Konsensusi i pavërejtur për energjinë

Jan-Peter OltersJan-Peter Olters
Publikuar: 02.03.2013 - 20:15

Të supozojmë se KOSID-i dhe organizatat e shoqërisë civile aleate të saj do të “fitojnë” debatin për energjinë, ashtu që termocentrali “Kosova e Re” të mbetet i pandërtuar. A do ta transformonte kjo Kosovën dhe a do të sillte atë lloj ardhmërie të pasqyruar dhe të avokuar nga fushata e paradokohshme mediatike e KOSID-it? Me energji të pastër, të sigurt dhe të përballueshme nga burimet e ripërtërishme? Apo ky “sukses” do të përfundonte si fitore e Pirros, me një çmim për Kosovën, ekonominë e saj dhe qytetarët e saj? A do të sakrifikohej Strategjia Energjetike e sotme – që synon hapjen e dyerve për teknologjitë moderne dhe për një miks energjetik – në favor të mbështetjes së vazhdueshme në “Kosovën A” dhe investimet oportuniste në këtë sektor, duke rezultuar në më shumë e jo më pak gjenerim të energjisë të bazuar në thëngjill në vitet dhe dekadat që do të vijnë? Me termocentrale që do të ndërtoheshin jo për rritur sigurinë vendore të energjisë, por me sy thjesht nga eksportimi i energjisë, me teknologji që nuk janë konsistente me kërkesat e specifikuara në acquis communautaire të Bashkimit Evropian për mjedisin, dhe me pasoja socio-ekonomike të pastudiuara në ndonjë vlerësim të ndikimit mjedisor dhe social? Vullneti i mirë nuk do të mjaftojë për të siguruar një të ardhme pa thëngjill në Kosovë, e edhe më pak, duke marrë parasysh qëndrimin mbi rezerva të dëshmuara dhe të eksploatueshme të 11 deri 14 miliardë tonëve të linjitit (që, me shkallën e tashme të konsumit, do të zgjasnin edhe për 1500 vjetët e ardhshme).  Këto rezerva të linjitit nuk janë fshehtësi, shfrytëzimi i tyre është krahasimisht i lehtë, dhe investues potencialë janë duke pritur anash, me një spektër të gjerë idesh dhe planesh.



Mund të shprehet keqardhje, mirëpo Kosova nuk është bekuar me insolimin e Saharasë, lagështinë tropike, apo përhershmërinë e erërave të Atlantikut Verior. Si i tillë, vendi nuk ka ndonjë përparësi të veçantë krahasuese në përdorimin e teknologjive solare, ujore, apo të erës. Pavarësisht se a vijnë nga burimet e ripërtërishme apo nga karburantet fosile, importet janë të shtrenjta dhe – sidomos gjatë kohës së kërkesës më të madhe – nuk janë në dispozicion. Rrjeti energjetik i trashëguar nga  koha e Jugosllavisë mbetet nga-veriu-në-jug, që jo domosdo është përparësi për Kosovën. Planet për të integruar tregun rajonal të energjisë kanë përjetuar dështime. Investimet në linjën e transmisionit prej 400-kV ndërmjet Shqipërisë (që ka burime të mëdha ujore) dhe Kosovës (që ka burime të mëdha të karburanteve fosile) po ritenderohet për arsye që janë përtej kontrollit të Kosovës. Nuk ka dyshim se – bashkë me menaxhimin aktiv të kërkesës dhe investimeve në efiçiencën e energjisë – burimet alternative të energjisë do të duhet të luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm si burime shtesë të energjisë për rrymën që do të prodhohet nga termocentralet moderne që djegin fosile me teknologjinë më të mirë në dispozicion.



Projekti “Kosova e Re”, sipas dizajnit të tashëm dhe ashtu si është përfshirë në Strategjinë e Energjisë, duket se reflekton një konsensus themelor të arritur pas disa viteve të debateve, analizave dhe studimeve. Gjatë kësaj periudhe kohore, në strategji janë bërë ndryshime të rëndësishme, shumë prej të cilave kanë qenë propozuar dhe iniciuar nga shoqëria civile e Kosovës. Ideja fillestare për “Kosovën C” prej 2,000 MW është e vdekur. Pakoja tenderuese për “Kosovën e Re” dhe ajo për rehabilitimin e “Kosovës B” janë ndarë. Është përcaktuar dhe po zbatohet një kornizë për zhvendosjet. Standardet mjedisore, të cilat do të zvogëlojnë rëndësishëm ndotjen e ajrit dhe ndikimet në shëndet janë përfshirë në draftin e Kërkesës për propozime për “Kosovën e Re”. Po përgatitet korniza ligjore, institucionale dhe infrastrukturore për të mundësuar shfrytëzimin prioritar të burimeve alternative të energjisë në rrjetin e Kosovës. 



