Një metaforë për Obaman

Robert J. ShillerRobert J. Shiller
Publikuar: 13.01.2013 - 17:25

New Haven – Ndërsa presidenti amerikan, Barack Obama, e nis mandatin e vet të dytë, atij i nevojitet një mënyrë e thjeshtë për të shprehur vizionin dhe politikat për ekonominë – një metaforë rreth së cilës mbështetja për politikat e tij mund të kristalizohej, duke i kontribuuar efikasitetit politik të administratës. Por, çfarë e bën një metaforë të funksionojë?

Fushata e vitit 2008 e Obamas përdori sloganin “Ndryshimi të cilit mund t’i besojmë”. Mirëpo “ndryshimi” nuk është metaforë për një qeveri: nuk ka të bëjë për ndonjë politikë. As “Shpresa” apo “Po, ne mundemi!” kanë të bëjnë me këtë.

Fushata e vitit 2012 e Obamas përdori sloganin njëfjalësh “Përpara!” Përsëri, slogani nuk nënkuptoi gjë për politikat apo filozofitë e fshehura të tyre. Çdo politikan, qoftë ai liberal apo konservator, dëshiron të ecë përpara, e jo të kthehet prapa. 

Sloganet e Obamas janë shembuj të “metaforave të vdekura”: ato nuk janë pjesë të ndonjë skeme të përgjithshme konceptuale.

Përkundrazi, në vitet 30, presidenti Franklin Roosevelt, përdori një metaforë që mbetet pak a shumë e gjallë edhe sot. Ideja e një “marrëveshjeje të re” ka lindur gjatë fushatës së tij të parë për zgjedhjet presidenciale në vitin 1932, edhe pse në atë kohë ai nuk kishte ndonjë ide të qartë se si do të rridhte mandati i tij.

Me sa duket, Roosevelt, apo fjalimshkruesit e tij, e huazuan metaforën nga libri “Një marrëveshje e re”, e Stuard Chase, i botuar në vitin 1932 dhe ishte adoptuar po atë vit si rrëfimi kryesor i revistës “The New Republic”. Chase e përshkroi marrëveshjen e tij të në terme të përgjithshme si “një rishikim drastik dhe progresiv të strukturës ekonomike, duke e shmangur një shkëputje të plotë nga e kaluara”. Dhe, derisa propozimet specifike politike të librit u ngjasojnë pak veprimeve pasuese të Rooseveltit, titulli përmbante një apel të brendshëm, të cilin ai duhej ta kishte pranuar.

Marrëveshja e Re krijoi një imazh transaksioni komercial, si blerjen e një kompanie apo një pakoje stimuluese për ekzekutivët – diçka për të cilin palët kontraktuese arritën ujdi dhe u pajtuan. Nuk është e imponuar. Duke e quajtur “marrëveshje”, Roosevelt bëri të qartë se plani nuk ishte kundër biznesit: tingëllonte më shumë sikur një ofertë pune, një ofertë për të marrë pjesë, për ta rrëmbyer një mundësi. Dhe, për shkak se marrëveshjet mund të jenë të mira apo të këqija, të drejta apo shfrytëzuese, fjala “e re” ofroi thellësi metaforike, duke sugjeruar se marrëveshja e Rooseveltit ishte më e mirë, më e drejtë dhe më atraktive.

Metafora, që mbështetet me të madhe nga votuesit, i qëndroi pranë Rooseveltit gjatë gjithë mandatit për të rregulluar ekonominë e brishtë përbrenda kornizave inovative por megjithatë ende përfundimisht kapitaliste. Disa prej iniciativave të administratës së  tij, siç është krijimi i Komisionit të sigurimeve dhe shkëmbimit, në atë kohë u dukeshin si antibiznesore disave, mirëpo për shumë kohë janë pranuar si një ndihmë për konkurrencën dhe dinamizmin.

Metaforat del se nuk janë thjesht vetëm fjalë. Shkenca moderne e fjalëve po zbulon se metaforat janë instinkte të brendshme për kreativitet, ngase përdorimi i tyre aktivizon pjesë të ndryshme të trurit falë përmbajtjes së kuptimeve të tyre të shumëfishta. Metaforat e mira janë ato që nxisin ndërlidhjet e duhura intuitive te truri ynë. Për shembull, një progres më i madh është shënuar në të kuptuarit e zërit dhe dritës, kur shkencëtarët i imagjinuan ata në formën e valëve të detit.

