Nacionalizëm elektoral në Shqipëri

Pëllumb XhufiPëllumb Xhufi
Publikuar: 03.02.2013 - 17:42

Tema kombëtare është bërë në mënyrë të paevitueshme një konstantë e politikës së ditës këtu në Shqipëri, nga momenti që shqiptarët udhëhiqen nga një klasë politike antikombëtare, e cila ka pushtuar qeverisjen e vendit pikërisht për të djegur shanset e tij. Tashmë është e qartë se qeveritë e këtyre 20 vjetëve demokraci, të drejtuara apo të korruptuara nga z. Berisha, kanë realizuar me përpikëri agjendat e huaja dhe kanë sabotuar sistematikisht agjendën shqiptare: rrënuan deri në themel çdo gjë të mirë të trashëguar nga e kaluara në industri, bujqësi, ushtri, administratë, kulturë e arsim, nxorën në ankand interesat shtetërore e kombëtare duke u bërë ortakë me Milosheviq-Gejxho-Fazlliqët. Ç’të kujtosh më parë nga bëmat e qeveritarëve tanë: filluan me vrasjen e historisë e të Kishës Autoqefale të Fan Nolit në 1992, dhe po e mbyllin me vrasjen e ëndrrës evropiane të shqiptarëve, në 2013. Mes këtyre dy caqeve mbetet një hapësirë e mbushur me fëlliqësira nga më të pamendueshmet në historinë e shtetit shqiptar: aleanca të fshehta e të hapura me makinën vrastare të Milosheviqit gjatë luftës në Bosnjë dhe më tej në Kosovë, mbytje e demokracisë, vrasje e zgjedhjeve, përmbysje vlerash e morali, katastrofa ekonomike, përmbytje sistematike të Veriut të Shqipërisë, degradim i programuar ekonomik e infrastrukturor i Shqipërisë së Jugut, dyndje e kaos demografik në Shqipërinë e Mesme, “çmilitarizim” i territoreve jugore me tërheqjen prej andej të reparteve ushtarake dhe atyre të sigurisë, fshirje nga harta e kufijve jugorë të vendit dhe “mbjellje” e tij me varreza, shkolla, simbole, konsullata, biznese të dyshimta e qendra terrorizmi e spiunazhi grek, sabotimi i Korridorit VIII, sabotimi i agjendës evropiane të Shqipërisë, rrënimi i bujqësisë, zhbërja e pasurive kombëtare e deri te mbjellja e përçarjeve ndërshqiptare veri-jug e Shqipëri-Kosovë. Për cilindo që nuk i ka harruar këto hata, ridalja e z. Berisha në rolin e nacionalistit duhet të jetë një kambanë alarmi: kryeministri po kërkon t’i japë një tjetër goditje pas shpine Shqipërisë. Duhet të jesh naiv të besosh që “nacionalizmi” berishian buron, edhe ai, thjesht nga etja për vota e për pushtet. Ai është i komanduar, ashtu siç ishte i komanduar antishqiptarizmi i deridjeshëm. Në këto kushte, qëndrimi i duhur ndaj autorit dhe plagjiatëve gazetarë të kësaj “vale” të rreme nacionalizmi duket të jetë ai i z. Kreshnik Spahiu, i cili sa herë që z. Berisha mundohet të bëjë “nacionalistin”, i kujton CV e tij antishqiptare, si dhe përgjegjësitë ligjore e penale për atentatet e mëdha që ia ka bërë shtetit dhe kombit shqiptar në këta 20 vjet të qeverisjes së tij të dhunshme.Le të bëjmë dallimet e rastit. Partia Socialiste nuk më duket se ka ndërmend të luajë në tastierën e nacionalizmit gjatë këtyre zgjedhjeve. Duhet pranuar, se qoftë edhe pa zhurmë e pa bujë, PS-ja dhe Edi Rama ia kanë bërë dy shërbime të mëdha vendit dhe interesave jetike të tij: bënë të dështonte shitja e turpshme e kufijve detarë e organizuar nga mazhoranca e Berishës, dhe ia kthyen Himarën Shqipërisë, duke dëbuar prej fronit të kryebashkiakut mikun për zemër të Berishës, Vasil Bollanon. Kaq nuk është pak për Edi Ramën, duke pasur parasysh se edhe rrotull tij në PS gëlojnë kaça-maçat e Berishës.

Kështu që, në kuadrin e “nacionalizmit të deklaruar”, Berisha duket se do të ketë konkurrent AK-në dhe, deri diku, aleaten e tij PDIU. Unë gjykoj se patriotizmi, apo nacionalizmi i AK-së, është shprehja më imediate e ndjenjës së frustrimit që kanë shkaktuar tek të rinjtë shqiptarë, kryesisht, politikat e shitjes së interesave dhe të dinjitetit kombëtar, dhe që është shprehur më së pari, në mënyrë spontane, në stadiumet tona. Pa dyshim, ka teprime te ndjenjat e shprehura tashmë në kuadrin e një lëvizjeje politike. Por në rastin e AK-së, problemi nuk më duket pa zgjidhje: mjafton t’i shtohet pak qetësi e pak arsye, dhe nacionalizmi i tyre mund të kthehet në një patriotizëm të panjollë. Por ndërsa nacionalizmit të AK-së i dihen dhe i mirëkuptohen premisat, problemi është me nacionalizmin e shtirë të Berishës dhe të të tijve. Këtij, vërtet, nuk i dihet burimi dhe nuk i gjendet filli. Këtë shqiptarët, më në fund, duhet ta kuptojnë, qofshin të djathtë a qofshin të majtë, qofshin “veriorë” apo qofshin “jugorë”.

 

(Autori është historian dhe ish-ambasador i Shqipërisë në Itali)