Pse ende dyshime për formimin e ushtrisë së Kosovës?

Ramadan QehajaRamadan Qehaja
Publikuar: 28.01.2013 - 20:22

Edhe pse në nëntorin e vitit të kaluar, eprorët përgjegjës të KFOR-it deklaruan se FSK-ja tanimë kishte përmbushur kapacitetet operacionale dhe fillimin e pavarësimit të saj, përkatësisht që ajo të fillojë ristrukturimin e saj në një forcë mbrojtëse të Kosovës, kjo pavarësi ende nuk është duke u realizuar. Këto konstatime nuk u konkretizuan në kohën e parashikuar ngase ato ende nuk u aprovuan në Komitetin Ushtarak të NATO-s. Vonesat e tilla nuk kërkojnë ndonjë thellësi të madhe për të konkluduar se ato bëhen qëllimisht për të prolonguar çdo veprim që në një mënyrë apo tjetër do të implikonte rikonfigurimin e mandatit ekzistues të FSK-së. Ndërlidhshmëria që i bëhet aprovimit të kapaciteteve të plota operacionale me vizionin në zhvillim për rinkonfigurimin e mandatit të FSK-së është vendim tipik politik që shmang arritjet në terren. Argumentet tashmë të njohura për pengesat që vijnë nga katër shtetet anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën e që janë anëtare fuqiplote të NATO-s nuk do të duhej të mbizotëronin në vazhdimësi për arsye se këto shtete kanë gjetur formulën për, nëse jo mbështetjen, mospengimin e ngritjes dhe zhvillimit të FSK-së. Tutje, jepen shpjegime të mëtejme se NATO-ja ka mandat të ndihmojë FSK-në vetëm si forcë për reagim emergjent dhe shpëtim nga katastrofat, përkatësisht për mbrojtje civile e jo më tepër.

Hezitimet në disa qarqe në Bruksel sikur “trimërojnë” analistët e caktuar në Beograd ku ngrenë çështjen e fatit të ardhshëm të FSK-së. “Ushtria e Kosovës, rrezik për sigurinë” ishte titulli i së përditshmes beogradase “Veçernje Novosti” që u botua para disa ditësh. Në këtë gazetë serbe theksohet se “ Ushtria e Kosovës, përveçse do të jetë edhe një atribut i shtetësisë, do të jetë larg nga faktori i stabilitetit dhe do të paraqesë rrezik për tëre rajonin dhe këtë do të duhej që Beogradi t’ua parashtronte qendrave të vendosjes në botë”.

Nëse u referohemi deklaratave të krerëve politikë e ushtarakë dhe analizave të ndryshme në Serbi se Ushtria e Kosovës në fakt se me ekzistimin e saj prish balancën ushtarake dhe mund të destabilizojë rajonin, atëherë mund të konkludojmë se një qëndrim i tillë në shtetin fqinj sikur edhe më tej po merret për bazë jo vetëm nga katër shtetet që nuk e njohën Republikën e Kosovës, por kam përshtypjen sikur krijon hezitim edhe te disa shtete të tjera. Madje, këto hezitime po mbizotërojnë në raport me argumentet e shumta në favor të ndërtimit të një sektori të sigurisë kryekëput konform nevojave të brendshme në përputhje me mundësitë kadrovike e buxhetore.

Kështu gjenerali i pensionuar serb, Radovan Radinoviq, përveç tjerash, në intervistën që ia dha gazetës “Veçernje Novosti” thotë se “formimi i Ushtrisë së Kosovës do të jetë hapi i fundit në plotësimin e kapaciteteve të plota të shtetit të Kosovës dhe do të ketë konsekuenca për sigurinë e Serbisë dhe rajonit”. Ky analist shkon edhe më tej duke theksuar se formimi i Ushtrisë së Kosovës mundëson formimin e Shqipërisë së madhe dhe nga themeli ndryshon konstelacionin gjeostrategjik në Ballkan duke rrezikuar më së tepërmi Maqedoninë e Serbinë. Po ashtu, gazeta citon analistin tjetër (Milasinoviq) i cili qartazi bën thirrje politike që “politikanët tanë dhe diplomatët duhet që këtë çështje ta paraqesin në skenën ndërkombëtare dhe të pengojnë qëllimin e Prishtinës”.

