një OJQ-je tjetër, vetëm pse ky nuk është i dëgjueshëm dhe i manipulueshëm siç shfaqen qytetarët e tubuar në OJQ-në tjetër që synon t’ia marrë Spahiut hapësirën mediale, “Hendikos”.

Komuna për ta bërë valid presionin ndaj lirisë së fjalës ka nisur të nxisë kundërpresionin e “Hendikosit”, të cilët përmes protestave duan që ta përzënë RTV Mitrovicën nga këto zyra!?

Kryetari Kastrati lëshon një vendim me të cilin i jep “Hendikosit” hapësirën që më parë ishte televizion, duke heshtur kështu një zëdhënës të atyre që nuk kanë zë, e kinse për t’u treguar humanist. Në këtë rast pushteti manipulon edhe me kategori fatkëqijsh, duke u dhënë atyre një sheqerkë, e duke ua marrë zërin qytetar!?

Historia e kësaj prone është vetë historia e dhunës së motivuar politikisht mbi pronën, që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore e deri më sot. Kjo ndërtesë me një vendim të komunistëve për eksproprijim i ishte marrë një shqiptari për të shërbyer një kohë si postë. Me ardhjen në pushtet të Milosheviqit, kjo ndërtesë deri në luftën e Kosovës i ishte dhënë nga administrata e tij një OJQ-je serbe të Mitrovicës dhe, pas luftës në Kosovë, me një vendim të UNMIK-ut kjo ndërtesë i ishte dhënë në shfrytëzim Spahiut për nevojat e televizionit të tij.

Në korrik të vitit të kaluar Komuna dhunshëm e kishte nxjerrë Spahiun nga kjo ndërtesë, duke ia dëmtuar dhe zhdukur arkivin e Televizionit dhe dokumentacionin tjetër, por Gjykata Komunale ia kishte kthyer çelësat dhe pajisjet pas dy muajve.

Me aktvendimin 103/12 të majit 2012, Gjykata Komunale e Mitrovicës ka vërtetuar se Komuna e ka shqetësuar dhe penguar Spahiun në shfrytëzimin e “lokalit afarist”, përkatësisht hapësirës kontestuese në sheshin “Jasharajt” në Mitrovicë, prandaj me këtë aktvendim Komuna e Mitrovicës obligohet që menjëherë t’ia mundësojë Spahiut qasjen e papenguar në këtë hapësirë dhe të përmbahet në të ardhmen nga veprime të tilla apo të ngjashme në raport me Spahiun.

Dhe së treti, Komuna obligohet që të paguajë shumën prej 276 eurosh për shpenzime procedurale, në afat prej shtatë ditësh. Gjykata po ashtu ka shfuqizuar masën e sigurisë mbi të njëjtën pronë të cilën e kishte marrë Komuna dhe ekzekutimin e këtij aktvendimi nuk mund ta ndalonte ankesa.

Mirëpo çfarë ndodhi?

Ndonëse bëhet fjalë për një hapësirë kontestuese ku e zhvillon aktivitetin e tij medial, Spahiu nuk ka pasur të drejtë të kualifikuar për posedim, mirëpo nga Gjykata Komunale i është njohur e drejta e shfrytëzimit, porse ndaj këtij vendimi të Gjykatës, Komuna ka nxjerr një kundërvendim politik, sipas të cilit e drejta e shfrytëzimit i merret Spahiut dhe i jepet një segmenti tjetër të shoqërisë civile.

Me këtë vendim Komuna e Mitrovicës ka cenuar rëndë së paku shtatë dispozita kushtetuese, pesë nga to duke ushtruar presion ndaj qytetarit Spahiu, dhe dy prej tyre kundër pavarësisë së gjykatave, (neni 102. 2. Pushteti gjyqësor është unik, i pavarur, i drejtë, apolitik e i paanshëm dhe siguron qasje të barabartë në gjykata.

