Shkrirjet fatale

Sergei KaraganovSergei Karaganov
Publikuar: 06.03.2013 - 20:10

Gjatë Luftës së Ftohtë, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara në njëfarë forme më të zbutur, u imponuan shteteve dhe shoqërive kufizime të jashtme, duke nxitur “ngrirje” të konflikteve jetëgjata ndërmjet shteteve më të vogla. Këto konflikte kanë filluar “të shkrihen” pas rënies së Bashkimit Sovjetik në fillimit të viteve nëntëdhjetë.

Me tensionet ndëretnike tashmë në rritje, Jugosllavia do të bëhej shteti i parë që do të shkatërrohej prej konfliktit. Pas një kohe të shkurtër, shpërtheu lufta ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit që u pasua nga luftimet në Transdnistri dhe Çeçeni. Derisa disa prej konflikteve ishin adresuar - Perëndimi më në fund ndërhyri ushtarakisht në ish-Jugosllavi, dhe Rusia luftoi në Çeçeni për pothuajse një dhjetëvjetësh, dhe imponoi paqen në Transdniestri - të tjera, si lufta ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit, thjesht ishte ngrirë edhe njëherë.

Fatmirësisht, nuk shpërthyen të gjitha konfliktet e mundshme. Bashkimi Sovjetik nuk u mbërthye në dhunë, sikurse ka ndodhur me shumicën e perandorive - një rezultat për të cilin nuk mjafton asnjë shpjegim i shkurtër i ndërhyrjes hyjnore ose fatit të mirë. Pavarësisht prej rritjes së ndjenjave nacionaliste dhe dyshimeve të përbashkëta, shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore gjithashtu ia dolën të menaxhonin shmangien e konfliktit, falë pranimit të shpejtë e tyre në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Në këtë pikë, bota mori një frymëmarrje të lirë. Por në fillim të viteve të mileniumit të ri, globalizimi shkaktoi “shkrirjen e dytë” nëpërmjet rritjes së rrufeshme ekonomike në shtete aziatike që, për dy shekuj, ishin tkurrur prej dominimit perëndimor, rregullave dhe institucioneve të Luftës së Ftohtë, dhe varfërisë ekstreme.

Me ekonomitë në lulëzim u rritën edhe interesat strategjike, duke çuar në një rritje të ndikimit të gjeopolitikës të formësuar nga interesat dhe shqetësimet rajonale, e jo prej forcave të jashtme. Dështimet e Perëndimit në Irak dhe Afganistan, të pasuara nga kriza ekonomike botërore (që shpërfaqi shumë dobësi strukturore në Shtetet e Bashkuara dhe në BE, të cilat nuk kishin në gjendje t’i zgjidhnin e të dyjave), zgjeruan këtë proces.

Si rezultat, Evropa praktikisht ka hequr dorë prej rolit të saj global gjeopolitik, me virtualisht kurrfarë pranie të saj, me përjashtim të tregtisë, të mbetur në Azinë Lindore. Megjithëse Shtetet e Bashkuara kanë rikthyer një ndikim të konsiderueshëm, kombinimi i problemeve ekonomike strukturore, elitës së ndarë dhe dy humbjeve ushtarake de facto, ia kanë reduktuar mundësinë e saj për ta ushtruar atë fuqi.

Aleancat e vjetra - si Traktatit i Organizatës së Azisë Juglindore, Traktati i Organizatës së Evropës Qendrore, dhe Traktati i Sigurisë i Shteteve të Bashkuara, Zelandës së Re dhe Australisë - kanë marrë fund ose po fundosen. Dhe koha ka treguar se është i zorshëm krijimi i aleancave të reja, me Indinë, që me një përulje jokarakteristike, refuzon atë çfarë ka propozuar SHBA-ja.

Në të njëjtën kohë, Azia po turbullohet nga belatë territoriale në rritje në detet e Kinës në Jug dhe Lindje, për shkak të ringjalljes së pretendimeve tokësore të shteteve kundër njëri-tjetrit. Të gjithë i frikësohen Kinës, që mbetet relativisht paqësore, por nuk lodhet fort të heqë dorë prej kapaciteteve ushtarake në rritje. Meqë nuk po shihet as në horizont arritja e një arkitekture panaziatike të sigurisë në një të ardhme të afërt, ikja e Perëndimit prej rajonit do të gjenerojë një vakuum sigurie.

Për më tepër, në Lindjen e Mesme më të gjerë, rënia e diktaturave shekullare njëra pas tjetrës, bashkë me humbjen e kontrollit të jashtëm, ka nxitur dyshime të reja - dhe ka ringjallur të vjetrat - sikurse edhe mosmarrëveshje fetare dhe mosbesim të të huajve në përgjithësi dhe në Perëndim në veçanti. Si rezultat i kësaj, rajoni ka hyrë në një periudhë të konfliktit, degradimit social, rritje nacionalizmi dhe fanatizmi fetar.

Më kërcënuese, megjithatë është mundësia se mund të shkatërrohet Bashkimi Evropian, duke nxitur kështu një shkrirje të tretë. BE-ja, e themeluar për ta thyer rrethin destruktiv të nacionalizmit evropian që kishte lehtësuar ngritjen e dy sistemeve totalitare dhe që shkaktoi dy luftëra botërore, u ndërtua mbi bazën e një prototipi të një rendi human botëror. Duke qenë armik i vetes - dhe si rrjedhojë edhe i botës - për dekada me radhë, Evropa u bë një fanar i paqes.

Por, duke qëndruar në dafinat e themeluesve të BE-së, liderët pasardhës evropianë me të madhe dështuan t’i kapërcenin sfidat që solli globalizimi. Ata duket se harruan që motivi që po e mbante të bashkuar projektin evropian ishte politik, e jo ekonomik, që i detyroi ata të turreshin drejt zgjerimit dhe vënies së qëllimeve jorealiste. Tani, ata duhet të paguajnë për gabimet e veta, duke rrotulluar mbarë kornizën institucionale të BE-së dhe eurozonës.

Në të njëjtën kohë, evropianët duhet të përgatiten për një transformim larg më të thellë. Me qëllim të rikthimit të konkurrencës ekonomike, shtete evropiane do të detyrohen të braktisin shumë prej politikave të tyre të mirëqenies sociale, dhe të reformojnë institucionet e tyre politike. Shumica e evropianëve preferojnë të injorojnë sfidën në rritje të reformës radikale politike, për shkak të rënies së standardeve të jetesës që do të pasonin.

Liderët botërorë duhet ta trimërojnë Evropën të sfidojë problemet e veta me vendosmëri, duke ofruar këshilla, mbështetje financiare dhe kritika konstruktive. Rusia duhet të vazhdojë të kërkojë me ngulm një Aleancë të Evropës - një kornizë të re për marrëdhënie ekonomike dhe diplomatike ndërmjet BE-së, Rusisë dhe mbarë Evropës - që do të mund të ofronte një rrugë për dalje të Evropës prej krizës sistematike.

Shkrirja e parë pati pasoja serioze. Tani, liderët e botës duhet të punojnë për të minimizuar shkrirjen e dytë, dhe të përdorin të gjitha mjetet e gatshme për ta parandaluar të tretën.



(Autori është anëtar i Presidencës së Këshillit për Politikë të Jashtme dhe të Mbrojtjes, dekan i Shkollës së Ekonomisë Botërore dhe Çështjeve Ndërkombëtare në Shkollën e Lartë Ekonomike të Universitetit Kombëtar të Kërkimeve të Rusisë. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)