Autostrada - “Kur t’dush shtyhemi me kerre“

Muhamed A. Krasniqi
Publikuar: 06.02.2013 - 20:05

Kështu i tha një ngasës shokut të vet para disa ditësh kur moti ishte i mirë, teksa ne prisnim daljen e dritës së gjelbër në semafor. Të them të drejtën, njëherë thashë me vete shyqyr që këta ngasës nuk kanë halle të tjera! Ky mendim i imi humbi menjëherë dhe fillova të mendojë për rreziqet që do të sjellë garimi i tyre eventual në autostradë. Veprimet e këtyre ngasësve “entuziastë” janë të rralla dhe mjaftë të veçuara, të cilët në mungesë të hapësirave të dedikuara për sporte dhe ngasje ekstreme shfrytëzojnë autostradën. Pavarësisht kësaj, autostrada është shumë e dobishme për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion. Autostrada është projekti më i madh rrugor në historinë mbarëkombëtare. E di që të gjithë pajtoheni me këtë konstatim, sa herë që çelet muhabeti i autostradës, e që te ne është muhabet shumë i shpeshtë. Për autostradën me shumë kureshtje dhe dashuri flasim të gjithë ne, sidomos kur është “puna e pushimit”. Flasin fëmijët, të rinjtë por edhe pleqtë, të cilët edhe pse në moshë të shtyrë, nga malli i tyre i kamotshëm për Shqipërinë me qejf dhe pa përtesë e marrin këtë rrugë. Edhe mërgimtarët tanë të cilët gjenden në Perëndim, me kënaqësi gjate pushimeve e shfrytëzojnë autostradën. Verës në ardhje apo kthim ata ndalen në bregdet dhe bëjnë ndonjë ditë pushim. Këto ditë puna e autostradës po bisedohet edhe në qarqet më të larta politike vendore dhe ndërkombëtare dhe po thuhet se Serbia, sikurse punët dhe proceset e tjera, edhe autostradën po do ta dredhojë pak. Nejse, tash kur është inauguruar një pjese të autostradës brenda Kosovës, e cila është pjesa kryesore drejt kompletimit të autostradës, të gjithë mendojmë dhe shtrojmë të njëjtën pyetje: “për sa shkohet n` Tiranë”.

Autostrada është sebep i mirë për integrimin dhe bashkëpunimin mbarëkombëtar por edhe rajonal. Kësaj autostrade përveç Kosovës dhe Shqipërisë, ua kanë parë hairin edhe shtetet e rajonit, si Maqedonia, Mali i Zi, por besa më vonë edhe Serbia. Fqinji ynë verior, Serbia, duhet t`i ndërtojë edhe pak kilometra autostradë dhe autostrada jonë bëhet me interes ekonomik edhe për Rumaninë, Hungarinë dhe Bullgarinë. Përveç shfrytëzimit të autostradës për qëllime turizmi, kjo autostradë është duke u shfrytëzuar edhe si rrugë transite për të udhëtuar nga shtetet evropiane drejt rajonit dhe anasjelltas. Viteve të fundit janë shpeshtuar edhe kamionët e ndryshëm dhe cisternat që transportojnë mallra për nevoja të shteteve të rajonit. Autostrada është arteria kryesore e rajonit dhe rruga më e shkurtër dhe më e lirë për Kosovën dhe për disa shtete fqinje. Shumë mallra, duke shfrytëzuar këtë autostradë hyjnë në shtetet e rajonit përmes portit të Durrësit, i cili përditë e më tepër për nevojat e Shqipërisë dhe Kosovës është duke zëvendësuar portin e Selanikut në Greqi apo portin e Barit në Malin e Zi. Sipas të dhënave të vitit 2010 të Bankës Botërore para ndërtimit të autostradës, porti grek i Selanikut mbulonte 70 % të gjitha ngarkesave të eksportit dhe importit në Kosovë dhe pastaj radhiteshin Porti i Barit dhe së fundi Porti i Durrësit. Gjatë dy viteve të fundit ky raport ka ndryshuar dukshëm dhe sipas raportit vjetor te Doganave të Kosovës për vitin 2011, del se importet nga Shqipëria kanë shënuar rritje për mbi 50 % në raport me vitin 2010. Shqipëria renditet ndër shtetet e para, nga 30 shtetet nga të cilat importohen më  së shumti mallra për tregun e Kosovës.