Faza e gjatë përgatitore dhe debatet e zgjeruara ishin të nevojshme dhe janë treguar të dobishme ashtu që gjatë gjithë kësaj periudhe ka evoluar një “konsensus minimal themelor” për të bërë të gjitha përpjekjet për të ndryshuar balancën 98 me 2 për qind ndërmjet burimeve fosile dhe të ripërtërishme kah këto të fundit. Ka pajtim që të kërkohet zbatimi i një strategjie të energjisë që përbëhet nga aq thëngjill sa është absolutisht e nevojshme dhe sa më shumë energji të ripërtërishme që është e mundshme (dhe ekonomikisht e qëndrueshme).  Për aq kohë sa energjia e ripërtërishme të futet në rrjet në bazë prioriteti, investimi i paraparë në “Kosovën e Re” nuk do të largojë investimet në burimet alternative të energjisë, e edhe më pak pasi që rrjeti rajonal i transmisionit të jetë bërë realitet. Distribucioni 80-20 ndërmjet burimeve fosile dhe të ripërtërishme të prodhimit të energjisë deri në mes të viteve 2020, siç është projektuar nga raporti i Bankës Botërore, studimet e opsioneve, nuk është aq larg nga përbërja 66-34 e deklaruar si qëllimi përfundimtar në debatin e paradokohshëm pas fushatës me reklama në Kosovë dhe është plotësisht në pajtim me objektivat e shprehura në publikimin e paradokohshëm të Forumit 2015:



“Kosova nuk mund të mbështetet plotësisht në burime të energjisë alternative. Tash për tash asnjë vend nuk mund ta bëjë këtë. Mirëpo, potencialet e saj të ujit, erës dhe diellit, janë të mjaftueshme për të sjellë ndryshime të prekshme në përbërjen e furnizimit me energji të vendit. Futja e energjisë së ripërtërishme do ta bënte sektorin energjetik më të diversifikuar, më të decentralizuar dhe shumë më të pastër”.



Ky konsensus themelor zbulon shkallën e evoluimit të debatit për energjinë nga fillimi. Sot Strategjia e energjisë reflekton (i) të kuptuarit gjithnjë e më të madh global dhe vendor të kostove dhe dobive të alternativave të ndryshme energjetike; (ii) një të kuptuar më të qartë të aftësive të Kosovës për të tërhequr investimet e huaja me kualitetin e nevojshëm për të sjellë në Kosovë teknologjinë më të mirë në dispozicion; dhe (iii) numrin e madh të inputeve valide nga të gjitha anët.



Kështu, shumica e elementeve kanë rënë në vendin e vet për t’i mundësuar Kosovës që të zbatojë  - me përfshirje të sektorit privat – investime moderne në të gjitha segmentet e burimeve ekonomikisht të qëndrueshme të energjisë që janë në pajtim me standardet mjedisore të BE-së. Ajo që është më e rëndësishme, do të mundësojë mbylljen deri në vitin 2017 të termocentralit “Kosova A” që është shumë joefikas dhe tmerrësisht ndotës – burimi më i rëndësishëm individual i ndotjes së ajrit dhe ndikimeve të lidhura shëndetësore. Alternativa ndaj kësaj – pothuajse sigurisht – është mbështetja e vazhdueshme në “Kosovën A” në një të ardhme të konsiderueshme, me investimet oportuniste jashtë strategjisë së tashme të energjisë, duke i shtuar edhe më shumë ndotjes së ajrit në Kosovë. A është vërtetë ky qëllimi?



(Autori është menaxher i Bankës Botërore për Kosovë. Ky tekst është i bazuar në një fjalim të mbajtur para KOSID-it dhe organizatave të shoqërisë civile aleate të tij, në Prizren, më 28 shkurt 2013).