“Tema”: Për fëmijët e të vrarëve dhe fëmijët e vrasësve të 21 janarit

Mero Baze
Publikuar: 22.01.2013 - 20:31



Në vitet që vijnë ata do të rriten dhe do ta mësojnë të gjithë të vërtetën. Ata që janë të rritur e dinë që sot, të tjerët do të mësojnë se në vitin 2011, dy burracakë të fshehur pas xhamit të blinduar të Kryeministrisë, të frikësuar nga një demonstratë kundër tyre, urdhëruan vrasjet kur turma po shpërndahej. Të gjithë thuajse u vranë si soditës të demonstratës.

Por ajo që do ta bëjë të hidhur të vërtetën e tyre është rruga që ka marrë procesi gjyqësor dhe vënia në vend e drejtësisë. Fëmijët e të vrarëve të 21 janarit janë  ndoshta familjarët e vetëm në  botë që kanë pamje filmike si ua kanë vrarë prindërit, kush ua ka vrarë dhe kush i ka urdhëruar dhe njëkohësisht janë të vetmit jetimë në botë, që po shikojë me sytë e tyre si gjykata po përpiqet të mbroj vrasësit e provuar shkencërisht. Kjo është mënyra që drejtësia për prindërit e tyre të kthehet në motiv të jetës së tyre.

Përballë tyre janë fëmijët e vrasësve. Jo fëmijët e Lupos apo Prendit, pasi ata janë ushtarë , por fëmijët e Sali Berishës dhe Lulëzim Bashës, dy burracakëve që u fshehën pas xhamit të blinduar dhe lanë jetimë. Sot që Ana kërkon drejtësi për babin e saj, vajza e vrasësit Sali Berisha kërkon ta lëmë të qetë në bizneset e saj tremilonëshe për një firmë të babait, i biri kërkon të mos e shqetësojmë në sekserllëqet e veta, ndërsa fëmijët e Lulëzim Bashës, që janë në moshën e vajzave të Aleks Nikës, janë ende larg makthit të qenit fëmijë të një vrasësi.

Ky është dhe konflikti që po i lëmë hapur shoqërisë shqiptare. Shqipëria e nesërme, Shqipëria që duhet realisht të ndryshe dhe të bëhet një vend normal, është Shqipëria që të pajtoj dhe të imponoj paqen mes fëmijëve të dy vrasësve , Sali Berishës dhe Lulëzim Bashës dhe fëmijëve të të vrarëve prej tyre për karrigen e pushtetit. Dhe për këtë nuk mjafton vetëm drejtësi për 21 janarin. Për këtë duhet diçka më shumë, duhet një reflektim dhe ndjesë e thellë qoftë dhe për gjestin e vrasjeve politike. Përveçse gjykatat tona duhet të çojnë në qeli ekzekutuesit dhe para drejtësisë urdhëruesit, vetë këta duhet të shprehin një pendesë të thelë publike dhe t’ia imponojnë këtë mbështetësve të tyre. Ajo që po ndodh sot është më shumë se sa vrasjet e 21 janarit. Mbështetësit e Sali Berishës dhe Lulëzim Bashës janë gati krenar që ata kanë vrarë. Ky është një indoktrinim kriminal i shoqërisë, dhe një plagë e hapur që do të mbajë të ndarë shoqërinë shqiptare me varre në mes.

Shqipëria e nesërme duhet të bashkohet për të dënuar dhe ndëshkuar vrasjet politike që ato të mos përsëriten më kurrë. Shoqëria shqiptare ka nevojë për një lustracion real në raport me këto vrasje, një reflektim të thellë për ti konsideruar si atentati më i madh që i është bërë sistemit të vendosur pas vitit 1990.

Unë nuk jam i shqetësuar pse gjykata e Tiranës mbushet me banditë kur gjykohet 21 Janari. Nuk jam i shqetësuar as nga fakti që Komandanti i gardës apo Llupo mund të dënohen pak apo shumë. Nuk kam asgjë me ta d e sikur ti lirojnë sot nga salla. Ajo që më shqetëson është se Sali Berisha pasi ka vrarë ka indoktrinuar një pjesë të shoqërisë duke justifikuar vrasjet politike, siç ka bërë Enver Hoxha për ekzekutimet politike. Ky është një krim nga i cili duhet të ndahemi. Procesin gjyqësor ndaj vrasësve e bëjmë dhe nesër kur pushteti të ndryshojë, por paqen në shoqëri nuk e vendosim dot nëse bashkërisht nuk bashkohemi në idenë se ai ishte një krim i shëmtuar politik që duhet dënuar thellë. Historia e vrasjeve politike, nuk është si histori e Argitës që ne e kapim me presh në dorë dhe ajo kërkon të gjej gjethe preshi në oborrin e shtëpisë së xhaxhait të Linda Ramës, ku çon kushërirat e saj në protestë. Historia  e vrasjeve politike nuk është shkëmbim akuzash bile as shkëmbim zjarri. Është krim që mban të ndarë shoqërinë nëse nuk dënohet bashkërisht. Është një krim që rrit fëmijë të ngujuar në kullën gjakmarrjes. Është një krim që rrezikon jo vetëm përsëritjen nga regjimi apo regjimet që mund të vendosen këtu, por dhe hakmarrjen. Fëmijët e vrasësve dhe fëmijët e të vrarëve po rriten në këtë vend njëra palë me idenë se të vrarët e meritonin plumbin, dhe pjesa tjetër që vrasësit meritojnë plumbin. Kjo gjë duhet të marrë fund dhe ne nuk duhet të jemi aq burracakë, që t’ia lëmë drejtësinë për 21 janarin në dorë të fëmijëve të vrasësve dhe të të vrarëve.

Të vrarët e 21 janarit janë dëshmi se shoqëria jonë është ende e sëmurë dhe ne duhet ta shërojmë si një detyrim ndaj fëmijëve tanë, fëmijëve të të vrarëve, por dhe fëmijëve apo nipave dhe mbesave të vrasësve.