Etika dhe bujqësia

Peter Singer Peter Singer
Publikuar: 16.01.2013 - 19:36

Melbourne, 14 janar – A duhet shtetet e pasura – apo investitorët atje – të blejnë tokë bujqësore në shtetet në zhvillim? Ajo çështje është trajtuar në marrëveshjet transnacionale të tokës për bujqësi, një raport i publikuar gjatë vitit të kaluar nga “Land Matrix Partnership”, një konsorcium i instituteve evropiane të hulumtimit dhe organizatave joqeveritare.

Raporti tregon se që nga viti 2000, investitorët apo organet shtetërore në shtetet e pasura dhe në ato në zhvillim kanë blerë më shumë se 83 milionë hektarë tokë bujqësore në shtetet më të varfra në zhvillim. Kjo paraqet 1.7 për qind të tokës bujqësore në botë.

Pjesa më e madhe e këtyre blerjeve janë realizuar në Afrikë, derisa dy të tretat janë bërë në shtetet ku uria është e përhapur dhe institucionet për verifikimin e pronësisë janë shpesh të dobëta. Vetëm blerjet në Afrikë përfshijnë një tokë të madhësisë së Kenisë.

Është pohuar se investitorët e jashtëm janë duke blerë tokë që ka mbetur pa punuar; rrjedhimisht duke e futur në prodhim, derisa blerjet janë duke e rritur sasinë e ushqimit në dispozicion. Por raporti i “Land Matrix Partnership” ka gjetur se ky nuk është rasti: afërsisht 45 për qind e blerjeve kanë pasur të bënin me male, gjë që tregon se zhvillimi mund ta vërë në rrezik biodiversitetin.

Investimet janë si private, ashtu edhe publike (për shembull nga entitetet shtetërore) dhe vijnë prej tri grupeve të ndryshme të shteteve: ekonomitë në lulëzim, si Kina, India, Brazili, Afrika e Jugut, Malejzia dhe Koreja e Jugut; shtetet e Gjirit, të pasura me naftë dhe ekonomitë e zhvilluara, si SHBA-ja dhe disa shtete evropiane. Mesatarisht, të ardhurat për kokë banori në shtetet që janë burim i këtyre investimeve janë katër herë më të larta, sesa në shtetet ku janë bërë blerjet. Pjesa më e madhe e investimeve kanë të bëjnë me prodhimin e ushqimit apo të drithërave për eksport, prej shteteve në të cilat blihet toka, për arsyen evidente se shtetet më të pasura mund të paguajnë më shumë për prodhimin. Më shumë se 40 për qind e projekteve të tilla synojnë të eksportojnë ushqimin te shteti që investon – gjë që sugjeron që siguria e ushqimit është arsyeja kryesore për blerjen e tokës.

“Oxfam International” i quan disa prej këtyre marrëveshjeve “uzurpime të tokës”. Raporti i saj “Our Land, Our Lives”, tregon se që nga viti 2008, komunitetet e ndikuara nga projektet e Bankës Botërore kanë paraqitur 21 ankesa formale për shkelje të të drejtave të tyre pronësore. “Oxfam”, duke e tërhequr vërejtjen te blerjet e mëdha të tokës, që kanë përfshirë shkelje direkte të të drejtave, i ka bërë thirrje Bankës që të ngrijë investimet, derisa t’i përcaktojë standardet, duke u siguruar që komunitetet lokale të jenë të informuara paraprakisht me opsionin e refuzimit të tyre. “Oxfam” po ashtu dëshiron që Banka të sigurohet se këto marrëveshje të mos e vënë në rrezik furnizimin lokal apo shtetëror me ushqim.

Si përgjigje, “Banka Botërore” është pajtuar se ka raste të shkeljeve gjatë blerjes së tokës, posaçërisht në shtetet në zhvillim, ku qeverisja është e dobët, duke thënë se mbështet një pjesëmarrje më transparente dhe përfshirëse. Në të njëjtën kohë, ajo ka theksuar domosdoshmërinë për shtimin e prodhimit të ushqimit, për të ushqyer dy miliardë njerëzit shtesë që pritet të jenë gjallë më 2050, duke sugjeruar se më shumë investime në bujqësi në shtetet në zhvillim janë të nevojshme për përmirësimin e produktivitetit. “Banka” e ka hedhur poshtë idenë e një moratoriumi në punën e saj me investitorët në bujqësi, duke argumentuar se kështu do të viheshin në cak saktësisht ata që kanë më së shumti gjasa ta bëjnë gjënë e duhur.

Këtu mund të shtrohet pyetja nëse transparenca dhe kushti që pronarët lokalë të tokës të pajtohen për shitje mjafton për t’i mbrojtur njerëzit që jetojnë në varfëri. Përkrahësit e tregjeve të lira do të argumentojnë se nëse pronarët lokalë të tokave dëshirojnë të shesin tokën, atëherë kjo është zgjidhje e tyre.

Por duke pasur parasysh presionet e varfërisë dhe mundësinë që të bësh para, çfarë u duhet njerëzve që të bëjnë një zgjedhje të lirë dhe të informuar për shitjen e diçkaje aq të rëndësishme, si pronësia mbi tokën? Mbi të gjitha, ne nuk u lejojmë njerëzve të varfër që t’i shesin veshkat e tyre tek ata që u ofrojnë më shumë.

Natyrisht, përkrahësit radikalë të tregjeve të lira do të na tregojnë se çfarë duhet të bëjmë. Por të paktën duhet sqaruar përse njerëzit duhet të ndalohen nga shitja e veshkave, por jo nga shitja e tokës prej së cilës marrin ushqimin. Shumica e njerëzve mund të jetojnë pa një veshkë. Askush nuk mund të jetojë pa ushqim.

Përse shitja e organeve dënohet ndërkombëtarisht, derisa e njëjta gjë nuk ndodh sa i përket shitjes së tokës bujqësore – madje edhe kur përfshin dëbimin e pronarëve lokalë të tokës dhe prodhimin e ushqimit për eksport në shtetet e pasura, në vend të konsumit lokal?

Banka Botërore mund të jetë më e shqetësuar rreth të drejtave të pronarëve lokalë të tokave, sesa që janë investitorët e jashtëm. Nëse është ashtu, 21 ankesat e bëra ndaj projekteve të Bankës... janë maja e ajsbergut të shkeljeve të të drejtave pronësore nga investitorët e jashtëm në projektet bujqësore në shtetet në zhvillim – derisa ankesat e tjera nuk janë bërë për shkak se viktimat nuk kanë qasje në procedurën e ankesës.

Një rast i tillë ka tërhequr vëmendjen e Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Në nëntor, Komiteti ka konstatuar se Gjermania nuk e kishte mbikëqyrur si duhet “Neumann Kaffe Grupe” sa i përket bashkëpjesëmarrjes së saj në dëbimin me dhunë të disa fshatrave në Ugandë, për t’i hapur rrugë një plantacioni të madh të kafesë. Ata nuk kanë mundur ta gjenin zgjidhjen, as në Ugandë dhe as në Gjermani për shkeljen e të drejtave të cilat, sipas Komitetit, u takojnë në pajtim me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, nënshkruese e së cilës është edhe Gjermania. A duhet të besojmë se pronarët e tokave i kanë më mirë punët me investitorët kinezë apo sauditë?



(Autori është profesor i bioetikës në Universitetin e Princetonit. Ky vështrim është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore, “Project Sindycate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)