Franca e vetmuar?

Zaki Laidi
Publikuar: 22.01.2013 - 20:25

Paris - Brenda më pak se dy vjetësh Franca ka ndërmarrë tri ndërhyrje vendimtare të jashtme ushtarake. Në mars të 2011-s, bombardimet e Francës (së bashku me Britaninë e Madhe) shkatërruan trupat e kolonelit Muammer Gaddafi derisa ato po bëheshin gati ta merrnin qytetin e Benghazit. Një muaj më vonë forcat franceze në Bregun e Fildishtë arrestuan presidentin Laurent Gbagbo, që kishte refuzuar ta pranonte humbjen e rivalit të tij në zgjedhje, duke e vënë vendin në prag të luftës civile. Tani Franca ka ndërhyrë në Mali.Ndërhyrja e fundit në fillim ishte planifikuar si pjesë e një misioni evropian për të përkrahur forcat afrikane, por Franca papritur vendosi të vepronte njëanshëm për ta ndalur hovin e marshimit të militantëve islamikë për ta marrë Moptin, pengesën e fundit përpara arritjes në kryeqytetin Bamako. Përtej këtij qëllimi, Franca kërkon të mbrojë shtetasit e vet në rajon; të ruajë stabilitetin në Sahel, ku shtetet janë shumë të brishta; dhe ta parandalojë transformimin e Malit në një bazë të terrorizmit islamik të drejtuar kundër Evropës.

Bëhet fjalë për një çështje të madhe - saqë ndërhyrja franceze me gjasë do të jetë e përmasave të gjera. Meqë militantët islamikë janë mposhtur përkohësisht, ata janë të armatosur deri në dhëmbë dhe furnizohen prej Libisë nëpërmjet Algjerisë, që i ka shtypur militantët islamikë në territorin e saj, por duket se e ka mbyllur njërin sy kundrejt furnizimeve që kalojnë transit. Me fjalë të tjera, ushtria e Malit dhe e vendeve të Afrikës që besohej se do të bashkoheshin në aksion, kanë kapacitete shumë të kufizuara. Shtetet e Bashkuara u munduan të trajnonin ushtrinë e Malit, por dështuan në mënyrë të mjerueshme.

Pra, me vënien në pikëpyetje të sigurisë së Evropës si një tërësi, pse Franca është i vetmi shtet i përfshirë?

Një shpjegim është të konsiderohet ndërhyrja si një garë neokoloniale për të mbrojtur praninë franceze. Ky është një gabim i madh. Franca nuk ka kurrfarë interesi ta mbrojë një regjim të Malit për të cilin e di që është i korruptuar dhe jokompetent; në të vërtetë, presidenti në fakt së fundi refuzoi të përkrahte një kërkesë të regjimit të presidentit François Bozize në Republikën e Afrikës Qendrore fqinje për ndihmë në lidhje me çështjen e rebelëve.

Motivet e Francës janë shumë më të gjera. Në veçanti, Franca gjithnjë ka konsideruar Afrikën Nënsahariane dhe botën arabe si sfera natyrale të ndikimit politik dhe strategjik si të nevojshme për ruajtjen e pozitës së vetë si një fuqi botërore.

Shpjegimi i dytë është më i besueshëm: Franca së bashku me Britaninë e Madhe janë fuqia e vetme e vërtetë ushtarake e Evropës. Franca beson se kapaciteti ushtarak operacional është një kusht i fuqisë – një pikëpamje që nuk favorizohet nga shumë e shtete evropiane, që vazhdon të shfaqë një aversion kolektiv kundrejt luftës.

Që të jemi të sigurt, Evropa ka mjetet për një aksion të përbashkët. Më 2003-n, pas luftës në Irak, Evropa hartoi një strategji të përgatitur nga Javier Solana, atëherë përfaqësues i lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian. Por, derisa një numër i madh shtetesh evropiane në mënyrë naive besonin se kjo ishte një preludë për një strategji të përbashkët evropiane, propozimi ishte draftuar me një gjuhë aq të paqartë saqë shtronte rrugën për çfarëdo rezultati - apo për asnjë.

Traktati i Lisbonës i BE-së përmend “bashkëpunimin e përhershëm të strukturuar” në politikën e sigurisë dhe mbrojtjes, dhe ekziston një aparat i tërë i komiteteve politike dhe ushtarake për të marrë, përgatitur dhe zbatuar operacione ushtarake në nivel evropian. Por këtij mekanizmi i mungon vullneti politik i nevojshëm për ta aktivizuar atë; sa më pak që përdoret, aq më pak i përdorshëm do të jetë.