Autostrada përveç të mirave, përparësive dhe interesit ekonomik të dyja vendeve tona, është shumë tërheqëse sidomos pjesa e Shqipërisë, e cila falë relievit dhe thyerjeve të shumta gjeografike duket bukur. Kjo bukuri do të ishte e mangët po të mos ishin edhe dhjetëra ura, të cilat në  Shqipëri i konsiderojnë si vepra arti. Pa dyshim se pjesa më e bukur e krejt autostradës është kufizimi me kodra dhe shkëmbinj të prerë dhe të gdhendur me shumë mjeshtëri. Këta shkëmbejë përveç efektit të tyre si mbrojtës natyralë kundër shembjes se dheut dhe gurëve kanë edhe efektin estetik. Autostrada në pjesën e Kosovës nuk është më e mirë siç e dëgjojmë shpeshherë, por është më e kollajshme për ngasje, sepse relievi është kryesisht i rrafshët dhe nuk kemi kthesa të ashpra, tatëpjeta apo teposhta sikurse në pjesën e Shqipërisë. Ngasja e automjetit në autostradë kërkon vëmendje dhe koncentrim absolut për çdo sekondë të kaluar. Një pakujdesi e vogël në ngasje mund të jetë e mjaftueshme për shkaktimin e aksidentit, i cili në kushtet dhe rrethanat e rrugës vështirë se mund të kalojë vetëm me dëme materiale. Aksidentet e komunikacionit në autostradë, në krahasim me lokacionet e tjera, fatbardhësisht janë më të rralla në numër por fatkeqësisht janë më të shpeshta me fatalitet, kryesisht për shkak të lejimit të zhvillimit të shpejtësisë më të madhe. Autostrada përveç dobive të mëdha në të gjitha rrafshet, në një rrafsh tjetër mund të jetë edhe një derë e kobshme për pjesëmarrësit e pakujdesshëm në qarkullimin rrugor. Respektimi i rregullave dhe shenjave të komunikacionit si dhe prania sa më e madhe e policisë së trafikut veçmas në këtë fillim është duke kontribuar mjaft në rritjen e nivelit të sigurisë. Populli thotë se “malin e ruan tuta dhe jo rojtari”, e në rastin  e autostradës kjo tuta është shumë e dobishme sepse domosdo rrit kujdesin e të gjithë shfrytëzuesve të autostradës, rrjedhimisht zvogëlon mundësitë e shkaktimit të aksidenteve.      

Tash kur është lëshuar në qarkullim edhe segmenti i ri i autostradës në gjatësi 64 km. deri ne fshatin Arllat, praktikisht nga Tirana është krijuar lidhja e re me Prishtinën përmes rrugës magjistrale Pejë-Prishtinë. Duke parë ngarkesën e përditshme të kësaj rruge sidomos ditëve të punës, druaj se kjo rrugë ekzistuese do të mbingarkohet. Në këtë rast më së shumti do të vihen në siklet udhëtaret sidomos punëtoret, nxënësit dhe studentët të cilët shfrytëzojnë këtë rrugë në baza ditore për në Prishtinë dhe anasjelltas. Rruga e re përveçqë ka krijuar një lidhje të re mes Prishtinës dhe Tiranës, në të njëjtën kohë krijon edhe një lidhje të re mes Prishtinës dhe qyteteve brenda Kosovës, si Theranda, Rahoveci, Prizreni dhe Dragashi. A thua, do të jetë një gjendje që ky segment rrugor nga Arllati deri në Prishtinë t`i “përpijë” të gjitha automjetet, autobusët dhe kamionët e ndryshëm, të cilët do të shfrytëzojnë këtë rrugë. Gjatë fluksit të mjeteve motorike të të gjitha kategorive, rrjedha e trafikut pritet të ngadalësohet dukshëm sidomos në rrethrrotullimet në Fushë-Kosovë dhe në hyrje të qytetit të Prishtinës e më pak në udhëkryqet në Sllatinë, Komoran dhe Arllat. Krahas ndërtimit të autostradës është dashur që të mendohej edhe për ndonjë mundësi tjetër alternative posaçërisht për nevojat e udhëtarëve dhe transportuesve që kryeqytetin e shfrytëzojnë si rrugë transite deri në destinacionin e tyre. Mundësitë ekzistuese të qarkullimit rrugor pa anashkaluar qendrën e kryeqytetit do të lehtësonin lidhjen me Tiranën dhe do të vështirësonin lidhjen me Prishtinën dhe qytet e tjera brenda vendit.

Krejt në fund, nuk di se a më afër do të jetë Tirana apo Prishtina nga qyteti i Prizrenit. Nëse më afër është Prishtina, atëherë pa dyshim se deri në Prishtinë tash për tash do të këtë më shumë ndalesa dhe pritje në rrugë, sesa nga Prizreni deri në Tiranë.



(Autori është drejtor i shkollës së lartë profesionale “Tempulli”, Prishtinë)

mali07.02.2013/03:42

ne vendin ku komunikacioni eshte i pazhvilluar dhe ku egzison vetem nje rruge ateher folet shume per asgje sepse vendi pa rruge eshte vend i pazhvilluar