Por një segment i shtetit (komuna) e ka shkelur këtë dispozitë duke kryer kështu një puç mbi Kushtetutën. Neni 124. 6 i Kushtetutës së Kosovës thotë se komunat obligohen që të respektojnë vendimet gjyqësore. Së këndejmi, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, është i obliguar të zbatojë vendimet e gjykatës, siç parashihet me nenin 6 të Ligjit nr.o3/L-199 për gjykatat; vendimet e gjykatës janë të detyrueshme për të gjithë personat fizikë dhe juridikë.

Dhe bazuar në ligjin për qeverisje lokale nr.03/L040, shtojcën XII të Rregullores 02. 2011, për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit , Ministria e Pushtetit Lokal, përkatësisht zv.kryeministri i Kosovës dhe ministër i Pushtetit Lokal, Slobodan Petroviq, i ka kërkuar Komunës së Mitrovicës që me urgjencë të zbatojë vendimin e Gjykatës, por kryetari Avni Kastrati i ka mbetur besnik vendimit të tij që ta heshtë Spahiun.

Pesë dispozitat e tjera të cenuara në rastin e presionit ndaj qytetarit Spahiu janë:

Neni 24 [Barazia para Ligjit] 1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.

Neni 40 [Liria e Shprehjes] 1. Liria e shprehjes është e garantuar. Liria e shprehjes përfshin të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, mendime dhe mesazhe të tjera, pa u penguar nga askush.

Neni 42 [Liria e Medieve] 1. Garantohet liria dhe pluralizmi i medieve.

Neni 46 [Mbrojtja e Pronës] 4. Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë eksproprijimin, do të zgjidhen nga gjykata kompetente.

Neni 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] 1. E drejta e punës garantohet.

2. Secili person është i lirë të zgjedhë profesionin dhe vendin e punës.

Prandaj, lëreni të qetë qytetarin Spahiu!

Krijoni kushte që ai të ushtrojë lirshëm profesionin e tij, gazetari Spahiu!

Mos e cenoni lirinë e shprehjes.

Dhe, mbi të gjitha, mos u ngrini kundër shtetit duke interferuar në pavarësinë e gjykatave, sepse kështu ju po i tradhtoni idealet e lirisë së Kosovës, idealet e demokracisë dhe lirisë!

lumnija10.03.2013/02:41

Halil kjo fjali e jotja ta hedh krejt artikullin poshtë. "Ndonëse bëhet fjalë për një hapësirë kontestuese ku e zhvillon aktivitetin e tij medial, Spahiu nuk ka pasur të drejtë të kualifikuar për posedim, mirëpo nga Gjykata Komunale i është njohur e drejta e shfrytëzimit, porse ndaj këtij vendimi të Gjykatës". Dmth pronari është komuna dhe si pronar ajo ka të drejtë t'ja lëshoj me qira lokalin kujt të besojë që është më e vlefshme për komunën. Spahiu e ka kepërdorur të drejtën e shfrytëzimit me vite duke mos paguar qiranë dhe duke vjedhur rrymën. Ai në fakt ka vjedhur qytetarët e Mitrovicës dhe Kosovës. Për kësi lloj krimi në Gjermani shkon në burg.

Turi Shkodra08.03.2013/10:47

Tani, ti Sami me Nexhmedinin, ia futni kot nganjëherë... Në fakt nuk e kam kuptuar akoma se pse e bëni këtë? Kujt I shërbeni, nëse jo kombit shqiptar?!

naimi08.03.2013/10:06

Urime Hallil, qenke bere interpretues ligjor. I çartë je, hahahaaaa

Agimi08.03.2013/08:02

Ne Kosove nese don te je i qete nga politika dhe pushteti as mos fol e as mos shkruaj kunder Serbise. Perndryshe te ndodh si N. Spahiut.

Vetedija08.03.2013/00:48

As ti e as z.Spahiu nuk jeni te vetedijshem cka dhe per cka flitni.
Apo ndoshta vuani nga nje shizofreni
te terheqjes se vemendjes,nese jo pozitive te pakten negative.Kjo tregon se
vuani nga kompleksi i inferioritetit.

Petiriti07.03.2013/21:44

Qyteteri Spahija nuk eshte dash me u shty me hyqymetin se Kadria Vepron