Formulimi i një metafore të mirë për mandatin e dytë të Obamas është një detyrë në vete për mendjet kreative që detyrojnë rimendimin e saj që ai do të propozojë në mandatin e dytë. Një metaforë e mirë mund të materializojë idenë e një “ekonomie përfshirëse”.

Fjala “përfshirëse” tingëllon fuqishëm: Amerikanët nuk duan një qeveri sa për sy e faqe; në vend të kësaj, ata e duan një qeveri që përfshin më shumë njerëz në ekonominë e tregut. Anketat e opinionit publik kanë treguar se, mbi të gjitha, ajo që amerikanët duan janë vendet e reja të punës – që është dhe pikënisja e përfshirjes.

Paralelja e librit të Chases sot është bestselleri i vitit 2012 “Pse kombet dështojnë”, i ekonomistit Daron Acemoglu dhe politikologut, James Robinson. Acemoglu dhe Robinson argumentojnë se në aspektin e gjerë të historisë, rendet politike që i kanë përfshirë të gjithë në procesin ekonomik kanë më shumë gjasa të shënojnë suksese në aspektin afatgjatë.

Koha duket të ketë ardhur për këtë ide dhe ajo i përshtatet triumfit të përfshirjes të simbolizuar nga vetë Obama. Mirëpo një tjetër hap në krijimin e metaforës është domosdoshmëria për të shpërfaqur idenë për përfshirjen ekonomike.

Suksesi më i madh i mandatit të parë të Obamas kishte të bënte me përfshirjen ekonomike. Akti i Kujdesit të Përballueshëm (“Obamacare”) u ofron qasje më shumë njerëzve në përkujdesjen shëndetësore – dhe u siguron më shumë njerëzve sigurime private – aq sa kurrë më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Reformat financiare Dodd-Frank krijuan Byronë e Përkujdesjes Financiare të Konsumatorit, ashtu që prodhimet private financiare t’i shërbenin më mirë publikut, duke krijuar stimuj që derivatet të shiten nëpër tregjet publike. Dhe ai nënshkroi Aktin JOBS, të propozuar nga kundërshtarët e tij republikanë  që synon krijimin e ueb faqeve që ua lejojnë investuesve të vegjël pjesëmarrjen në sipërmarrjet fillestare.

Ne nuk e kemi prekur majën e përfshirjes ekonomike. Janë me qindra mundësi të tjera, përfshirë arsimimin e përmirësuar investues dhe këshillat financiare, hipotekat më fleksibile, forma më të mira sigurimi, më shumë sigurim për aspektet më të gjera të rreziqeve jetësore dhe menaxhim më të mirë të rreziqeve në punë. Progresi më i madh drejt të ardhurave gjithëpërfshirëse publike dhe tregjeve do të ndihmonte shumë, siç do të ndihmonin edhe politikat për inkurajimin e pjesëmarrjes më të madhe të botës në lulëzim në ekonominë amerikane. (Në të vërtetë, metafora e përfshirjes para së gjithash është në përputhje me shpirtin global; sikur Obama ta kishte përdorur atë në të kaluarën, politikat e tij ekonomike do të mund të ishin më pak proteksioniste).

Metafora e duhur do t’i thurte disa prej këtyre ideve, apo të tjerave të ngjashme me ato, në një vizion për të ardhmen e Amerikës, i cili, sikurse edhe Marrëveshja e Re, do të fitonte koherencë, ndërsa transformohet në realitet. Më 29 janar, Obama do të bëjë adresimin e parë para kombit për mandatin e tij të ri. Ai duhet të jetë duke menduar se si t’i shprehë – më me gjallëri dhe imponim – parimet që e prinë në zgjedhjet e deritanishme dhe ato që e përcaktuan shtegun e së ardhmes së Amerikës.



(Robert J. Shiller është profesor i ekonomisë në Universitetin Yale dhe bashkautor i Indeksit Case-Shiller për çmimet e shtëpive në SHBA. Ai është autor i librit “Irrational Exuberance”, botimi i dytë i të cilit parashikoi kolapsin vijues të çmimeve të patundshmërive, si dhe autor i librit më të fundit “Financat dhe shoqëria e mirë”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).