Kujtoj se nga këto deklarata mund të vërehet hezitimi i cili ende ekziston se a do të jemi ne faktorë stabiliteti apo jo në rajon. Nëse bëhet një vlerësim me parametra të qartë dhe shumë konkretë, atëherë Serbia zyrtare është destabilizuese e jo Kosova siç po pretendohet të prezantohet nga disa qarqe. Kjo mund të matet qoftë nga vonesat e saj në reformimin e sektorit të sigurisë, militarizimi i mëtutjeshëm sidomos territorin në Luginën e Preshevës, si dhe roli destruktiv i Serbisë në rrafshin politik e diplomatik.

Së këndejmi, kur kemi të bëjmë me FSK-në dhe nevojën e ngritjes së saj në ushtri, atëherë duhet shtruar pyetjen sa jemi këmbëngulës ne me kërkesa për një gjë të tillë. Konsideroj se kemi momentum më të volitshëm që tashmë sidomos pas mbarimit të mbikëqyrjes së pavarësisë së vendit, të jemi ne si vendor faktori i fundit që vendos për kahet e zhvillimit të FSK-së.

Tani ka filluar Rishikimi Strategjik i Sektorit të Sigurisë në Kosovë me ç’rast pritet një propozim për një arkitekturë të re të sigurisë konfrom nevojave të brendshme, duke respektuar kontekstin vendor. Në këtë rishikim domosdoshmërisht do të përfshihet edhe nevoja e formimit të ushtrisë së Kosovës duke listuar argumentet në favor të këtij propozimi.

Vonesat eventuale të fillimit të formësimit të ushtrisë së Kosovës, e që si duket mund të ndodhin, do të kenë reperkusione negative për zhvillimin e sektorit të sigurisë në vend. Prolongimi i zbatimit të kësaj kërkese mund të ndodhë si rezultat i qëndrimeve politike joadekuate dhe të dëmshme për vendin tonë. Për këtë, lidershipi ynë duhet të jenë më i zëshëm në kërkesat që Kosova si shtet të fillojë të ndërtojë ushtrinë e vet ashtu siç e kanë shtetet e rajonit. Dëgjueshmëria e tepruar në raport me pritjet eventuale që mund të na kërkohet që FSK edhe më tej të mbetet si e tillë, nuk mund të sjellë asgjë të mirë. Kjo aq më parë që ne po kërkojmë, dhe këtë momenti aktual politik dhe operativo-strategjik domodoshmërisht e dikton, që të kemi forcën tonë ushtarake për vetëmbrojtje e jo për qëllime sulmuese apo destabilizuese siç po pretendohet të paraqitet. Në konsekuencën e fundit na takon neve si shtet e shoqëri të vendosim për një ushtri relativisht të vogël brenda mundësive ekonomike, efektive dhe konform parametrave të NATO-s.



(Autori është analist i çështjeve të sigurisë. Qëndrimet e shprehura në tekst janë vetëm personale)

 

lapi dushku28.01.2013/21:26

Ne shqiptaret kurr nuk kemi me u mbushe mend.Per formimin e ushtrise se kosoves duhet parlamenti i Kosoves me vendos e jo nato apo dikushe tjeter.
USHTRIA Fashiste serbe nuk po ka problem te bashkpunoj me naton.Pse do ta pengonte ushtria e kosoves naton apo dika tjter?.Kosova duhet te vendos vet pa e pyt askend.Kujt i pengon ushtrija jone lete shkon nga kosova ,udha mar i koft.Me peshendetje.

Fatmiri28.01.2013/21:13

Me e pase Kosova udheheqesine NORMALE DERI SOT ESHTE DASHTE QE DISA GJANA TE HARROHEN SI PSH.USHTRIJA, BARRIKADAT E KRIMINELEVE serbe,PASTRIMI I KOSOVES PREJ KRIMINELVE serbe dhe SHQIPTARE,KONTROLLIMI I TE GJITHE TOKAVE DHE HAPSIRES SE KOSOVES NE HYRJE DHE DALJE,FORMIMI I MBROJTJES CIVILE ETJ.ETJ.
PER DERI SA TE NGAJNE QOBAT E KOSOVES ME BISEDUE ME KRIMINEL serbe , E DERI TE I FUSIN NE BE ne , S KAN KOHE ME I RREGULLUE PUNET QE DUHET TI RREGULLOJNE PER POPULLIN SHQIPTARE QE I PAGUEN.

NJANI NI VEN28.01.2013/20:42

Deri sa te bisedohet me serbine me siguri nuk do te kete ndonje ndryshime ne fsk,sepse automatikishte e forcon poziten e kosoves ne dialog me serbine mu per kete duhet te insistohet ne transformimin e Fsk ne ushtri te rregullt sa me pare..