Gjatë krizës së Libisë, pasardhësi i Solanas, Catherine Ashton, me qëllim ishte munduar të kufizonte rolin e BE-së deri në shkallën e një super-OJQ-je të fokusuar në ndihmë humanitare dhe zhvillim ekonomik. Së fundi, gjatë votimit të përfaqësimit të Palestinës në Kombe të Bashkuara, BE-ja u bëri thirrja anëtarëve të saj të abstenonin - një veprim i çuditshëm për ta afirmuar zotimin e Evropës për lidership botëror.

Për Britaninë e Madhe një rrjet evropian mbrojtjeje pothuajse nuk është i mundshëm. Britania ka devijuar prej këtij parimi më shumë se një herë, kur ishte pajtuar të merrte pjesë në operacionet për luftimin e piratëve në Bririn e Afrikës, mbase për shkak se ishte në pozitën e komandës. Si rezultat, ata që dëshirojnë një kapacitet të përbashkët evropian të mbrojtjes nuk kanë gatishmëri për ta krijuar atë, e ata që kanë mundësi, nuk e bëjnë (me përjashtimin e mundshëm të Francës).

Bashkëpunimi dypalësh i Britanisë me Francën - i vënë në pah gjatë krizës libiane - nganjëherë është shumë i fortë. Por, pavarësisht prej Traktatit të dy vendeve për bashkëpunim për mbrojtje dhe siguri të arritur në vitin 2010, britanikët kanë vendosur për shkaqe buxhetore të marrin pjesë me mjete ajrore që nuk do të mund të barten nga anijembajtëset luftarake franceze.

Madje edhe Spanja dhe Italia, dy vendet më të prekura nga zhvillimet në Mesdhe dhe Sahel, kanë reduktuar me të madhe ekspeditat ushtarake. Ndryshe nga Gjermania, të dyja kanë marrë pjesë në ndërhyrjen në Libi, por me rregulla të kufizuara të angazhimit të forcave të tyre. Për shembull, forcat detare italiane ishin instruktuar që t’u shmangeshin ujërave të bregut të Tripolit, dhe tankerit spanjoll të ushtrisë i ishte ndaluar t’i furnizonte bombarduesit.

Evropa si një tërësi tash ndan vetëm 1.6 për qind të bruto prodhimit vendor për mbrojtje, krahasuar me 4.8 për qind të Shteteve të Bashkuara. Evropa është i vetmi rajon në botë ku po zvogëlohen ekspeditat ushtarake. Misionet evropiane janë me numër shumë të vogël forcash, apo rreth 4 për qind të personelit të përgjithshëm në shkallë botërore, karshi pjesëmarrjes me 14 për qind të Shteteve të Bashkuara. Bashkëpunimi industrial, që do të përbënte një aset ekonomik dhe ushtarak, është gjithashtu duke shënuar rënie, sikur se është dëshmuar nga kundërshtimi i Gjermanisë ndaj shkrimit të propozuar EADS/BAE, që zyrtarisht ishte kryer në muajin tetor.

Gjermania dukej se do të kishte një angazhim më të madh në operacione ushtarake pas përfshirjes së saj në Gjermani. Megjithatë, tani hedh poshtë të gjitha mundësitë e ndonjë prospekti të ndërhyrjes ushtarake, madje edhe pse është eksportuesja e tretë më e madhe ushtarake në botë.

Evropa heziton të zhvillojë një forcë substanciale ushtarake, sepse projekti evropian ishte krijuar në kundërshtim me idenë e fuqisë. Megjithatë ky qëndrim është bërë i padurueshëm. Evropa përballet me kërcënime reale, të cilat nuk mund t’i frenojë Franca e vetmuar. Thënë troç, sistemi ndërkombëtar me të madhe po sillet përreth fuqive kombëtare që e konsiderojnë forcën ushtarake si një parakusht themelor ndikimi. Evropa nuk përballet me një zgjedhje ndërmjet fuqisë së butë dhe asaj të sertë. Ajo duhet t’i kombinojë të dyja nëse dëshiron të mbijetojë.



(Autori është profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në L’Institut d’etudes politiques de Paris dhe autor i “Arritjeve të kufizuara: Politika e jashtme e Obamas”.

Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)