Guvernatori

Dardan SejdiuDardan Sejdiu
Publikuar: 06.02.2013 - 20:03

I ulur në një karrige të një hoteli luksoz, kalonte nëpër letra të shumta që kishte përpara, i zellshëm dhe i përkushtuar në punën e tij.  Këto nuk ishin as punime shkencore, as raporte financiare, e as ndonjë punim seminarik i studentëve.  Ishin fletëvotime. I numëronte votat. Nuk ishte i vetëm.  Ishte me shokët e tij të partisë. Të gjithë bënin të njëjtën punë, numëronin votat për Këshillin Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës. 

Deri para pak javësh ky numërues i votave ishte ministër i Financave, i preferuari i kryeministrit për t’ia besuar buxhetin apo thënë më mirë paratë e shtetit. Dha dorëheqje sepse kishte plane të tjera, apo ndoshta të tjerët kishin plane të reja për te, kjo tanimë është pak e rëndësishme. Pozita e “zbrazët” e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, institucionit më të rëndësishëm ekonomik e financiar në vend, e joshi sa atë, aq më shumë edhe shefin e tij.

Arsyet për këtë joshje mund të jenë të shumta, prej kontrollit që Banka Qendrore e Kosovës ka mbi fondin e privatizimit, deri tek rregullat e saj për sistemin financiar, por edhe te lejet dhe licencat e nevojshme për t’u futur në industrinë e financave apo sektorët e saj specifikë, siç është për shembull sektori i sigurimeve.  Shpresoj se arsyet për këtë joshje nuk do të na i tregojë koha.

Ish-ministri i Financave nuk plotëson asnjërin prej kritereve dhe kushteve të domosdoshme për të qenë guvernator i institucionit më të rëndësishëm ekonomik e financiar në Kosovë. Arsyet janë të shumta, por të nisemi nga ajo më e lehta, kërkesat e traktatit të BE-së dhe kriteret që duhet plotësuar nga cilido person që ka për synim këtë post.

Banka Qendrore e një vendi, ashtu siç parashihet nga direktivat dhe traktati i BE-së, përkatësisht neni 130, duhet të jetë e pavarur, përveç tjerash, nga çfarëdo presioni, këshillimi apo edhe ndikimi nga qeveria apo cilido organ tjetër në vendimmarrjen e saj. Për më shumë, çdolloj veprimi i këtij institucioni duhet të jetë transparent, derisa përgjegjësia dhe qeverisja korporative duhet të jenë shembull për sistemin në të cilin operon. Pra, Bashkimi Evropian dhe rregullat e përcaktuara me direktiva të ndryshme janë të qarta.  Çdolloj ndikimi shkel mbi pavarësinë e këtij institucioni.

Rëndësia e institucionit të guvernatorit imponon seriozitet, profesionalizëm, paanshmëri politike, por edhe dije të pakontestueshme profesionale mbi sistemin financiar dhe rolin që një Bankë Qendrore luan në kuadër të një ekonomie. Kjo bëhet edhe më me peshë nëse ajo ekonomi është e brishtë, e pastrukturuar, e në varësi totale nga remitancat dhe rezervat e shterura buxhetore.

Për më shumë, guvernatorët e bankave qendrore duhet të jenë personalitete, që përveç dijes së theksuar mbi sistemin financiar dhe kuptimin e rolit kyç që luan një institucion i tillë, duhet të plotësojnë edhe ca kritere të përshtatshmërisë. Këto kritere në botën e financave përmblidhen në integritet dhe reputacion, kompetencë dhe kapacitete profesionale të pakontestueshme, si dhe qëndrueshmëri financiare.

Nënvizimi i këtyre kritereve, përveç kushteve të qartësuara nga BE, është i domosdoshëm, sepse vetëm kështu mund të gjykojmë mbi personin që i numëron votat në hotele luksoze për miqtë partiakë. Dhe duke i krahasuar këto kritere me të arriturat dhe biografinë e ish-ministrit, konkludojmë që këto kritereve vështirë se mund të plotësohen.

