Fundi i botës: hyjnizim i katastrofave lokale dhe ideologji e grupeve në rënie

Blerim Latifi Blerim Latifi
Publikuar: 22.12.2012 - 19:56

Globalizimi i jep kuptimin e plotë fjalës së vjetër greke “panik”, që vjen nga fjala “pan” e që do të thotë “e tëra”, “e gjitha”. Paniku është frika që i rrëmben të gjithë. Pani ishte një Perëndi greke e cila kur lindi ishte aq e shëmtuar sa të gjitha Perënditë tjera ikën prej tij nga tmerri i monstruozitetit që kishte pamja e tij.

Globalizimi panikun grupor apo etnokulturor e shndërron në panik global. Agjentët e këtij shndërrimi natyrisht janë mediet e fuqishme, të cilat botën e kanë shndërruar në një dhomë, brenda të cilës në një pasqyrë të madhe, shoqëria globale shikon veten tërë kohën. Miti futurologjik për fundin e botës më 21 dhjetor 2012 është shembulli më i freskët i këtij mekanizmi të shndërrimit të emocioneve lokale kulturore në emocione globale kulturore. Ky mit futurologjik lidhet me kinse parashikimet e dala nga përllogaritjet e cikleve të kalendarëve të civilizimit të dikurshëm “Maja”. Pa dashur të  hyjmë në analizën e thelluar të besimeve fetare të këtij civilizimi për të parë nëse mund të gjendet aty ndonjë ide apo përfytyrim për fundin e botës, një gjë është krejtësisht e qartë: edhe nëse Majat kanë pasur një mit për fundin e botës ai mit s‘ka fare lidhje me botën në të cilën jetojmë sot. Koncepti ynë për botën është krejtësisht tjetër nga koncepti që kanë pasur Majat. Bota për ta ka nënkuptuar tokën, lumin dhe pyllin ku kanë jetuar me shekuj

dhe pamjen e kufizuar të qiellit mbi ta, aty ku rrinë Perënditë e herë dërgojnë shi e herë breshër varësisht nga disponimi i tyre me njerëzit. Përtej kësaj, për ta, gjithçka tjetër është terra incognita, tokë e panjohur.



Ndërkaq për ne bota është një planet i vogël brenda një universi të pafund yjesh e planetësh. Kësisoj është marrëzi fëmijërore të marrësh paralajmërimin e tyre për fundin e botës si paralajmërim për botën tonë. Kjo marrëzi shfaqet sa herë që ne nuk arrijmë të dallojmë një gjë elementare: faktin se konceptet dhe përfytyrimet tona për botën nuk janë të njëjta me konceptet dhe përfytyrimet e civilizimeve të tjera që kanë ekzistuar dikur e tashmë janë zhdukur, ose të epokave të kaluara historike. Tjetër është bota për priftin e popullit Maja, i izoluar përjetësisht në pyllin e amazonës, e tjetër për inxhinierin e NASA-s që vëzhgon lëvizjet e trupave në gjithësinë e pafund përmes teleskopëve të sofistikuar.

Por, përse atëherë në kohën tonë kur përfytyrimin tonë për kozmosin e formëson shkenca e NASA-s shfaqen të tilla mite fëmijërore për fundin e afërm të botës.

E para e punës është se shkenca nuk ofron as siguri shpirtërore, e as garanci që bota është në duart e sigurta të një fuqie mirëbërëse. Shkenca nuk është religjion, e as nuk mund të zëvendësojë religjionin sikurse mendonin iluministët e dikurshëm. Ajo nuk na garanton se një ditë kur punët të kenë shkuar shumë keq Zoti do të vijë të na nxjerrë nga balta.

E dyta ka të bëjë me faktin se globalizimi ka prodhuar forma të reja të pasigurisë dhe frikës. Këto forma të pasigurisë variojnë që nga fenomeni global që sociologët e quajnë “precariat”, një modifikim i termit “proletariat”, e i cili nënkupton gjendjen e të jetuarit të përhershëm me pasigurinë e vendit të punës, pastaj tek shumëfishimi i formave tëterrorizmit ndërkombëtar e deri tek sëmundjet e ndryshme që globalizohen si të gjitha gjërat tjera.

Këta janë vetëm pak shembuj të pasigurive të reja globale. E tërë kjo përbën një terren ideal për profetët apokaliptikë, profetët që vijnë për të sjellë lajme të këqija për njerëzit. Diagnoza e tyre është e njëjta që nga koha e Shën Gjonit biblik: fundi i botës po vjen. Këtë diagnozë ata e ndërtojnë duke gjurmuar tekste të vjetra nëpër arkivat e pluhurosura të botës apo shenja nëpër gurët e varrezave të qytetërimeve të vdekura.

Nëse e gjurmojmë historinë e kësaj ideje, atëherë gjithmonë ndeshim me një fakt të pamohueshëm sociologjik: ideja për fundin e botës është një hyjnizim i katastrofave lokale të cilat i kanë përjetuar shoqëritë në të kaluarën e largët. E meqë këto shoqëri, duke jetuar në korniza të izolimit kulturor e gjeografik, sikurse edhe populli Maja, kanë menduar se janë qendra e botës, prandaj çdo katastrofë të tyre e kanë parë edhe si katastrofë botërore. Pra, e shohim se në themel të kësaj ideje qëndron logjika etnocentrike e shpjegimit të realitetit. Kjo logjikë e shpjegon edhe funksionin ideologjik të idesë për fundin e botës. Në këtë rrafsh ideja për fundin e botës është ideologji e grupeve apo formacioneve sociale që kanë rënë, kanë humbur pushtetin e mbajtur për një kohë të gjatë dhe rrjedhimisht janë duke dalë nga skena e shoqërisë. Sensibiliteti i tyre është i thjeshtë: me rënien tonë bie edhe bota. Në këtë kuptim mund të thuhet se Majat ia kanë qëlluar me

parashikimin e tyre: ata kanë parandier fundin e qytetërimit të tyre, i cili erdhi nga dhuna e aventurierëve spanjollë, që pushtuan Amerikën këtu e 500 vjet më parë.

(Autori është mësimdhënës i filozofisë politike në Universitetin e Prishtinës)