Por për hir të vlerësimit korrekt, biografia e ish-ministrit përmblidhet si vijon.  Emërohet ministër i Financave më 22 shkurt 2011, ndërsa para kësaj, për tre vjet ishte zëvendësministër dhe dora e djathtë e Ahmet Shalës, atëbotë ministër i Ekonomisë dhe Financave. Gjithashtu ishte nënkryetar i PDK-së në Mitrovicë dhe shef i Departamentit për Ekonomi dhe Financa për Qeverisjen e Mirë në po këtë parti.  Prej vitit 2000 deri në vitin 2003, ka qenë drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, i vendosur aty përsëri nga kjo parti. Në periudhën 1990-1998, ka punuar në biznes privat, e para kësaj në periudhën 1987-1990, z. Hamza ka punuar si udhëheqës i Kontabilitetit dhe Financave në Metalurgjinë e Plumbit, në kombinatin “Trepça”.

Së pari, edhe duke iu referuar biografisë së tij të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, ish-ministri nuk gëzon reputacion për njohjen e industrisë financiare, e aq më pak të sektorëve specifikë brenda. Karriera e tij është krejtësisht politike, dhe ajo pararendëse nuk është e ndërlidhur me sistemin financiar.

E dyta, duke pasur këtë ngritje në karrierë të ndërlidhur kryekëput me partinë në pushtet, bëhet edhe më e vështirë të argumentohet që ka kapacitete profesionale sa i përket sistemit financiar. Sa ishte ministër i Financave ka bërë lëshime marramendëse, prej dështimit disavjeçar të të hyrave për afro 300 milionë euro, deri tek lejimi i kryeministrit për të shkelur marrëveshjen me FMN-në dhe KE-në.

E treta, lehtësia me të cilën kryeministri por edhe ish-ministri i Financave mendojnë ta trajtojnë postin e guvernatorit të Bankës Qendrore është e frikshme, dhe madje për dy arsye.  E para ka të bëjë me guximin e paturpshëm për të emëruar dikë që është 100% partiak në institucionin më të rëndësishëm ekonomik e financiar, e që duhet të jetë plotësisht i pavarur. Kjo pavarësi duhet mbrojtur nga vetë kryeministri prej çfarëdo ndërhyrjeje qeveritare dhe partiake. Arsyeja e dytë është lehtësia me të cilën kryeministri në kundërshti të plotë me praktikat gjithandej, por edhe kriteret dhe rregullat e BE-së, përkrah dhe avokon për këtë hap.

Ndoshta në një të ardhme jo të largët biografia e guvernatorit tonë do të duket e ngjashme me disa guvernatorë të rajonit e që janë doktorë të shkencave ekonomike, ligjërues në universitete apo edhe me përvojë nga industria financiare për një kohë të gjatë. Këta para se të emëroheshin guvernatorë kanë specializuar dhe kanë qenë pjesë e institucioneve të ngjashme qoftë në vend apo edhe në botë, dhe fushat e tyre të ekspertizës përfshijnë analizat monetare, ekonominë e punës dhe të financave ndërkombëtare. Së fundi, pse të mos jetë edhe autor i punimeve të shumta shkencore për çështje ekonomike, sikurse që është themi guvernatori i Bankës Kombëtare Kroate, apo dhe ata që kanë qenë të paktën prej 1990 e këtej guvernatorë në Republikën e Shqipërisë?

Kryeministri po ia mësyn edhe Bankës Qendrore të Kosovës, ai dëshiron ta kapë edhe këtë institucion për fyti, dhe madje me duart e Bedri Hamzës.

Secili profesionist, profesor, student, deputet apo gazetar ka mundësi tani të ndihmojë duke ngritur zërin që Banka Qendrore të mos mbytet.



(Autori, anëtar i kryesisë së lëvizjes “Vetëvendosje!”, ka përvojë 10-vjeçare në pozita vendimmarrëse në sektorin financiar)

speci07.02.2013/03:31

ky person nuk ka njohuri fillestare per ket postderi tash ka deshmuar se nuk eshte aspak njohes i financave po i dallavereve